Tatimorët kanë filluar reprezaljen edhe ndaj qytetarëve. Kush del nga dyqani pa kupon dhe deklaron se nuk ka lekë të paguajë gjobën 1.000 lekë, i sekuestrohet karta e identitetit. Sa e ligjshme është kjo?…
Ervin Kaduku
Tatimorët kanë nisur kontrollet, tani jo vetëm ndaj bizneseve, por edhe individëve në rrugë. Dy ditët e fundit, individët, të cilët pas daljes nga dyqani nuk kanë qenë të pajisur me kuponin tatimor dhe janë ndaluar nga tatimorët për verifikim, u është kërkuar të dorëzojnë kartën e tyre të identitetit, si penalizim, pasi kanë deklaruar se nuk kanë lekë për të paguar gjobën. Mosmarrja e kuponit tatimor, sipas nenit 124 të ligjit për procedurat tatimore, për një individ blerës parashikon ndëshkimin me gjobë në masën 1 mijë lekë. Ligji thotë se blerësi ose përfituesi i shërbimit duhet ta kërkojë atë në kohën e realizimit të shitjes apo të kryerjes së punimit ose shërbimit. Në të kundërt, në rast kontrolli nga tatimorët, nëse rezulton se nuk ka kupon tatimor deri në një distancë 30 metra nga dyqani, dënohet me gjobë 1.000 lekë.
Projektligji
Ndërkohë, ka mbërritur në Kuvend, për procesin e diskutimeve në komisione, projektligji i ri i hartuar nga Financat, që parashikon masa edhe më drastike për ata që kapen në shkelje të rregullave fiskale.
Ndryshimet që propozon ky projektligj janë, si më poshtë vijon:
– Nëpunësit e administratës tatimore qendrore dhe vendore ndalohen që të kenë zyra të kontabilitetit apo konsulencës fiskale nën pronësi të tyre apo të afërm të tyre deri në shkallë të tretë, pra bashkëshorti/ja, fëmijët, motra, vëllai, prindërit. Kjo situatë përbën konflikt interesi.
– Konsiderohet se ushtron veprimtari ekonomiko-tregtare pa u regjistruar çdo tatimpagues i cili kryen veprimtari në adresa të padeklaruara.
– Çdo blerësi person fizik, juridik ose individ, i lind e drejta të mos paguajë për vlerën e mallit ose shërbimit të marrë, nëse shitësi nuk lëshon faturën tatimore ose kuponin tatimor në përputhje me këtë ligj.
– Tatimpaguesit, që kryejnë shitje me shumicë të mallrave, nuk lejohen të shesin me kupon tatimor tek blerës joushtrues të një veprimtarie tregtare (individë). Për periudhën tranzitore nga hyrja në fuqi e këtij ligji deri në fund të këtij viti, është propozuar që shitjet me kupon tatimor të lëshuar nga pajisja fiskale nuk duhet të tejkalojnë 10% të vlerës së tatueshme të mallrave të shitura gjatë së njëjtës periudhë tatimore të muajit të vitit të kaluar, pa përfshirë TVSH-në.
– Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve krijon Bazën e të Dhënave të numrave IMEI të telefonisë celulare, në të cilën regjistrohen të gjitha numrat IMEI të telefonave celularë në momentin e importimit dhe të gjithë numrat IMEI të telefonave që shiten nga tatimpaguesit në tregun vendas, shitës me shumicë dhe shitës me pakicë.
– Tatimpaguesit, të cilët i kanë të certifikuara nga kompani të njohura audituese, pasqyrat e tyre financiare do të kontrollohen më pak nga administrata tatimore.
– Zgjedhja e tatimpaguesve, që kontrollohen, bëhet në bazë të analizës së vlerësimit të riskut, të kryer nga administrata tatimore, për të identifikuar tatimpaguesin, і cili ka më shumë rrezik për ta shkelur legjislacionin tatimor.
– Nëse tatimpaguesi nuk paguan detyrimin tatimor, administrata tatimore duhet ta mbledhë tatimin, duke përdorur konfiskimin në fund të çdo dite të një shume jo më pak se 50% të qarkullimit të realizuar.
– Tatimpaguesi, për të cilin administrata tatimore ka filluar mbledhjen me forcë të detyrimeve tatimore të papaguara, nuk mund të kryejë transferim të shumave të parave nga llogaria e tij apo të shesë\të transferojë aktivet ose kapitalet e shoqërisë.
– Standardizohet masa e gjobës në 500 mijë lekë për çdo punonjës të padeklaruar, pavarësisht se tatimpaguesi është subjekt i TVSHH-së dhe tatim-fitimit apo jo.
– Nëse nga kontrolli rezulton se tatimpaguesi nuk ka deklaruar pagën reale të çdo të punësuari në organin tatimor, përveç detyrimit për pagimin e shumës së detyrimeve tatimore dhe kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, të llogaritura nga data e konstatimit, dhe në këtë rast tatimpaguesi dënohet me gjobë në masën 500.000 lek për rastin e parë të konstatimit.
– Në rast se tatimpaguesi që shet mallra me shumicë, që mban në ruajtje, përdor apo transporton mallra të pashoqëruara me dokumente tatimore, do të dënohet me 3 penalitete:
- Gjobë në masën 10 dhjetë milionë lekë;
- Konfiskim të të gjithë sasisë së mallit që mbahej në ruajtje, përdorej apo transportohej, i pashoqëruar me dokumente tatimore (me të drejtë të blerjes së mallit me vlerë tregu);
- Rivlerësim tatimor të të ardhurave për një periudhë 6-mujore që do të thotë se e gjithë vlera e mallit i shtohet të ardhurave të tatimpaguesit për 6 muajt e mëparshëm dhe rivlerësohen detyrimet tatimore për TVSH-në dhe tatimfitimi pikërisht mbi këtë bazë të re të ardhurash. Sigurisht, që mbi këto detyrime gjenerohen edhe kamatëvonesat.
– Në rast konstatimi të moslëshimit të kuponit tatimor, masa e gjobës për bizneset, pavarësisht nga ndarja, biznes i madh apo biznes i vogël, është në masën 500 mijë lekë për rastin e parë të verifikimit, si dhe rivlerësim tatimor i të ardhurave për 6 muajt e fundit.
– Çdo biznes (pavarësisht nga madhësia e tij) që kryen shitje me para në dorë lëshon kupon tatimor. Në rast se ky biznes nuk lëshon as faturë tatimore ose faturë tatimore me TVSH dhe as kupon tatimor, tatimpaguesi, person juridik ose fizik, tregtar, dënohet në rast se nuk lëshon kupon tatimor për të dokumentuar qarkullimin e realizuar të mallrave apo të shërbimeve:
- i) Për çdo konstatim (verifikim) të kryer, me gjobë të barabartë me 100 për qind të detyrimit tatimor, të padeklaruar ose të papaguar, si rezultat i moslëshimit të faturës, përveç detyrimeve tatimore dhe interesave, që llogariten dhe paguhen në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe të ligjeve specifike tatimore, me gjobë në masën 500.000 lekë dhe rivlerësim tatimor i të ardhurave për 6 muajt e fundit.
- ii) Për çdo konstatim (verifikim) tjetër pas verifikimit të parë sipas shkronjë i) të këtij neni, ku konstatohet se tatimpaguesi vazhdon të mos e lëshojë kuponin tatimor për të dokumentuar qarkullimin e realizuar të mallrave apo të shërbimeve sipas kërkesave të këtij ligji, si më sipër, konsiderohet evazion tatimor, sipas nenit 116, të ligjit, dhe administrata tatimore ushtron të drejtën e parashikuar në nenin 131, të këtij ligji, duke e kallëzuar penalisht tatimpaguesin.
iii) Në rastet kur tatimpaguesi ka lëshuar faturë tatimore por jo kupon tatimor, dënohet me gjobë në masën 500.000 lekë.
– Në rast se tatimpaguesi nuk afishon në një vend të dukshëm në adresën ku kryen veprimtarinë një poster që tregon të drejtën e blerësit për të mos paguar për mallrat dhe shërbimet e blera, atëherë ai dënohet me gjobë në masën 500 mijë lekë.
– Në rast se një tatimpagues që shet me shumicë mallra konstatohet se shet pa faturë ndaj tij zbatohen 3 penalitete njëherazi, për herën e parë të konstatimit:
- Gjobë të barabartë me 100 për qind të detyrimit tatimor, të padeklaruar ose të papaguar, si rezultat i moslëshimit të faturës;
- Gjobë në masën 10 dhjetë milionë lekë;
- Rivlerësim i të ardhurave për një periudhë 6-mujore.
Kujdesi nga abuzimet
Ja mallrat që nuk mund të sekuestrohen dot nga Tatimet
Administrata tatimore, për efekt të arkëtimit të detyrimeve tatimore të papaguara, ka të drejtë të sekuestrojë pasurinë e tatimpaguesit debitor dhe ta shesë atë sipas parashikimeve të ligjit. Sipas udhëzimit që shoqëron procedurën e konfiskimit (administrata tatimore) nuk mund të sekuestrojë dhe të kalojë në favor të saj për të shitur më vonë me qëllim arkëtimin e detyrimeve tatimore të papaguara disa nga pasuritë e debitorit.
Administrata tatimore nuk mund të sekuestroje pasuritë të tilla:
- a) Sendet e përdorimit personal të debitorit dhe të familjes së tij si: veshjet, shtresat, mbulesat, mobiliet për aq sa ato janë të nevojshme për jetesën e tyre;
- b) Ushqimet dhe lëndët djegëse që i nevojiten debitorit dhe familjes së tij për tre muaj;
- c) Dekoratat dhe sende kujtimi, letra, shkresa të familjes dhe librat profesionalë;
ç) Librat, veglat muzikore, mjetet e artit që nevojiten për veprimtarinë shkencore dhe artistike të debitorit dhe të familjes së tij;
- d) Deri 3 dynymë tokë, 2 kafshë për punimin e tokës, 1 lopë, 6 dele ose 6 dhi, fara për mbjelljet e ardhshme, si dhe ushqimi i këtyre kafshëve për 3 muaj për personat që jetojnë me punë bujqësore ose blegtorale;
- dh) Ndihma që u jepet nënave me shumë fëmijë ose të vetme, pensionet e pleqërisë, të invaliditetit ose familjare ose bursa e studimit përveç kur detyrimi është për ushqim. Në këtë rast nuk mund të sekuestrohet më shumë se 1/2 e shumës së pensionit ose të bursës;
- e) Frutat natyrore një muaj para se ato të piqen.
====




