Reformat po çoroditin tregun e energjisë elektrike

Ervin Kaduku

nenstacion elektrik–  Po trumbetohet si një sukses i paparë nga ana e OSHEE-së fakti që nuk përdoren fonde buxhetore për të mbuluar humbjet. Po kush paguan për 37.6% të humbjeve në rrjet?

Vala e reformave në sektorin e energjisë ka sjellë në sfond një reklamë të re për përdorim politik. Dhe kështu ndodhi. Më 4 maj 2015, Kryeministri, duke premtuar se rezultatet e reformave do të vijnë, e ilustroi këtë me një shembull ku spikati muajin prill. Në këtë muaj, OSHEE ka dalë me fitim dhe për herë të parë në historinë e saj OSHEE nuk ka nevojë të kërkojë para nga taksat për të mbuluar gropën që hapet nga vjedhjet.

Ndërkohë, Kryeministri, me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 171, datë 25.2.2015 “Për miratimin e Planit të Rimëkëmbjes Financiare të Sektorit të Energjisë Elektrike”, pranon se humbjet në rrjet janë në nivelin 37.6% dhe përmes këtij plani synohet reduktimi i humbjeve në sektorin e shpërndarjes me një mesatare prej 5% ulje çdo vit, me synimin që në 2019 humbjet të arrijnë në 14%!

Në rast se OSHEE ka dalë me fitim dhe në rrjet ka një humbje prej përreth 37%, këto humbje kush i paguan në këtë rast? Bazuar në eksperiencën e mospagimit të kësaj diference në humbje, pagesa bie mbi konsumatorët. Pra, qytetarët jo vetëm që paguajnë atë që ata konsumojnë, por paguajnë edhe 37% humbje dhe në fund kemi një bilanc pozitiv. A do të thotë kjo se kemi një faturim të drejtë të atyre që paguajnë energjinë elektrike?

Një nga instrumentet se si qeveria ka menduar ta ulë përqindjen e humbjeve në treg janë matësit inteligjentë të energjisë elektrike. Kompania “Deutche Telekom” ka filluar prodhimin e 9.300 matësve inteligjentë, që në bashkëpunim me AMC do të instalohen në zonat më problematike të Shqipërisë në formën e një projekti-pilot. Matësit e energjisë jo vetëm që ndikojnë në uljen e konsumit, por përjashtojnë çdo mundësi të vjedhjes së energjisë, mbifaturimi dhe mosvlerësimi i saktë i matjes nga punonjësi i OSHEE.

Sistemi i ri i matësve inteligjentë mund të kontrollohet direkt në një portal online nga konsumatori për të ditur sesa harxhon energji dhe për të ekonomizuar më mirë shpenzimet për këtë zë. Sipas burimeve nga OSHEE-ja, këto lloj matësish do vendosen në Tiranë në 4 zonat më problematike: Bathore, Paskuqan, Allias dhe Babrru, që kanë krijuar shumë probleme në pagesat e energjisë së konsumuar.

Janë edhe 40 mijë matës inteligjentë të tjerë që do të shpërndahen në gjithë vendin, në zonat më problematike me pagesat e energjisë. Ndërsa deri në vitin 2020 sektori elektro-energjetik do të përfitojë financime në vlerën e 420 milionë dollarëve, sektori i Shpërndarjes mbetet kujdesi kryesor për investime.

Reforma e energjisë për luftën ndaj humbjeve në rrjet jo vetëm që përkthehet në nisma konkrete si këto të mësipërmet duket se Qeveria e ka kopsitur edhe me anë të financimeve të institucioneve të huaja financiare si dhe ndihmën e kompanive vendase dhe të huaja. Por a është kjo zgjidhja më e mirë dhe efektive për rastin e Shqipërisë? Cilat kanë qenë eksperiencat e shqyrtuara prej të cilave u përzgjodh kjo metodë? Sa do të jetë kostoja jo vetëm financiare por edhe e jo financiare e këtij skenari? Pushteti i kontrollit të shifrave të konsumit i mbetet sërish kompanisë shpërndarëse dhe konsumatori kthehet ne një lexues dhe jo i angazhuar në monitorimin e konsumit të tij.

Dhe së fundmi, në rast se bazohemi në informacionin e dhënë mbi këta matës inteligjentë, se konsumi mund të kontrollohet nga përdoruesi online, a do te thotë kjo se qeveria ka ofruar internet falas në çdo shtëpi nga ku konsumatorët monitorojnë energjinë?

Pyetjet e mësipërme shtrihen në rrafshin e konsumatorit familjar, i cili është akoma më i ndjeshëm ndaj luhatjeve të tilla, por këtu të mos harrojmë bizneset të cilat po përdoren në këtë projekt pilot pavarësisht dëshirës së tyre, kjo në mungesë të një zgjedhjeje tjetër detyrohen të jenë “kavjet” ku shumë shpejt do të kuptojmë se sa rezultativ është ky instrument i ri inteligjent.

 

Investitorët

Në takimet e tij me investitorë turq dhe italianë ministri Gjiknuri nuk ka hezituar të reklamojë Shqipërinë si një investim potencial.

Në një moment kur përmes reformave të kësaj qeverie po tentohet një ndryshim thelbësor në fushën e energjetikës në Shqipëri me qëllim konsolidimin e besimit të investitorëve të huaj.

Ligji i ri për Energjinë Elektrike synon liberalizimin e sektorit të energjisë elektrike, liberalizimin e prodhimit, fillimin e liberalizimit të shpërndarjes dhe kuptohet, hapjen e mundësive më të mëdha për investime në këtë drejtim. “Një hapje” e tillë e një tregu që stimulon konkurrencën e lirë, ndërmarrë nga një qeveri e majtë mund të jetë një indikator, i cili duhet mbajtur në monitorim nga njëra anë, por nga ana tjetër mundësia për të kapur në kohë këtë ofertë për investitorët e huaj duket paksa çoroditëse.

Disiplina e re financiare, të cilën e reklamon ministri Gjiknuri është një stimul më shumë për investitorët por me një humbje prej 37% në rrjet pavarësisht masave dhe planeve që ende janë në fazat e para, ky stimul mbetet me një hije dyshimi nga pas.

Vendosja e marrëdhënieve energjetike me tregjet e Kosovës dhe Maqedoninë është një plus që pa dyshim shihet me miklim nga investitorët megjithëse situatat politike në këto vende nuk janë fort të qëndrueshme dhe aq më tepër që Shqipëria riskun më të madh ka motin.

Por diversifikimi i portofolit të energjisë duke u bërë pjesë e projektit të gazsjellësit Trans-Adriatik po krijon mundësi edhe për përdorimin e gazit në Shqipëri. Një momentum i tillë nuk është për t’u humbur pavarësisht se rregullat se si do të funksionojë ky treg i ri nuk duken në horizont. Duke u përpjekur që qeveria të garantojë lehtësirat për realizmin e TAP si dhe rolin e Shqipërisë në këtë projekt horizonti i tregut të ri mbetet një sfidë e qeverisë në lidhje me aktorët dhe rregullat e lojës.

 

Qeveria rishikon në ulje rritjen ekonomike

Ministri i Financave Shkëlqim Cani deklaroi dje, gjatë konferencës së shtypit të përbashkët me FMN, në kuadër të përfundimit të Misionit të këtij të fundit në Shqipëri, se rritja ekonomike këtë vit do të jetë më pak se parashikimi fillestar 3%.

“Ne kemi menduar rreth 2.7 për qind, efekt dha ulja e çmimeve të naftës dhe mineraleve”, – deklaroi ai. Ministri vijoi duke thënë se ekonomia në pjesën e parë të këtij viti hasi në vështirësi, një shkak ishte nga reshjet e pranverës dhe performanca jo e mirë e bujqësisë.

Në përgjithësi qeveria i ka përmbushur objektivat e programit, por ka një mosarritje te të ardhurave buxhetore sipas planifikimit, tha, nga ana e tij, në këtë konferencë, shefi i Misionit të FMN, Nadim Ilahi, në përmbyllje të rishikimit të pestë të marrëveshjes trevjeçare me Shqipërinë. Ai i lidhi shkaqet e rënies se të ardhurave me rënien e çmimeve të naftës dhe disa problematika ne administrimin tatimor, të cilat, sipas FMN-së, duan trajtim të posaçëm. Ai tha se në këtë situatë, për të ulur borxhin publik do të duhet një konsolidim i mëtejshëm fiskal edhe më 2016, por Ilahi pohoi se ndërhyrjet janë duke u studiuar.

Ai vërejti se kreditimi bankar vijon gjithnjë të mbetet i ulët, kryesisht për shkak të nivelit të lartë të kredive me probleme.

 

Eksportet

Në fillim të qershorit, në një fjalim në parlamentin shqiptar, ministri i Ekonomisë do të paralajmëronte për një rritje spektakolare të eksporteve prej 11.9%, për pesëmujorin e parë të vitit. Kjo rritje në fakt dukej tepër e vështirë për t’u arritur, duke pasur parasysh se për katër mujorin, eksportet në total kishin shënuar një rënie më bazë vjetore prej 4%.

Në fakt edhe në dhënat e pesëmujorit, publikuar dje nga INSTAT flasin për vazhdimin e rënies së eksporteve, larg rritjes spektakolare të pretenduar nga institucionet qeveritare. Edhe maji vijoi me tendencën rënëse, me eksportet që u tkurrën me 4.8%.

Sipas INSTAT-it, për periudhën janar-maj, totali i eksporteve arriti në 103.2 miliardë lekë, duke shënuar një rënie prej 4.1% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndikimin kryesor në këtë rënie e ka dhënë grupi “minerale, lëndë djegëse, energji”, ndërkohë që me rënie të lehtë kanë vijuar të kenë dhe “tekstilet e këpucët”, “prodhime druri dhe letre” dhe “lëkurë e artikujt prej tyre”. Tre grupet e vetme që po vijojnë të mbahen janë” material ndërtimi dhe metale” dhe “makineri dhe pjesë këmbimi” dhe “ushqime, pije e duhan”.

Eksportet e mineraleve e lëndëve djegëse ranë me 24% për tremujorin në 29.3 miliardë lekë. Bankers Petroleum, eksportuesi më i madh në vend, pohon se eksportet në sasi kanë qenë në rritje, por në vlerë janë më të ulëta për shkak të çmimit të ulët. Ritmet e rënies së këtij grupi janë ngadalësuar, ndërsa pritet të përmirësohen më tej në muajt në vijim, për shkak se Bankers do të shtojë eksportet përballë problemeve financiare të kompanisë ARMO (në muajt e parë të vitit, gati 40% të prodhimit Bankers e ka shitur në tregun e brendshëm tek kompania përpunuese ARMO). Edhe energjia ka dhënë ndikimin e vet, për shkak të eksporteve më të ulëta si rrjedhojë e motit të pafavorshëm, ndërkohë që prodhimi vendas ka qenë i lartë. E vetmja që raporton ecuri të mirë është kompania prodhuese dhe përpunuese e kromit AlbChrome, që po i gëzohet rritjes së dollarit, monedhë me të cilën i kryen eksportet.

Eksportet e tekstileve e këpucëve kanë ngadalësuar tendencën rënëse, duke u reduktuar 0.6% për pesë mujorin nga 2% që ishte tkurrja për 4 mujorin, pas rikuperimit të lehtë në maj. Vitin e kaluar, kjo industri u zgjerua me rreth 25%, duke dhënë ndikimin kryesor në rritje në 2014-n. Asipas aktorëve të tregut, industria, që ka si avantazh kryesor koston e lirë të fuqisë punëtore, po bëhet më pak konkurruese për shkak të rritjes së kostos së punës (energjia, shtimi i taksave etj), që po largojnë partnerët italianë.

Grupi i materialeve të ndërtimit dhe metaleve, vijon performancën pozitive, duke u rritur me që është zgjeruar me 11%, në gati17 miliardë lekë, kryesisht si rrjedhojë e performancës së mirë të gizës dhe çelikut. Megjithatë ky grup ka rënë me gati 18% në maj, si rrjedhojë e mbylljes së aktivitetit të Kurum nga autoritetet mjedisore.

Një tjetër grup që po shënon revolucion këtë vit është ai i makinerive, pajisjeve dhe pjesëve të këmbimit, që është rritur me 60% në 5.6 miliardë lekë, si rrjedhojë e gjallërimit të kompanive të fasonit industrial (pjesëve elektrike), duke shënuar rritjen më të lartë në vlerë absolute nga të gjitha grupet. Megjithatë edhe ky grup ka ngadalësuar ritmet e rritjes për pesëmujorin (për katërmujorin zgjerimi ishte 74%).

Performancë të mirë kanë shënuar dhe eksportet e ushqimeve pijeve dhe duhan, që u rritën me 21.4% për pesëmujorin, duke përshpejtuar ritmet në maj, pasi bujqësia e mori veten nga përmbytjet e shkurtit.

Sipas grupmallrave, tekstilet dhe këpucët janë grupi më i eksportuar me 35%, minerale lëndë djegëse dhe energji me 28%, material ndërtimi dhe metale me 16% dhe grupet e tjera luhaten në 3-7%.

 

3 korrik, nisin punimet paraprake për gazsjellësin TAP

Trans Adriatic Pipeline, në kuadër të nisjes së rehabilitimit të rrugëve dhe nisjes së punimeve të para për të realizuar nisjen e ndërtimit të tubacioneve kryesore të gazit, organizohet me datë 3 korrik ceremonia e inaugurimit të këtyre punimeve. Ky inaugurim vjen pas disa hapash, fillimisht me ftesën për kompanitë e interesuara të para kualifikohen për ndërtimin e Terminalit Pritës të Gazsjellësit (PRT) muajin e shkuar, si dhe miratimin e instalimit të tubacionit tokësor në Itali, firmosur nga qeveria italiane.

Trans Adriatic Pipeline AG (TAP) përzgjodhi më herët në vendin tonë një sipërmarrje të përbashkët formuar si konsorcium nga Gener 2 sh.p.k dhe Sicilsaldo s.p.a për ndërtimin dhe rehabilitimin e rrugëve ndihmëse dhe urave në Shqipëri. Ky vendim përmbyll procesin e para-kualifikimit të TAP (nisur në prill të vitit 2014), i ndjekur nga vlerësimet e ofertave nga kompanitë e shortlist-uara të cilat përmbushën kriteret rigoroze të para-kualifikimit.

Ndërtimi i rrugëve ndihmëse dhe urave në Shqipëri është një hap vendimtar në përgatitjet e TAP-it për ndërtimin e tubacionit, i parashikuar për të filluar në vitin 2016, por se pas dy ditësh në Çorovodë do të bëhet inaugurimi i fillimit të punimeve.

Projekti i Trans Adriatic Pipeline, i njohur ndryshe me TAP, është më i madhi i projektuar, për të transportuar gaz nga rajoni i Kaspikut përmes Greqisë, Shqipërisë dhe detit Adriatik në Italinë e Jugut dhe më tej në Evropën Perëndimore. TAP do të jetë 10 miliardë metra kub në vit, duke pritur të zgjerohet në 20 miliardë metra kub në vit. Gjatësia totale e tubacionit është rreth 870 kilometra.

 

Ulen ritmet e disbursimit të fondeve për borxhin e vjetër

Ritmi i disbursimeve të detyrimeve të prapambetura do të bjerë për pjesën e mbetur të vitit, për shkak se qeveria ka alokuar deri në fund të qershorit rreth 75 për qind e të fondit prej 20 miliardë lekësh të planifikuar për këtë vit. Në kuadër të strategjisë, deri më datë 10 qershor 2015, ministria e Financave ka alokuar në total rreth 14.62 miliardë lekë detyrime të prapambetura, ku për investimet publike u disbursuan 5.8 miliardë lekë, për shpenzimet korente për mallra dhe shërbime, janë alokuar rreth 0.3 miliard lekë, për rimbursim TVSH-je janë alokuar rreth 4.7 miliardë lekë. Rreth 3.8 miliardë lekë janë alokuar për detyrimet “Vendimet gjyqësore”, në disfavor të shtetit, 1.6 miliardë lekë janë alokuar për “Shpronësimet” dhe rreth 1 miliard lekë për “Emergjencat dhe shpërblimet për lindjet”.

Por krahas shlyerjes së detyrimeve të prapambetura, qeveria ka shtrënguar standardet për frenimin e krijimit të detyrimeve të reja. Që nga janari 2014, të gjithë urdhrat e prokurimit për mallrat, shërbimet dhe investimet e nxjerra gjatë vitit, përveç blerjeve emergjente me vlerë nën 10,000 lekë, duhet t’u përmbahen regjistrit të prokurimeve të dorëzuar në thesar dhe do të vulosen nga dega e thesarit të rrethit nëse ka fonde buxhetore në dispozicion të institucionit, përpara procedimit sipas rregullave të prokurimit publik.

Për mallrat, shërbimet, për të cilat ka nisur procesi i tenderimit përpara hyrjes në fuqi të strategjisë, do të paraqitet kontrata në degën e thesarit, për t’u kontrolluar kundrejt fondeve disponibël.

 

Sigurimet, rritet pagesa e dëmeve

Në gjashtë muajt e parë të vitit sigurimet e Jetës zunë vetëm 7.4%, duke e bërë peshën e tyre pothujase të pandjeshme në treg. Të dhënat e fundit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se ku treg për periudhën janar – qershor 2015 erdhën në rënie me rreth 15.5%, duke kapur në total shifrën e rreth 385 milionë lekëve.

Por nuk kanë ndjekur këtë trend negativ pagesat e dëmeve, që sipas të dhënave të AMF-së për periudhën 6-mujore të këtij viti krahasuar me janar-qershor 2015 u rrit me rreth 188% duke arritur në vlerën e rreth 109 milionë lekëve.

Rikuperimi i lehtë i kreditimit nga ana e bankave ka bërë që klasa më e rëndësishme e tregut të Jetës, siç është Jetë Debitori të rritet me rreth 6%. Rritje kanë pasur edhe primet e “Jeta dhe shëndeti në udhëtim” me rreth 12.4%.

Sa i përket sjelljes së tri shoqërive që veprojnë në këtë treg primet e shkruara bruto të tyre shënuan rënie të ndjeshme, ku bie në sy rënia me rreth 58.3% e kompanisë me kapital shtetëror INSIG. Kjo rënie ndikoi në humbjen ndjeshëm të terrenit në treg. Në periudhën janar – qershor 2015, INSIG zinte në treg rreth 7% nga rreth 14% që zinte një vit më parë.

 

Share it :