Sonila Mesareja
Në Regjistrin Themeltar të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, nga viti 1993 deri më sot. Detaje, të dhënat që përmban dosja e dixhitalizuar
Përfundon dixhitalizimi i procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave. Tashmë, çdo e dhënë e regjistruar për dosjet nga viti 1993 dhe deri më sot ndodhet në Regjistrin Themeltar të AKKP-së, duke e bërë më të lehtë për çdo pronar gjetjen e informacionit për dosjen e tij. “Duke vlerësuar rolin e rëndësishëm të procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (AKKP) në muajin nëntor të vitit 2013 ka marrë përsipër të realizojë Regjistrin Themeltar të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, nga viti 1993 deri më sot”, – bëri me dije ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, gjatë lançimit të përfundimit të dixhitalizimit të dosjeve që gjenden në AKPP. “Gjendja e rëndë dhe aspak funksionale e AKKP-së, të vetmit institucion i cili trajton të drejtat e pronarëve në çështjet e kthimit dhe kompensimit të pronave, ka qenë edhe pikënisja e punës intensive për realizimin e detyrimeve të marra përsipër me ligj”, – u shpreh ministri për mediat.
Regjistri
Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për krijimin e këtij regjistri themeltar u orientua drejt një kalendari pune të qartë për identifikimin dhe regjistrimin e të gjitha dosjeve në institucion, qoftë atyre “të humbura”, “të mbyllura nëpër sirtarë” apo të lëna prej 8 vitesh pa shqyrtim në arkivin e institucionit. Regjistri themeltar i vendimmarrjes për kthimin dhe kompensim e pronave regjistron të dhënat për të gjitha dosjet e depozituara në arkiv dhe protokoll nga viti 1993 e në vijim; Qarku – Rrethi – Bashkia – Komuna që këto dosje përfaqësojnë; subjekti i shpronësuar dhe kërkuesit e autorizuar prej tyre për aplikim përpara institucionit të kthimit dhe kompensimit të pronës; sipërfaqet e pretenduara në rastin e dosjeve pa shqyrtim; sipërfaqet e kthyera dhe të kompensuara në rastet e dosjeve me vendime; llojin e pasurisë së pretenduar – njohur – kthyer dhe kompensuar; regjistrimin e të gjitha vendimeve të Komisioneve të Kthimit dhe Kompensimit – Zyrave Rajonale të Kthimit dhe Kompensimit si dhe vendimeve të AKKP-së nga viti 1993 deri më sot. Realizimi i regjistrit themeltar të vendimmarrjes u shoqërua nga skanimi dhe dixhitalizimi i plotë i të gjitha dosjeve të arkivit, duke realizuar kështu një data-bazë të integruar në të gjithë informacionin që ai mban. Ky regjistër elektronik dhe informacioni që ai mban është embrioni për fillimin e fazës së dytë të një pune intensive në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Synimi i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave është krijimi i regjistrit me rend kronologjik të vendimeve për kompensim nga viti 1993 deri në vijim. Lista e rendit kronologjik të vendimeve të kompensimit do të nxjerrë për herë të parë pas 20 vjetësh edhe faturën e kompensimit, mbi bazën e të cilës qeveria do të realizojë formulën për zgjidhjen e këtij problemi. “Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ka marrë përsipër të dalë para publikut me një transparencë të plotë në zbardhjen e kësaj situate, përmes bërjes publike të këtij regjistri në funksion të pronarëve si dhe në respektim të legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale”, – u shpreh kreu i AKKP-së, Sonila Qato.
Çfarë përmban regjistri:
· Të gjitha dosjet e depozituara në arkiv dhe protokoll nga viti 1993 e në vijim;
· Qarku – Rrethi – Bashkia – Komuna që këto dosje përfaqësojnë;
· Subjekti i shpronësuar dhe kërkuesit e autorizuar prej tyre për aplikim përpara institucionit të kthimit dhe kompensimit të pronës;
· Sipërfaqet e pretenduara në rastin e dosjeve pa shqyrtim;
. Sipërfaqet e kthyera dhe të kompensuara në rastet e dosjeve me vendime;
· Llojin e pasurisë së pretenduar – njohur – kthyer dhe kompensuar;
· Regjistrimin e të gjitha vendimeve të Komisioneve të Kthimit dhe Kompensimit – Zyrave Rajonale të Kthimit dhe Kompensimit si dhe vendimeve të AKKP-së nga viti 1993 deri më sot;
Krimet e Rënda/ Mungon Dajti për të paraqitur mbrojtjen, shtyhet gjyqi
Dritan Dajti nuk është paraqitur dje për të paraqitur mbrojtjen, pas kërkesës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda për dënimin e tij me katër burgime përjetë. Nuk dihet nëse nuk ka dashur të paraqitej apo i duhet më tepër kohë për t’iu përgjigjur akuzës me argumentet e tij, por nga burime brenda Gjykatës u bë me dije se gjyqi u shtyp për mungesë të të pandehurit. Megjithatë, në Gjykatë është shfaqur sërish frika se mos i pandehuri nuk paraqitet sërish dhe në këtë mënyrë procesi hyn sërish në ngërç. Edhe pse ishte njoftuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda për orën dhe datën e zhvillimit të procesit gjyqësore, Dajti ka preferuar të mos paraqitet në shenjë revolte për vazhdimin e gjyqit javën e kaluar pa prezencën e tij apo dhe duke i lënë vetes kohë për një përgatitje për mbrojtjen e tij përballë kërkesës me katër burgime përjetë. Një javë më parë, prokurori Ardian Nezha lexoi konkluzionet përfundimtare duke kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm për Dajtin, për akuzën e vrasjes së 4 agjentëve të policisë dhe 25 vite burg për vrasjen e Ledion Marës.




