Sonila Mesareja
Në axhendë edhe propozimet për shkarkimin e pesë gjyqtarëve dhe procedimin e tre të tjerëve. Rrëzohet kërkesa për shkarkimin e Gjin Gjonit, reagimi: Sulmet ndaj meje, presione politike
Mbledhja e djeshme, e paralajmëruar disa ditë më parë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, ka nisur mes debatesh të ashpra mes kreut të këtij Këshilli, Presidentit Bujar Nishani dhe ministrit të Drejtësisë, Nasip Naço. Shkak nuk u bënë kërkesat për procedimin e tetë gjyqtarëve, por diskutimi për projektligjin e propozuar nga ky institucion për kompetencat e KLD-së. Më e debatueshmja ka qenë pika ku KLD-së i është hequr atributi i verifikimit të mandatit të anëtarit në Këshill. Sipas Presidentit Nishani, i cili drejton mbledhjen si kreu i KLD-së, përmes këtij projektligji merren kompetencat e organeve kushtetuese. “Po rrezikohet seriozisht dimension i lirisë në Shqipëri” mësohet të jetë shprehur kreu i KLD-së në mbledhjen si përherë mbahet me dyer të mbyllura, pa praninë e medias. Ka reaguar edhe vetë ministri Naço për projektligjin e propozuar nga institucionin që drejton, duke argumentuar se ky projektligj synon vetëm zvogëlimin e kompetencave të KLD-së. Debati për projektligjin për KLD pritet të përfundojë në komisionin e Venecias, i dërguar prej vetë këshillit.
Reagimi i anëtarëve
Disa nga anëtarët e KLD-së kanë shprehur rezerva ndaj këtij projektligji, duke deklaruar se do njoftojnë Komisionin e Venecias për këtë projektligj. Ashtu si presidenti Nishani, edhe ata kanë pasur debate të forta me ministrin. Në kushtet kur, sipas tyre nuk kanë marrë një përgjigje nga ministri Naço nëse është konsultuar me Komisionin e Venecias për këtë projektligj, anëtarët thonë se do të njoftojnë zyrtarisht Komisionin e Venecias “për veprimtarinë e njëanshme dhe të rrezikshme të Ministrisë së Drejtësisë për të ardhmen e sistemit të drejtësisë në Shqipëri” shprehen ata. “Projektligji i sjellë nga Ministria e Drejtësisë synon vetëm zvogëlimin e kompetencave të KLD-së. Projektligji nuk sjell asgjë të re. Ministri të thotë pse nuk janë marrë parasysh rekomandimet e partnerëve ndërkombëtarë. Ministri me këtë ligj nuk ka prekur asnjë nga kompetencat e tij”, mësohet të jenë shprehur në mbledhje disa nga anëtarët e KLD-së për projektligjin e këtij institucioni. Sipas tyre, me këtë projektligj cenohen kompetencat thelbësore të KLD. “Heqja e të drejtës së KLD-së për verifikimin e anëtareve të tij në momentin e zgjedhjes cenon rëndë sovranitetin e KLD-së”, – u shprehën ata, pasi, sipas tyre, projektligji ka probleme me kushtetueshmërinë.
Krerët e Administratives
Debatet nuk kanë qenë vetëm për projektligjin, por edhe për disa emërime në krye të Gjykatave Administrative, duke deklaruar se janë emëruar persona të pakualifikuar. Kandidatët kanë shprehur shqetësimin se në administratën gjyqësore janë emëruar persona të pakualifikuar, duke penguar punën e këtij institucioni. Sipas tyre, ministri i Drejtësisë duhet të ketë vëmendje të veçantë ndaj investimit në infrastrukturë, sidomos tek shorti elektronik. Ndërkohë që nënkryetari i KLD-së, Elvis Cefa ka ngritur shqetësimin se prej 8 muajsh mungojnë ndihmësit ligjorë në Gjykatën Administrative, duke e vështirësuar punën në këto gjykata dhe zvarritur përfundimin në kohë të shumë çështjeve.
Vendimi, rrëzohet kërkesa për shkarkimin e gjyqtarit Gjoni
Këshilli i Lartë i Drejtësisë rrëzoi dje kërkesën e ministrit Naço për shkarkimin e gjyqtarit Gjin Gjoni nga funksioni i gjyqtarit. Sipas anëtarëve, ministri nuk ka propozuar më parë një tjetër masë disiplinore por ka shkuar direkt në shkarkim. Më herët, para këtij vendimi të marrë nga kolegët e tij, gjyqtari Gjoni është shprehur se po sulmohet politikisht në mënyrë të koordinuar. “Sulmi, për gjykimet e mia ndaj ministrave aktualë dhe presion për proceset gjyqësore ndaj eksponentëve politikë”, – është shprehur Gjoni. Sipas tij, ILDKP dhe Ministria e Drejtësisë nuk kanë zhvilluar asnjë procedurë. Gjatë procedimit disiplinor ndaj tij Gjoni theksoi se asnjë nga akuzat e ngritura nuk qëndron. Pas vendimit për gjyqtarin Gjoni, Këshilli ka vendosur vërejtje me paralajmërim për gjykatësin Andi Ymeri. Ndërkohë që ka rrëzuar kërkesën për procedim të gjykatësit Markelian Kuqo. Ish-kryetari i gjykatës Pukë, Shtjefën Lleshi nuk është paraqitur në KLD për shkak se ndodhet në “arrest shtëpie” dhe kërkohet me patjetër leja e prokurorit që ai të lejë ambientet e shtëpisë. Kërkesat për procedim për gjykatësit Bujar Musta dhe Ilir Pashai janë shtyrë, pasi asnjë prej tyre nuk është paraqitur.
Vendimi/ Skandali në Gjykatën e Pukës, dënohen 8.4 vjet burg 5 nga të pandehurit
Gjykata e Shkodrës shpalli fajtorë dhe dënoi me 8.4 vjet burg pesë nga shtatë të pandehurit e skandalit të ryshfetit në Gjykatën e Pukës. Kjo masë dënimi u ulet pesë të pandehurve, konkretisht dy avokatë, dy punonjëse gjykate dhe një shoferi të Prokurorisë, pasi kanë përfituar nga gjykimi i shkurtuar, duke përfituar uljen e një të tretës së totalit të dënimit. Ndërkohë që në Gjykatë po vijon gjykimi i zakonshëm për dy is-krerët e Prokurorisë dhe Gjykatës së Pukës, përkatësisht Pëllumb Premçi dhe Shtjefën Lleshi. Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, dje gjykata dënoi me nga 1 vit e 6 muaj burg Dëfrim Prençin për “Mashtrim”, Fran Dashin për “Moskallëzim krimi” dhe Fariz Xhurxhin për “Ushtrimit te ndikimit te paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Ndërkohë që me nga 1 vit e 9 muaj burg u dënuan dy punonjëset e gjykatës, kancelarja dhe sekretarja, përkatësisht Meliha Kuka dhe Liljana Shkjau, për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Dënimi i fundit me 1 vit burg u dha për të pandehurën Bardhe Pjetri, i akuzuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe funksionareve të tjerë të drejtësisë”. Këta shtetas akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kërkuar apo ofruar para, duke i përfituar ato, në këmbim të lirimit nga burgu të disa të afërmve të denoncuesve. Skandali i bë publik me video në emisionin investigativ “Fiks Fare”.




