Prokurori/ Agjenti i infiltruar zbuloi rrjetin e trafikut të klandestinëve në SHBA

 Anxhela Tato

harta e trafikut te klandestineve Shqiptarët pajiseshin me pasaportë false bullgare dhe përfundonin në kampet e refugjatëve

Mekanizmi, fluturimi Bullgari-Spanjë-Kosta Rika dhe udhëtimi me autobus Guatemal-Meksikë, kufiri kalohej në këmbë

Zbardhen detaje për mekanizmin e kalimit të shtetasve shqiptar në SHBA. Mjaftonte pajisja me një pasaportë false bullgare, e cila mundësonte një kalim më të lehtë në shtetet e tjera. Pasaportat shqiptare shfrytëzoheshin deri në Bullgari ose Itali, më pas me një identitet të ri klandestinet fluturonin drejt Spanjës. Që andej shfrytëzonin linjën ajrore drejt Kosta Rikës ose Hondurasit për të shkuar me autobus në Guatemala dhe më pas në Meksikë. Kufiri për në SHBA kalohej në këmbë. Në rastet kur ata arrestoheshin nga policia kufitare e Texsasit, shqiptarët që jetonin në Amerikë dhe që ishin pjesë e rrjetit i tërhiqnin ata nga kampet e klandestinëve duke paguar një shumë të caktuar në formë garancie. Në momentin që shqiptarët dilnin nga kampet, të afërmit e tyre në Shqipëri ose në Amerikë paguanin tarifën nga 15 deri 25 mijë dollarë amerikanë për të gjithë këtë rrugëtim që zgjaste deri në 25 ditë. Autoritet amerikane në dy vitet e fundit, kanë arrestuar në kufirin mes Meksikës dhe Amerikës, 551 shqiptarë. Rrjeti u zbulua falë një agjenti të infiltruar dhe bashkëpunimit me FBI-në amerikane (Byron Federale Amerikane). Ky fakt konfirmohet nga burimet zyrtare pranë Prokurorisë së Përgjithshme. Organizatorët e këtij rrjeti janë të arrestuarit Fatos Fasko dhe shtetasi shqiptaro-maqedonas Nezir Pervizi. Në momentin e arrestimit, dy organizatorët po merrnin paratë e shtetasve shqiptare që kishin arritur në SHBA dhe gjatë kontrollit fizik atyre iu gjetën 90 mijë dollarë amerikane dhe 7 mijë euro.

 

Hetimet

Prokuroria për Krime të Rënda ka regjistruar procedimin penal nr. 49 për veprën penale të “Dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve” më shumë se një herë dhe “Grup i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 298/3, 28/4 dhe 333/a të Kodit Penal. Në kuadër të këtij procedimi janë autorizuar përgjime telefonike të personave të dyshuar me qëllim zbulimin e aktivitetit kriminal dhe identifikimin e autorëve të veprës penale. Nga përdorimi i mjeteve speciale të hetimit, rezulton se shtetasit Fatmir Bakalli, Nezir Pervizi (shtetas maqedonas), Fatos alias Dashnor Fasko, Enver Karaj, Pashko Nilaj, Prel Nicaj, Ali Metvelaj, Lek Nicaj, Gjergj Martinaj, Fatmir Flaga, Nikoll Kolaj, Filip Kërtunga, Zaim Hysenbelliu, Gëzim Tafaj, Durim Koxha, Alfred Myrtaj organizojnë dhe ndërmjetësojnë kryerjen e veprës penale. Këta shtetas kontaktojnë me personat e interesuar për të shkuar në SHBA dhe në bashkëpunim me persona të tjerë organizojnë kalimin e tyre në linja të ndryshme kryesisht Itali-Spanjë- Meksikë-SHBA si dhe linja Bullgari- Spanjë-Kosta Rika-Guatemalë- Meksikë- SHBA. Pagesat që përfitojnë nga çdo person që nisin varion në shumën 20.000 $ deri në 24.000$.

 

Roli i kreut të grupit

Dyshohet se shtetasi maqedonas Nertil Pervizi vinte kontaktet me persona të tjerë në Bullgari, të cilët ndihmonin për kalimin e shtetasve në Spanjë nga ku më pas i ndihmonin për të kaluar në kufirin për në Meksikë. Dyshohet se ky shtetas ka bashkëpunuar me shtetas të tjerë maqedonas në drejtim edhe të falsifikimit të pasaportave, kryesisht bullgare, që përdoreshin nga personat për të lëvizur lirshëm në vendet e BE-së me destinacion SHBA. Përveç kësaj linje, personat e dyshuar ndihmonin për të kaluar shtetasit edhe në Angli. Shtetasit Fatmir Flaga dhe Alfred Myrtaj ushtrojnë aktivitetin kriminal në drejtim të falsifikimit të dokumenteve të ndryshme, pasaporta, karta identiteti, patenta dhe çfarë do lloj dokumenti që iu duhej klientëve të tyre në vendet për ku aplikonin. Sipas burimeve të organit të akuzës, ka rezultuar se shtetasit, të cilët janë dërguar në Amerikë rezultojnë të jenë banorë të qarkut të Shkodrës dhe Malësisë së Madhe, si dhe me një të përbashkët midis tyre, pasi në Amerikë të gjithë shtetasit që emigruan kundrejt pagesave deri në 20 mijë dollarë kishin një të afërm apo person me lidhje gjaku. Ky element sipas Prokurorisë është përdorur nga trafikantët për të humbur gjurmë, me qëllim kalimin e shqiptarëve nga kufiri tokësor Meksikë-Amerikë.

 

Mat/ Vjedhje dhe falsifikim me prokurorime, prokuroria kërkon 4 vjet për kryekomunarin Lutfi Çeka

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Mat kërkon dënimin për dy kryetarë komunash dhe dy zyrtarë të tjerë, të akuzuar për “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën” dhe “Falsifikim dokumentesh”. Akuza ka kërkuar dënimin me 4 vjet heqje lirie për Kryetarin e Komunës Xibër, Lutfi Çeka; 3 vjet heqje lirie për Kryetarin e komunës Rukaj, Hamit Xhakrosa; 5 vjet burgim për Përgjegjësin e sektorit të Financës të komunës Rukaj, Gani Ruka dhe 3 vjet për Përgjegjësin e sektorit të Financës së komunës Baz, Hajredin Bardhi. Gjatë kohës që i pandehuri Lutfi Çeka, ka kryer detyrën e kryetarit të Komunës Gurrë, që i përket periudhës Korrik 2011 e deri në qershor të vitit 2012,  me cilësinë e titullarit të Autoritetit Kontraktor ka nxjerr urdhra për prokurimin, mallra dhe shërbime të ndryshme, me procedurën e blerjeve me vlera të vogla. Nga praktikat e prokurimit në fjalë rezulton se fitues është shpallur subjekti fizik me emrin tregtar Yllka Selita, administratore e së cilës është po Yllka Selita. Gjatë gjykimit të kësaj çështjeje penale ka dalë e provuar se në të gjitha rastet e prokuruara, ku fitues është shpallur subjekti Yllka Selita, procedurat që janë ndjekur në këto raste kanë qenë fiktive. Kjo për faktin se qëllimi në këto raste ka qenë kriminal, për të përvetësuar fondet në fjalë, pasi subjekti Yllka Selita, nuk ka marrë pjesë në këto prokurime dhe nuk ka kryer punë apo ofruar ndonjë shërbim. Ka rezultuar se pasi i pandehuri Lutfi Çeka, ka nxjerr urdhrat e prokurimeve për rastet e sipërpërmendura, nga ana e Komisionit të ngritur po nga i pandehuri, duhej që të bëhej përzgjedhja e firmës fituese, nëpërmjet testimit të tregut. Ne fakt veprimet e bëra nga Komisioni i përbërë nga shefi i financës së Komunës Xibër A. Topalli dhe dy anëtarët e tjerë E. Sulaj dhe G. Kurti kanë rezultuar fiktive.

 

Hetimet

Komisioni në fjalë me dijeninë e të pandehurit jo vetëm që nuk bënte testim tregu ashtu siç kërkohej nga ligji nr. 9643 date 20.11.2006 “Për Prokurimet Publike” i ndryshuar, por  përpilonte dokumentacion sikur ofertat ishin paraqitur nga subjektet që kishin marrë pjesë në prokurim. Ka rezultuar e provuar se në të gjitha rastet ka qenë shtetasi A. Topalli, i cili pasi takonte të pandehurin Dritan Farrici, që ishte prezantuar si përfaqësues i subjektit Yllka Selita, përpilonte dokumentacionin përkatës, së bashku me faturën e thjeshtë tatimore, ku në këto  dokumente thuhej se puna apo shërbimi ishin kryer nga subjekti Yllka Selita. Kjo praktikë menjëherë i vihej në dispozicion të pandehurit Lutfi Çeka, me qëllim që ky i fundit të nënshkruante urdhër-shpenzimet për shumat e prokuruari në llogari të subjektit Yllka Selita, megjithëse kishte dijeni se asnjë nga shërbimet apo punët e përshkruara në këto urdhra shpenzimesh nuk ishin kryer nga subjekti Yllka Selita. Në çdo rast shumat e prokuruari, pasi kalonin nga Dega e Thesarit Mat, xhiroheshin në llogarinë bankare të subjektit Yllka Selita. Pas këtij momenti gjithë shumat e prokuruari tërhiqeshin nga i pandehuri Dritan Farrici. Ky i fundit pasi mbante 10 %  të shumës së prokuruar sipas marrëveshjes që ishte bërë më parë, pjesën tjetër të shumës ia jepte shtetasit A. Topalli. Në të gjitha rastet shtetasi A. Topalli ka tërhequr nga i pandehuri Dritan Farrici 90 % të shumave të parave të prokuruari dhe këto shuma të lekëve ia ka dorëzuar dorazi të pandehurit Lutfi Çeka.

 

Share it :
Mato: Pastrimi i parave në ndërtim po lë të rinjtë pa strehë: Të monitoren transaksionet Në një kohë kur Tirana dhe zonat turistike të Shqipërisë përjetojnë një bum të jashtëzakonshëm ndërtimi, me kulla që ngrihen çdo ditë, një pyetje thelbësore po shqetëson gjithnjë e më shumë publikun: nga vijnë të gjitha këto para? Alarimin e ngriti Fanswa Mato, anëtar i departamentit “Brain Gain” në PD, i cili nga tryeza e diskutimit ‘Qeveria e Pasigurisë – dhe alternativa e opozitës’, denoncoi se pas fasadës së projekteve luksoze fshihet fenomeni i pastrimit të parave, duke e deformuar tregun dhe duke e bërë të pamundur për qytetarët e zakonshëm blerjen e një shtëpie. Mato, një profesionist me përvojë në menaxhimin e ndërtimit në Neë York, thekson paradoksin e hidhur të realitetit shqiptar: ndërsa miliona metra katrorë ndërtohen çdo vit, çmimet e apartamenteve kanë arritur nivele të papërballueshme për familjet mesatare. Fanswa Mato: Përvoja ime personale më ka dhënë mundësi të punoj në një mjedis ku standardet, transparenca dhe rezultatet konkrete janë thelbësore. Pikërisht kjo eksperiencë më motivon të kontribuoj me njohurinë dhe përvojën time për çështjet që lidhen me zhvillimin, mirëqenien dhe të ardhmen e Shqipërisë. Sot dua të flas për një nga problemet më serioze që po dëmton ekonominë shqiptare dhe po rëndon jetën e qytetarëve tanë: pastrimin e parave në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe në ndërtim. Gjatë viteve të fundit kemi parë një bum të jashtëzakonshëm ndërtimesh, sidomos në Tiranë dhe në zonat turistike, ku kulla të reja ngrihen çdo ditë, projekte luksoze shtohen me ritme të shpejta dhe miliona metra katrorë ndërtohen çdo vit. Por pyetja që ushtrojnë shqiptarët është shumë e thjeshtë: nga vijnë të gjitha këto para? Sepse realiteti është ky: ndërsa ndërtohet gjithnjë e më shumë apartamente, qytetarët shqiptarë e kanë gjithnjë e më të vështirë të blejnë një shtëpi. Çmimet janë rritur në nivele të papërballueshme për familjet e zakonshme. Të rinjtë nuk arrijnë të sigurojnë një strehim, ndërsa shumë apartamente mbeten bosh dhe përdoren vetëm si instrumente financiare. Ky është paradoksi i Shqipërisë sot. Në njërën anë kemi një mbingopje me ndërtime, nga ana tjetër kemi mungesë strehimi për qytetarët. Kjo nuk është ekonomi normale tregu. Kjo është pasojë e deformimit të tregut nga paratë informale dhe nga mungesa e kontrollit shtetëror. Sipas të dhënave dhe analizave të institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare, Shqipëria ka pasur për vite me radhë probleme serioze në luftën kundër pastrimit të parave dhe organizata të rëndësishme ndërkombëtare kanë evidentuar dobësi në kontrollin financiar dhe në monitorimin e sektorit të ndërtimit. Gjatë analizës së këtij fenomeni, janë përdorur të dhëna nga institucione si Banka e Shqipërisë, INSTAT, Agjencia e Inteligjencës Financiare dhe FATF. Janë zhvilluar gjithashtu biseda me profesionistë të tregut, agjentë imobiliar, noterë dhe ekspertë financiarë. Të gjitha këto tregojnë se ekziston një shqetësim real për mënyrën se si fondet e dyshimta depërtojnë në ekonominë shqiptare. Mekanizmat janë të ndryshme. Në shumë raste përdoren kompani me burime financiare të paqarta, përdoren pagesa të mëdha kesh, transferta të dyshimta dhe forma të tjera që e bëjnë të vështirë gjurmimin e origjinës së parave. Në disa raste kemi dhe kompani që nuk justifikojnë nivelin e investimeve që realizojnë. Dhe kush e paguan koston e kësaj situate? E paguajnë qytetarët shqiptarë, e paguajnë familjet e reja, e paguajnë bizneset e ndershme, e paguan ekonomia e vendit. Sepse kur paratë e paligjshme futen në treg, konkurrenca bëhet e padrejtë. Çmimet rriten artificialisht, korrupsioni forcohet, besimi tek shteti dobësohet dhe në fund humb qytetari i zakonshëm që punon me ndershmëri. Si opozitë, ne kemi detyrimin moral dhe politik të ngremë zërin për këtë problem. Shqipëria nuk mund të ndërtojë të ardhmen mbi ekonomi informale dhe mbi mungesë transparence. Ne kemi nevojë për institucione të forta, për kontroll real financiar dhe për shtet ligjor funksional. Ne kërkojmë rritje të transparencës në transaksionet e pasurive të paluajtshme, kufizim të pagesave kesh në sektorin e ndërtimit, kontroll më të fortë mbi burimin e fondeve, monitorim më rigoroz të kompanive të ndërtimit, bashkëpunim më të madh mes institucioneve financiare dhe organeve ligjzbatuese. Ky nuk është thjesht një debat politik. Ky është një debat që prek ekonominë e vendit, të ardhmen e të rinjve dhe mundësinë që qytetarët shqiptarë të jetojnë me dinjitet në vendin e tyre.