Pse është i nevojshëm ndryshimi?

Përktheu: Franko Egro

Media

Instituti Shqiptar i MediasDuke marrë shkas nga një botim i Institutit Shqiptar të Medias, “Gazetaria dhe jeta publike”, sjellim në fragmentin e mëposhtëm sfidat se përse dhënia e lajmit nuk është e mjaftueshme, duke vënë përballë realitetin tonë, një realitet po kaq në thelb të përbashkët me jetën amerikane, kur raportet vihen mes demokracisë, politikës dhe rolit të gazetarit, të cilat kalojnë në sfidat e fundshekullit të 20-të dhe fillimshekullit 21, sfidë kjo edhe me botën e internetit. Realiteti: gazetaria është mbledhur në problemet e veta dhe individët janë izoluar në shqetësimet e tyre personale, pa marrë pjesë në jetën publike. Ky libër hyn në serinë e LEA-s mbi komunikimin dhe ka për autor Deivis “Baz” Merit

 

Roli i gazetarisë në demokraci

Po e filloj me tezën se jeta publike, pra mënyra se si shprehet dhe përjetohet demokracia jonë, nuk na shkon përshtat. Politika jonë zyrtare, e cila përbën vetëm një aspekt të jetës publike, është e kalbur dhe aspak rezultative. Shumë amerikanë mendojnë se ajo është tejet e shkëputur nga jeta e tyre e përditshme dhe se tashmë është monopolizuar armiqësisht prej një grupi me interesa të veçanta dhe politikanësh profesionistë. Pjesa tjetër e jetës publike, etika jonë qytetare, është tejet e kufizuar, në një kohë kur amerikanët e kanë izoluar vetveten brenda mureve të halleve dhe shqetësimeve të tyre të ngushta dhe kërkojnë shpëtim e ngushëllim te komunitetet dhe aktivitetet e mbyllura.

Hendeku midis qytetarit dhe qeverisë është thelluar. Qytetarët nuk u besojnë më qeverive të tyre, kur bëhet fjalë për trajtimin e çështjeve të rëndësishme dhe njëkohësisht ata janë shumë më pak të angazhuar, pasi gjenden nën trysninë e problemeve personale, të cilat duhet t’i zgjidhin vetë.

Ndërkohë, lista e gjatë dëshpëruese e problemeve të shumta kombëtare, si për shembull krimi, prapambetja e sistemit arsimor, kriza familjare dhe çështjet e mjedisit, vazhdon të shtohet dhe jo të pakësohet. Diskutimet lidhur me gjetjen e rrugëzgjidhjeve degjenerojnë në ballafaqime thirrjesh përgjatë një hendeku ideologjik, të cilat janë debate false, të stisura prej politikanëve dhe të përsëritura prej gazetarëve. Pamje të tilla të rreme u ngjallin pak shpresa qytetarëve për zgjidhjen e problemeve të tyre, dhe më keq akoma, thuajse krijon përshtypjen se shumë pak gjëra të mira mund të ndodhin. Kjo ndodh sepse mënyra e zgjidhjes së çështjeve i pozicionon disa qytetare në njërin cep të polit apo në tjetrin, ndërkohë që i bind të tjerët, se ata dhe pikëpamjet e tyre më të moderuara nuk janë dhe nuk mund të jenë pjesë e debatit. Në çdolloj mënyre, arsyetimi i vërtetë që mund të çojë në marrëveshje për çështje të rëndësishme, është i pamundur; kështu që problemet vazhdojnë të ekzistojnë vit pas viti dhe dekadë pas dekade. Si përfundim, në vitet 1980, shumica e amerikanëve u shprehën qartë se fëmijët e tyre do të trashëgonin një shoqëri më pak të përshtatshme për të jetuar, më shumë të rrezikshme dhe që ofronte më pak mundësi sesa kishin ata vetë. Ishte ky një gjykim negativ i paprecedent, jashtëzakonisht më i thellë dhe më shkatërrimtar sesa një pesimizëm i thjeshtë.

Gjithashtu nuk ishte aspak rastësi, që për herë të parë qysh prej vitit 1924, vetëm gjysma e votuesve që ishin regjistruar në të gjithë vendin denjuan të votonin në zgjedhjet presidenciale në 1988 dhe në 1996 kjo shifër tragjike ra nën masën 50 përqind. Për më tepër, në 1994, Qendra e Taims – Mirrer (Pasqyra e Kohës) për Popullin dhe Shtypin njoftoi se 71% e amerikaneve ishin dakord me shprehjen se, “Media e lajmeve e pengon shoqërinë të zgjidhë problemet e veta”. Vetëm 25% e tyre mendonin se media e lajmeve “e ndihmon shoqërinë të zgjidhë problemet e veta” (f. 178). Është vërejtur se ekonomia përbënte vetëm një pjesë të shqetësimit të qytetarëve për të ardhmen, ndërsa forca të tjera gërryese punonin në mendjen dhe shpirtin e qytetarëve. Komentatorë të ndryshëm e diagnostikuan rrëshqitjen drejt greminës prej këndvështrimit të tyre, përfshirë këtu një dobësim të vlerave fetare dhe morale; punën e qeverisë; ristrukturimin e jetës tradicionale familjare; shpërbërjen e komunitetit të shkaktuar prej miopisë së rënies së individit; jeni; marka gjermane; madje edhe luhatjet e një komete të ngurtë, ende të paparë, që uturin me shpejtësi drejt tokës.

Çdonjëra prej dhjetëra e qindra teorive është po aq kuptimplote sa edhe tjetra, pasi secila prej tyre përfundon në trajtimin e një problemi shumëdimensional: Jeta publike – demokracia – nuk po e përmbush premtimin e saj historik.

Ashtu si edhe amerikanë të tjerë, gazetarët seriozë janë të shqetësuar. Shume prej atyre që filluan të merren me gazetarinë e shkruar në mesin e shekullit të 20-të dhe pjesa më e madhe e atyre që i pasuan ata, kishin një vizion të përbashkët. Gazetaria, sipas mendimit tonë, kishte vlerë; ajo ishte pjesë përbërëse e një procesi demokratik dhe kishte një synim. Kjo rëndësi e jashtëzakonshme e bëri të vlefshëm dhe kuptimplote një profesion të paguar pak.

Megjithatë, në vitin 1993, një ndër pesë gazetarët aktive i tha një shoqërie anketimi se do ta braktiste profesionin brenda pesë viteve të ardhshme, një numër ky dy herë më i madh sesa ai i viteve 1982 dhe 1983 (Weaver & Wilhoit, 1992). Këto shifra dokumentojnë një rritje të ndjeshme të pakënaqësisë që ofron kjo punë. Gazetaria, thanë një pjesë e të anketuarve, nuk do të këtë vlerë të mjaftueshme në të ardhmen. Rëndësia e saj thelbësore ka shteruar dhe qëllimi i punës ka humbur, duke e shndërruar atë thjesht në një biznes letrar dhe vizual që ekziston mes shumë të tjerësh.

Një pjesë e këtij zhgënjimi buron prej gjendjes në të cilën ndodhet gazetaria dhe strukturat ekonomike që e mbështesin atë. Në bazë të çdo lloj matjeje, produkti gazetaresk – gazetat, lajmet në media, revistat – nuk është i besueshëm, po ashtu të tilla janë edhe motivet tona. Baza ekonomike, që është kryesisht reklama, si edhe strukturat e biznesit që e mbështesin gazetarinë, po përpëliten përballë zgjerimit të shpejtë të konkurrencës.

Nuk është aspak rastësi që rënia e interesit për gazetarinë dhe jetën publike kanë ndodhur në të njëjtën kohë. Në shoqërinë moderne ato janë të ndërvarura: Jeta publike e ka të nevojshme informacionin dhe perspektiven që mund të ofrojë gazetaria dhe gazetaria nga ana e saj ka nevojë për një jetë aktive publike, sepse pa të ajo nuk do të ishte e nevojshme.

Kështu pra, gazetaria dhe njerëzit në terren po ballafaqohen me një sfidë. Në rast se ne dëshirojmë që ta lëmë vendin në një gjendje më të mirë sesa e gjetëm dhe të sigurojmë njëkohësisht të ardhmen e profesionit tonë, duhen bërë shumë ndryshime. Ky libër mbi gazetarinë dhe demokracinë sugjeron një pikënisje të zgjidhjes së problemit.

Parimet e mia dua t’i bëj të kuptueshme qysh në fillim. Unë jam i mendimit se:

  • Gazetaria, në të gjitha format e saj, po i shpërfill detyrimet e veta ndaj një jete publike të efektshme.
  • Ky dështim ka kontribuar shumë në gjendjen e keqe aktuale, në të cilën ndodhet jeta publike.
  • Gazetaria duhet dhe mund të jetë, një forcë kryesore në rigjallërimin e jetës publike.

Megjithatë, që të ndodhë një gjë e tillë, është e rëndësishme të realizohen ndryshime radikale në këtë profesion dhe ato duhet të jenë të natyrës kulturore dhe të përgjithshme.

Unë nuk dua të them se vetëm gazetarët mund apo duhet të jenë forca kryesore lëvizëse në këtë drejtim, ashtu siç nuk ishim në të vetmit protagoniste të rënies. Njerëzit në përgjithësi dhe politikanët në veçanti ishin bashkë protagonistë kryesorë. Unë gjithashtu nuk dua të sugjeroj aspak se duhet të braktiset pjesa më e madhe e praktikës ekzistuese gazetareske. Praktikat tona demokratike me tepër se të gabuara nuk janë efikase. Mbulimi i ngjarjeve, sqarimi i tyre dhe analiza e lajmeve janë disa funksione të rëndësishme; megjithatë ato nuk janë të vetmet ose më të rëndësishmet.

Gazetaria përmban, të paktën për momentin, fuqinë e kultivimit ose të vyshkjes të një jetë të shëndetshme publike. Pa ndryshime rrënjësore brenda profesionit, procesi i vyshkjes do të vazhdojë në të ardhmen.

Ekziston pa dyshim edhe një alternative tjetër e mundshme. Duke mbetur në gjendjen aktuale të paefektshmërisë dhe të të qenët e kufizuar, gazetaria do ta bëjë veten tërësisht të panevojshme. Një shoqëri që e konsideron gazetarinë vetëm si një mekanizëm të parëndësishëm irritues, apo si një barrë negative dhe jo si një protagonist të interesuar, do të kërkojë diku tjetër për të gjetur forma për të siguruar informacionin e nevojshëm, për vazhdimin e jetës së saj.

Informacioni nga bota elektronike e internetit (Superhighway) e sugjeron fare qartë një mundësi të tillë, edhe atëherë kur u ofron gazetarëve një mundësi për të rivendosur rëndësinë thelbësore të profesionit dhe autoritetin, që duhet të ketë kontributi i tyre në jetën publike.

Për ta bërë një gjë të tillë, ne duhet t’i qartësojmë vlerat tona, të kuptojmë kuadrin e vërtetë të punës tonë dhe të fillojmë ta shohim ndryshe vetveten. Ky libër pra përpiqet që të ofrojë një ripërcaktim të gazetarisë.

Unë sugjeroj rigjallërimin e jetës publike, si një objektiv të gjerë për gazetarinë dhe gazetarët. Pavarësisht prej moralit individual, përpjekjeve të qeverisë, strukturës së familjes, rritjes apo rënies se jenit japonez, apo të markës gjermane ose itinerarit të një komete kërcënuese – në rast se jeta publike nuk zhvillohet siç duhet, në rast se komunitetet nuk do të mund të bashkëpunojnë dhe madje në mënyrë efikase për të zgjidhur problemet e tyre, atëherë frika e amerikanëve lidhur me të ardhmen është e sigurtë se do të materializohet. Dhe pavarësisht prej asaj që ne bëjmë si gazetarë, në rast se njerëzit nuk i kushtojnë vëmendje jetës publike dhe në rast se ata vazhdojnë të tërhiqen e të mbyllen në guaskën e shqetësimeve të tyre personale, ata nuk do të kenë më nevojë, në të ardhmen, për gazetarët apo gazetarinë.

Në të kundërtën, ne mund të ndihmojmë në rigjallërimin e jetës publike dhe të rivendosim rëndësinë thelbësore të profesionit tonë, duke u shndërruar në pjesëmarrës të drejtpërdrejtë dhe të vëmendshëm të jetës publike dhe të mos mbetemi vëzhgues të shkëputur të realitetit. (Pjesëmarrës të drejtpërdrejtë dhe të vëmendshëm nuk do të thotë angazhim total në çështjet që ne mbulojmë.

Ky është një koncept shumë më i kufizuar, dhe trajtohet në mënyrë më të hollësishme në kapitullin 8).

Unë nuk propozoj ndonjë formulë dhe në rast se ekziston një e tillë, atëherë ajo nuk është zbuluar ende. Duke u bazuar në tendencat e fundit të gazetarisë, ne duhet të jemi tepër skeptike lidhur me zgjidhjet e çastit, të cilat nuk përmbajnë ndryshime rrënjësore. Për këtë arsye ky nuk është një manual që diskuton rrugën sesi, ai ndalet tek pse-ja. Unë përpiqem të imagjinoj një gazetari, e cila është e shtrirë, një të tillë, e cila ka qëllime përtej thjesht dhënies së lajmit, dhe një auditor qime zgjuarsi e përdor një produkt të rigjallëruar gazetaresk për të ndihmuar në mbarëvajtjen e jetës publike. Se si mund të konkretizohet një ide e tillë kjo varet nga guximi dhe imagjinata e mendjeve tepër të larmishme dhe jashtëzakonisht të pavarura, që e kanë zgjedhur gazetarinë si profesionin e tyre.

Gazetaria dhe jeta publike nuk arritën ashtu menjëherë në gjendjen e tyre të ulët, në të cilën ndodhen aktualisht dhe ato nuk do t’a marrin veten shpejt.

 

Share it :