Përballë Prefekturës/ Protestojnë tregtarët: Qeveria na premtoi vende pune, sot po mbyll 386 subjekte

protesta-e-tregetareve-ish-uzina-dinamo“Prefekti të vijë këtu, të flasë me ne. Erdhën këtu na kërkuan votën, na premtuan kushte, tani na mbyllin aktivitetin, na heqin bukën e gojës”

Tregtarët e ish-uzinës “Dinamo” kanë protestuar ditën e djeshme përballë Prefekturës së Tiranës për mbylljen e dy tregjeve në kryeqytet. Në dytën e dytë të protestës tregtarët kanë kërkuar një takim me prefektin Sadi Vorpsi, por përfaqësues të Prefekturës janë shprehur se prefekti nuk ndodhej në zyrë. Tregtarët kanë bllokuar njërin krah të rrugës përballë Prefekturës dhe me pankarta në duar kanë kërkuar të mos mbyllet tregu. Rreth orës 10:00 disa nga protestuesit kanë tentuar të hapin derën e Prefekturës me forcë, por janë penguar nga organizatorët e protestës dhe nga forcat e policisë. “Nuk duam të krijojmë situata dhune, por kërkojmë të drejtën tonë, tregjet nuk duhet të mbyllen, problemi i higjienës është vetëm një justifikim”, – shprehet një nga tregtarët. “Prefekti të vijë ta shikojë me këmbët e veta tregun dhe jo të dëgjojë çfarë thonë të tjerët”, – shprehet një tjetër tregtar.“Nuk është, nuk është, dhe nxjerr sekretaren. Prefekti të vijë të na takojë, ne do rikthehemi përsëri nesër”, – përmendin protestuesit. Sipas tregtarëve, kushtet e higjienës nuk i plotësojnë vetëm 40 pika shitje, ndërkohë që prefekti ka ngritur task-forcën për të mbyllur gjithë tregun. Protesta u zhvillua për t’i paraprirë ekzekutimit të vendimit, i cili, nëse zbatohet, do të penalizojë 386 subjekte në këtë treg, ku janë punësuar 5 mijë persona.

 

Protesta

Që në nisje të protestës ka pasur edhe përplasje mes tregtarëve të irrituar dhe policisë. Nën thirrjet “Duam bukë” tregtarët kërkuan të takohen me prefektin, ndërsa shkojnë deri aty sa duan në takim edhe Kryeministrin Rama, me pretendimin se i kanë dhënë votën. “Prefekti të vijë këtu, të flasë me ne. Erdhën këtu na kërkuan votën, na premtuan kushte, tani na mbyllin aktivitetin, na heqin bukën e gojës”, – thotë një tregtar. “Premtuan qe do hapin vende pune, tani po i mbyllim. Ne jemi taksapagues, ne nuk jemi kundër shtetit, por shteti, prefekti të vijë këtu, pastaj të marrë vendime. Duam Kryeministrin këtu”, – u shpreh një tjetër.
Mbyllja e tregjeve
“Nga kontrolli i ushtruar pranë tregjeve të ish-uzinës “Dinamo”, por edhe në tregun e rrugës “Hamdi Pepa”, gjendja është e papranueshme, duke sjellë një sërë problematikash për cilësinë e shëndetit të qytetarëve. Është vënë re se shitja në dyqane realizohet me mangësi të theksuara në struktura. Shitja bëhet në ambiente të hapura; ka mungesë të theksuar shoqëruese të produkteve ushqimore, mungesë totale të kushteve higjieno-sanitare. Në tregun “Hamdi Pepa” shumica e objekteve janë kioska shitjeje, të cilat nuk realizojnë kushtet minimale për tregtim të produkteve ushqimore, të cilat mund të sjellin ndotje dhe epidemi të ndryshme për qytetarët, por edhe paralizojnë segmente kryesore të qarkullimit të transportit publik dhe urgjencave të kryeqytetit. Shumë shpesh në këto tregje lulëzon shkelja e ligjshmërisë fiskale, të cilat janë një sfidë e hapur e punës së institucioneve të administratës shtetërore”, – ishin disa nga arsyet që dha prefekti për mbylljen e dy tregjeve në kryeqytet.

Analiza e 300 ditëve/ Ish-të përndjekurit që janë gjallë, dëmshpërblim brenda tri viteve

Nuk do të ketë asnjë ish-të përndjekur të gjallë që ka vuajtur vetë dënimin, që nuk do të marrë të gjithë shumën që i takon dhe kjo do të ndodhë brenda mandatit të parë. Ky ka qenë premtimi i Kryeministrit Edi Rama gjatë konferencës për analizën e 300 ditëve të para të qeverisë të bërë nga Ministria e Mirëqenies Sociale. Kryeministri Rama theksoi se shuma e vënë në dispozicion për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve është 18 milionë dollarë, duke nënvizuar se kjo është shuma më e madhe e caktuar ndonjëherë nga shteti shqiptar për këtë shtresë. Sipas tij, kjo punë ka nisur ku vetëm në 300 ditë rreth 1200 ish-të përndjekur kanë marrë këstin e parë pas 24 vitesh, ndërsa shtoi se kjo do të bëhet për t’i dhënë fund kësaj historie që sipas tij shkel identitetin e shoqërisë sonë. “Nuk do të ketë asnjë ish-të përndjekur të gjallë që ka vuajtur vetë dënimin, që nuk do të marrë të gjithë shumën që i takon, dhe kjo do të ndodhë brenda mandatit të parë”, – theksoi Rama. Kryeministri u ndal edhe për problemin e toponimeve të emigrantëve shqiptarë në Greqi duke nënvizuar se ky problem u zgjidh. “Çështja e emigrantëve të Greqisë për toponimet dhe ajo e pensioneve dhe nuk ka pasur asnjë përpjekje e qeverive paraardhëse për këto probleme. Ne e zgjidhëm problemin e toponimeve brenda 300 ditëve të para, problem ky që qeveria shqiptare duhet të merrte pjesën e vetë të përgjegjësisë. Dhe sot nuk ka asnjë pengesë për këdo në kufi që të mund të vijë në Shqipëri”, – u shpreh Rama. Për sa u përket pensioneve të emigrantëve, Rama u shpreh se ka nisur puna për këtë problem dhe shumë shpejt do të zgjidhet. Ai u bëri thirrje emigrantëve se tashmë ata nuk duhet të ndihen vetëm, pasi qeveria ka menduar edhe për ta.

 

Komuniteti Mysliman  shtron iftar me gratë VIP

Gra politikane, të kulturës e shumë fusha janë ftuar për të çel iftar një shenjë të takimit me zotit. Kjo sofër bashkon gjithë shoqërinë, me simbolin e respektit për muajin e ramazanit. Në respekt të kontributit të grave në shoqëri takimi i përbashkët i jep vlere traditave shqiptare. Mbi 100 gra kane falënderuar zotin në të çelë të këtij takimi në muajin e agjërimit. Në një atmosferë të ngrohtë , është konsumuar vakti iftarit, i shoqëruar me urimet dhe lutjet për një adhurim dhe sakrificë të pranuar tek Allahu i Madhëruar. Sofra e iftarit bashkon qindra e mijëra besimtarë shqiptarë, për t’iu gëzuar momentit të përmbylljes së sakrificës ditore për hir të Krijuesit.

 

 

 

Share it :