Nga Luan Rama
Nuk besoj të ketë një tjetër artist të huaj që ta ketë përjetuar Shqipërinë si Peter Haubro… Peter që për shumë vite jetoi Shqipërinë e post-diktaturës, por që veç dashurisë për «Homo Albanicus», ai përjetoi dhe kaosin e madh dhe tronditjen shqiptare të viteve1996-1997, britmën e dhimbjes dhe të largimit me njëlloj «Radeau de Meduse» të Delacroix… të njëjtat pamje asociative e gjëmimeve të `97-ës, kur aventura e bukur në krah të Lida Cangonjit, do të kthehej gradualisht në një trisht të madh që ende nuk i është shuar…
Nuk besoj të ketë një tjetër artist të huaj që ta ketë përjetuar Shqipërinë si Peter Haubro… Peter që për shumë vite jetoi Shqipërinë e post-diktaturës, por që veç dashurisë për «Homo Albanicus», ai përjetoi dhe kaosin e madh, dhe tronditjen shqiptare të viteve1996-1997, britmën e dhimbjes dhe të largimit me njëlloj «Radeau de Meduse» të Delacroix… të njëjtat pamje asociative e gjëmimeve të `97-ës, kur aventura e bukur në krah të Lida Cangonjit, do të kthehej gradualisht në një trishtë të madh që ende nuk i është shuar. E donte atë tokë dhe e do gjithnjë dhe me konvulsionet e saj zhurmëmëdha. Të duash një popull, të pikturosh për të, të vizatosh fytyrën e dashurisë, të bësh humor apo kolazhe ku ndërthuren personazhe e imazhe shqiptare, tradicionalja e modernia, të shkruash poezi të ëmbla e të dhimbshme për të, të ikësh pastaj pa kthyer kokën, pasi tërmetet shqiptare do të vazhdonin ende… ja Peter Haubro, të cilin e njoha vetëm në Paris bashkë me Solange d’Angély një ditë të vitit 1998. Që nga ajo kohë, miqësia jonë e bukur përvijoi rrugën e vet me pikëtakime në Marsanne apo Paris si dhe me një korrespondencë ku shpesh fjalët ishin garguj të vizatuar, piktura…
Miku im danez, që ekspozoi në sallonet e ambasadës shqiptare në Paris, çka atëherë tërhoqi shumë vizitorë, tashmë jeton e punon në Marsanne të Montelimar, jo larg Lionit. Ai jeton e krijon atje me të dashurën e tij shqiptare, Lida, mikeshën tonë të vjetër, psikiatren dhe aktoren e dikurshme të filmit shqiptar. Jetë krijuese, përkushtime arti, poetikë, ngjyra dhe shkencë dhe njê filozofi të jetuari që bashkëjetojnë bashkë, aty, në atë shtëpi njëkatëshe, ku në sfond të horizontit shfaqen malet.
Miku im danez flet pak, por miqësinë e ka në sy dhe artin në zemër. Ai flet shumë me penelin e tij, me penën dhe shpirtin. Humanizmi i tij ka ngjyrën e zemrës së shegës. Dhe aty janë njëmijë porta të kuqërremta gjaku, për të hyrë lehtësisht në shpirtin e tij. Por aty është dhe toka e nxehtë e rebelimit të tij kundër padrejtësisë, luftrave, terrorizmit, shkeljes së të drejtave të njeriut. Një utopist i veriut të Evropës…. Ai sapo më ka dërguar dy libra të poetit të njohur danez Klaus Rifbjerg (“Djalli në mal” dhe “Pema lundruese”) të autorit të më se njëqind romaneve dhe librave poetikë, një fitues i çmimit të Akademisë Suedeze. E ka përkthyer dhe ilustruar atë bashkë me mikun e tij francez André Kifidis. Vargje mjalti…
Miku im danez e ka portën e tij të shtëpisë gjithnjë të hapur. Atje ku mbaron rruga dhe ku fillon fusha e pamatë gjer në këmbët e bregoreve dhe maleve. Në atelierin e tij atje në Marsanne, fjala poetike, piktura, grafika, kolazhi, bashkëjetojnë në harmoninë e shpirtit të tij, i cili gjithnjë i ka kënduar e i këndon dashurisë, femrës, përhumbjes, jetës e vdekjes, barit dhe qiellit të rënduar me stuhi. Peter, danez e shqiptar njëkohësisht, afrikan, budist apo indian i kontinenteve të largëta, qytetar i një bote siç e do ai…Peter të ngjan se ka ardhur që larg nga qyteza e vjetër antike greke me fjalën e Sokratit dhe biblën e Platonit në dorë.
Peter Haubro hapi më 13 korrik një ekspozitë në Montelimar, por meqë nuk do të jem në Francë, do doja ta përshëndesja me këtë kartë, me këto fjalë zemre e dashurie. Por ne do ta kemi atë në Paris në mes të shtatorit të këtij viti, në “Maison des Albanais”, në “Denfert Rochereau”, në prag vjeshte, për të folur për artin e tij dhe për të rikujtuar pikëtakimet shqiptare, lindjen në “forceps” të lirisë dhe të një dite të re.




