Pretenca/ Vrau dy vëllezër për një borxh, Eduart Kurti rrezikon burg përjetë

Sonila Mesareja

 makina-ku-u-vrane-2-vellezerit eduard kurti eduart haxhialiuAkuza: Konfliktet mes viktimave Iglend e Nikola Haxhialiu dhe të pandehurit për një borxh mijëra eurosh dhe dollarësh të pakthyer, i marrë me deklarata noteriale. Autori u kërkoi t’i kalonin në pronësi hotelin në Dhërmi

 Një borxh i pakthyer dhe dy të vrarë. Tashmë as paratë nuk kthehen mbrapsht, pasi dy borxhlinjtë i vrau, dhe rrezikon burgim përjetë. Kjo është masa e dënimit të rrezikon 39-vjeçari Eduart Kurti, i akuzuar për vrasjen e dy vëllezërve Iglend dhe Nikola Haxhialiu, të cilët i kishin marrë shuma të konsiderueshme parash përmes premtimit për t’ia kthyer shpejt dhe provës së dy deklaratave noteriale ku njihej borxhi dhe caktohej koha e kthimit. Tentativat për kthimin e parave dhe refuzimi I kërkesës për kalimin në pronësi të hotelit që dy viktimat dispononin në Dhërmi, çoi në ekzekutimin e tyre brenda automjetit me të cilin kanë qenë duke lëvizur bashkë me autorin e dyshuar të krimit. Prokuroria e Tiranës deklaroi fajtor dhe kërkoi dënimin me “Burgim përjetë” për Eduart Kurtin, i akuzuar për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

 

Motivi i konfliktit

Me datë 31.8.2009, ndërmjet shtetasve Nikola Haxhialiu dhe Eduart Kurti është përpiluar një deklaratë noteriale nëpërmjet së cilës pasqyrohet fakti se shtetasi Haxhialiu i ka marrë shumën prej 60 000 euro shtetasit Eduart dhe këtë shumë do t’ia kthejë deri më datë 31.12.2009. Gjithashtu, me datë 27.12.2011, ndërmjet shtetasve Iglend Haxhialiu dhe Eduart Kurti është përpiluar një deklaratë noteriale nëpërmjet së cilës pasqyrohet fakti se shtetasi Iglend i ka marrë shumën prej 150 000 dollarë amerikanë si dhe 6000 euro shtetasit Eduart dhe këtë shumë do t’ia kthejë deri më datë 25.3.2012. Duke qenë se nga ana e shtetasve Nikola dhe Iglend Haxhialiu nuk u zbatuan kushtet e përshkruara në dy deklaratat noteriale, ndërmjet tyre dhe të pandehurit Eduart Kurti kanë lindur mosmarrëveshje. Në lidhje me këto mosmarrëveshje janë vënë në dijeni dhe familjarët e shtetasve Iglend Haxhialiu, Nikola Haxhialiu dhe Eduart Kurti.

 

Krimi

Ngjarja për të cilën akuzohet i pandehuri Eduart Kurti, ka ndodhur me datë 1.12.2012, ku rreth orës 19:40, në Drejtorinë e Policisë Qarkut Tiranë është marrë njoftimi se, në bulevardin “Bajram Curri”, brenda automjetit me targë TR 9205 S janë gjendur të qëlluar me armë zjarri dy shtetas. Menjëherë pas marrjes dijeni të këtij njoftimi, në vendin e ngjarjes kanë shkuar punonjësit e Policisë së Shtetit ku brenda në automjetin me targë TR 9205 S kanë gjendur shtetasit Iglend Haxhialiu dhe Nikola Haxhialiu. Shtetasi Iglend Haxhialiu ishte i ulur në sediljen e pasme të pasagjerit, ndërsa në vendin e drejtuesit të saj ndodhej shtetasi Nikola Haxhialiu. Shtetasi Iglend Haxhialiu është gjendur i vdekur ndërsa shtetasi Nikola Haxhialiu është gjendur ende me shenja jete, por pas transportit për në Spitalin Universitar Qendror Ushtarak ka gjetur vdekjen. Nga hetimi rezultoi se më datë 1.12.2012, pasi të tre shtetasit janë takuar me njëri-tjetrin, më pas kanë hipur në automjetin e shtetasit Nikola Haxhialiu dhe kanë qenë duke qarkulluar në bulevardin “Bajram Curri”. Në një moment, i pandehuri Eduart Kurti, me anë të një arme tip pistoletë, të cilën e mbante pa leje të organeve kompetente, ka qëlluar mbi shtetasit Iglend Haxhialiu dhe Nikola Haxhialiu. Si pasojë e këtyre të shtënave shtetasit Iglend Haxhialiu dhe Nikola Haxhialiu kanë mbetur të vdekur. Pas kryerjes së veprave penale, i pandehuri Eduart Kurti është larguar nga vendi i ngjarjes së bashku me armën e krimit, duke iu fshehur hetimeve.

 

Dëshmia e nënës së viktimave

Një nga dëshmitaret kryesore ka qenë nëna e dy viktimave, Hatëme Haxhialiu ndër të tjera dëshmoi se, ishte në dijeni se djali i saj, shtetasi Nikola Haxhialiu i kishte marrë në formë huaje të pandehurit Eduart Kurti një shumë të hollash. Gruaja e moshuar ka dëshmuar se “një herë, duke u ndodhur e shoqëruar nga dy djemtë e saj, Iglendi dhe Nikola, ka qenë e pranishme në një takim ndërmjet dy djemve të saj dhe të pandehurit Eduart Kurti. Gjatë takimit, biseda ka qenë zhvilluar rreth vlerës monetare të marrë hua nga dy djemtë tek i pandehuri Eduart. Në një takim tjetër, përveç këtyre personave ka qenë pranishëm dhe i ati i Eduartit, shtetasi Xhavit Kurti. Gjatë këtij takimi, shtetasi Xhavit u ka kërkuar djemve që si këmbim të borxhit, ata t’i jepnin hotelin që dispononin në Dhërmi”. Hateme Haxhialiu dëshmoi gjithashtu, se në periudhën e fundit, marrëdhëniet ndërmjet dy djemve të saj, shtetasve Nikola dhe Iglend me të pandehuritn Eduart Kurti, ishin acaruar. Ndërsa, përsa i përket datës 1.12.2012, shtetasja Hateme Haxhialiu ndër të tjera dëshmoi: “E ndodhur në shtëpi së bashku me pjesëtarët e tjerë të familjes, shtetasi Nikola Haxhialiu i ka thënë se së bashku me Iglendin do të shkoj të takoj të pandehurin Eduart Kurti”.

 

Dëshmia e vëllait të viktimave

Një nga dëshmitë kryesore të akuzës ka qenë edhe ajo e shtetasit Mirvjen Nino, i cili është vëllai i shtetasve Nikola dhe Iglend Haxhialiu. Gjatë dëshmisë së tij, shtetasi Mirvjen Nino ndër të tjera dëshmoi se, nëpërmjet bisedave që kishte zhvilluar me të vëllain e tij, shtetasin Nikola Haxhialiu, ka mësuar se ndërmjet këtij të fundit dhe shtetasve Eduart e Xhavit Kurti kishin lindur disa kontradikta dhe se Nikola ishte kërcënuar prej të pandehurit Eduart Kurti. Ndërsa, përsa i përket ngjarjes së datës 1.12.2012, shtetasi Mirvjen Nino ndër të tjera dëshmoi: “Rreth orës 18:30 kam folur nëpërmjet telefonit celular me Iglendin dhe ky më tha më ishte së bashku me Eduart Kurtin. Më pas, Iglendi më tha na foli Eduartit dhe unë kam folur nëpërmjet telefonit me të. Shtetasi Eduart Kurti më tha që t’i kaloja hotelin në pronësi të tij. Gjatë bisedës, Eduarti është nevrikosur dhe më tha që të shqyhej ty dhe dy vëllezërit e tu”. Pas, kësaj, dëshmitari Mirvjen Nino ka komunikuar nëpërmjet telefonit celular me shtetasin Pëllumb Shatri dhe shtetasin Nazmi Çangu, duke u treguar për ç’ka kishte konstatuar. Gjithnjë sipas dëshmitarit Mirvjen Nino, disa minuta më pas kam thirrur nëpërmjet telefonit celular me shtetasin Nikola Haxhialiu, dhe gjatë bisedës nuk munda të kuptoja gjë pasi ai fliste përçart.

 

Masakra në Gjonomadh/ Gjykata rrëzon kërkesën e Latollarit për gjykim të shkurtuar

Gjykata e Korçës ia ka prerë çdo shpresë për të përfituar ulje dënimi të akuzuarit për masakrën e ndodhur në Gjonomadh, ku mbetën të vrarë 2 çifte bashkëshortësh. Gjithashtu, gjykata ka rrëzuar edhe kërkesën e të pandehurit Bashkim Latollari për bërjen e analizës së ADN-së për një nga fëmijët e çiftit Meçollari. I pandehuri pretendonte se fëmija ishte i tiji. Pas refuzimit të kërkesës për gjykim të shkurtuar të kërkuar nga Latollari, gjykata vendosi të procedojë me gjykim të zakonshëm për të pandehurin që ekzekutoi për pasion të dashurën e tij 30-vjeçare, Daniela Meçollarin, bashkëshortin e kësaj të fundit, Belimon Meçollari si dhe bashkëshortët Rexhep e Valentina Metollari. Prokuroria e akuzon atë për vrasje të 4-fishtë. Ngjarja ka ndodhur në 7 janar në fshatin Gjonomadh, ndërsa shkak për të siç ka deklaruar më herët autori i ngjarjes ka qenë prishja e lidhjes jashtëmartesore që ai kishte me njërën nga viktimat.

 

 

 

Share it :