Rusia nuk është armik i Shqipërisë, por Rusia ka një strategji të qartë për të rritur ndikimin e saj në Ballkan. Kështu shprehet Kryeministri, Edi Rama i cili thotë se drejtimi Perëndimor i Shqipërisë nuk e pengon që të ketë dialog me Rusinë. “Rusët nuk janë antishqiptarë. S’kanë asnjë lidhje me ndonjë vokacion antishqiptar”, tha Rama.
“Është e qartë që Rusia ka një strategji për të qenë më influente në rajonin tonë dhe nëse do të bëja një krahasim do të thoja që në anën e BE ka luhatje të qarta për zgjerimin, ndërsa në anën e Rusisë strategjia është e qartë e dukshme e prekshme dhe pa luhatje. Strategjia e Rusisë është koherente dhe këmbëngulëse në çdo veprim dhe kjo duket qartë edhe në Ballkan.” I pyetur nëse do ta takonte Presidenti rus, Vladimir Putin, Rama u përgjigj se nuk do të nguronte. “Nuk ka qenë asnjëherë në rendin e ditës një gjë e tillë, por nëse do të vendosej, nuk do të kisha asnjë ngurrim që ta takoja”, u shpreh Rama.
Integrimin nuk po bllokohet nga Evropa, por nga ana e opozitës
Kryeministri, Edi Rama në një intervistë për “Top Story” në Top Channel deklaroi se Shqipëria nuk mund t’i kërkojë BEsë që të zhbllokojë integrimin në një kohë kur ky proces po bllokohet nga brenda vendit. Rama iu referua këtu dërgimit në Gjykatën Kushtetuese të ligjit të Vettingut, që është një nga kushtet kryesore për hapjen e negociatave me BEnë. Kreu i qeverisë tha se çështjet e tjera nuk janë kushte por kritere që Shqipëria duhet t’i plotësojë gjatë rrugës. “Të gjitha të tjerat që kanë të bëjnë me 5 prioritet janë kritere që do t’i kemi në tavolinë jo deri kur të hapen negociatat por deri kur të anëtarësohemi në BE. Këto nuk janë kushte, janë aty dhe do të jetën aty’, u shpreh Rama. Ai theksoi më tej se nëse do të kishte nisur zbatimi i reformës së drejtësisë për pastrimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar, Shqipëria do të kishte tashmë një datë për hapjen e negociatave.




