Azilkërkuesit, qeveria paketë masash për të kthyerit, Bregu: Jeni të vonuar, ka një mungesë totale të vëmendjes për ta pranuar fenomenin
Gëzim Saliu
Diskutimi i ndryshimeve të Kodit të Punës ka sjellë debate dje në mbledhjen e Komisionit të Integrimit, ku opozita pretendoi se përmes tyre punonjësve që nuk rregullohen sipas ligjit “Për nëpunësin civil”, u hiqet e drejta për t’u rikthyer në punë me vendim të formës së prerë të gjykatës. Kryetarja demokrate e Komisionit, Majlinda Bregu, theksoi se kjo pikë ka ekzistuar në Kodin e mëparshëm dhe se heqja e saj penalizon punonjësit e ndryshëm që marrëdhënien e punës nuk e kanë të rregulluar mbi bazën e ligjit të nëpunësit, por vetëm mbi Kodin e Punës. “Ka një problem me nenin 59 të Kodit të Punës, i cili parashikon ndryshime për nenin 146. Kam një shqetësim për pikën 3, ku thuhet se “zgjidhja e kontratës pa shkaqe të arsyeshme nga punëdhënësi është e pavlefshme. Punëmarrësi ka të drejtë të kërkojë dëmshpërblimin deri në 1 vit pagë që i shtohet pagës që ai duhet të arrë. Në nenin 146 thuhet: “Kur ka një vendim gjykate të formës së prerë për kthimin në punë të punëmarrësit, punëdhënësi është i detyruar ta zbatojë këtë vendim. Në propozimin tuja kjo pikë ndryshon, dhe hiqet pjesa që detyron kthimin e menjëhershëm në vendin e punës nëse ka një vendim gjykate të formës së prerë për një punonjës të larguar”. Po ashtu ndërsa zv.ministrja Sula theksoi se Kodi dhe Ligji i Nëpunësit janë dy gjëra të ndryshme, deputeti demokrat Arben Imami ndërhyri në debat duke sqaruar: “A ka punonjës që nuk rregullohen me Ligjin e Nëpunësit Civil e rregullohen me Kodin dhe preken nga e heqja e së drejtës për t’u rikthyer në detyrë, për këtë pyet kryetarja e Komisionit. Duhet të reflektohet, punonjësit e administratës civile që nuk rregullohen me Ligjin e Nëpunësit Civil do të rregullohen me këtë ligj dhe duhet të kenë disa garanci për arsye të njohura për gabime që janë bërë në 25 vjet se këtu puna e parë që bëhet është heqja e pastruesve të shkollave”. Në këtë kontekst, zv.ministrja e Mirëqenies Sociale tha se kjo pikë e ligjit do të rishikohet. “OK, dakord, do ta shqyrtojmë edhe një herë, do pyesim edhe një herë në ILO si e kanë parë”, – theksoi ajo. Ndërkaq, deputeti i mazhorancës Taulant Balla tha se mazhoranca i qëndron propozimit të ardhur nga qeveria. Pjesa më e rëndësishme e administratës publike rregullohet me Ligjin e Nëpunësit Civil. Ndërsa lidhur me Kodin e Punës, ky është rregullatorit kryesor. Parimisht nuk bie dakord me asnjë lloj propozimi që do të detyronte një punëdhënës privat i cili detyrimisht duhet ti paguaja paga sa të jenë por që të kthej një njeri sërish në punë këtu jo. Aty thyhet i gjithë parimi, edhe ai i përzgjedhjes. Garanci po, por për kthimin në punë në privat, i bie që kompanitë private t’i kthejmë në shtetërore”, – tha ai.
Azilkërkuesit
Ndërkohë, në raportimin në Komision, zëvendësministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Gentiana Sula, foli mbi masat e qeverisë për të frenuar fluksin e azilkërkuesve në vendet e BE-së. “Në shkollat tona profesionale ne po adoptojmë disa forma që e përafrojnë sistemin tonë me sistemin gjerman, duke filluar nga sistemi dual, futja e gjuhës gjermane në shkollat profesionale si gjuhë dytë, qofte online qoftë me mësues dhe sidomos duke rritur shkëmbimet me partnerët gjermanë”, – theksoi ajo. Ndërkohë, ndaj atyre që u është refuzuar azili, zyrat e punës do të kenë rol të rëndësishëm, duke i cilësuar si grupe prioritare në listën e punëkërkuesve. Por kryetarja demokrate e Komisionit të Integrimit, Majlinda Bregu, tha se masat e qeverisë janë të vonuara. “Ka fëmijë të cilët do të kthehen dhe po kthehen dhe unë nuk kam dëgjuar deri më sot të ketë ndonjë politikë. Për pritjen e tyre shoh me shqetësim ka një mungesë totale të vëmendjes për ta pranuar fenomenin dhe jo më për ta adresuar atë. Ndaj pyeta për sistem dhe plan masash agresiv dhe paketë masash emergjente”, – pohoi ajo.
Thesari i Shtetit për LSI-në?
Manjani: Paguajmë kuotat e partisë, Berisha faturat e prostitutave. Koka: Procedurë normale
Akuzat e ish-kryeministrit të vendit, Sali Berisha, për përdorimin e Thesarit të Shtetit në favor të interesave politike, ku ministrat paguajnë kuotat e partisë ku aderojnë, u prit me kundër akuza nga ana e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Nënkryetari i kësaj force, Ylli Manjani, në një deklaratë për mediat tha se bëhet fjalë për pagesat e kuotave të partisë që bën çdo anëtar i LSI-së përmes pagave të tyre. Por Manjani në deklaratën e tij duket se tejkaloi edhe caqet e etikës, duke përfolur ish-kryeministrin si një njeri që paguan faturat e prostitutave. “Ka një dallim të madh ndërmjet Berishës sot dhe atë 17 vite më parë. Sot 17 vite më parë Berisha kish marrë Kryeministrinë dhe i drejtohej televizionit tuaj si pjesë e një grushti shteti. Sot Berisha është një plak gati për pension, Berisha është një njeri me nge, ka kohë dhe ne nuk kemi nge të merremi me Berishën pafundësisht. Ne kemi një shqetësim të përbashkët, si ne dhe Berisha, shqetësimi për të shlyer detyrimet periodike, nuk na zë gjumi pa i shlyer. Problemi është se ne paguajmë kuotat e partisë, ai paguan faturat e prostitutave, e ka thënë vetë. Ne i paguajmë në mënyrë transparente, pagesa në Thesar është më transparentja e mundshme. Nga paga e zyrtarit politik me lejen e tij Thesari bën ndalesën përkatëse sipas urdhrit që i jep ministri, zv.ministri. Gjithkush është i lirë që nga paga e tij të paguajë kuotën. Nga paga e ministrit me dëshirën e tij ashtu si 20 deputetë të LSI-së kanë urdhëruar që nga paga t’u mbahet një shumë për partinë në formë kontributi. Është zgjedhur mënyra me thesar për të qenë më transparente”, – u shpreh Manjani duke shtuar: “Ne kemi zgjedhur ndër të tjera për të shtuar transparencën, rrugën e Thesarit. Në Thesar nuk lëviz gjë, nuk janë gjërat kaq vulnerabël. Thesari është një llogari ekzekutive e shtetit”. Po ashtu ditën e djeshme ka reaguar edhe ministri i Mjedisit, Lefter Koka, i cili ishte akuzuar nga ish-kryeministri për përdorimin e Thesarit të Shtetit për interesa partiake. Koka u shpreh se kjo është një zgjedhjet e tij, duke bërë që pagesa e kuotat të anëtarësisë në LSI të paguhet direkt nga Thesari i Shtetit, duke iu mbajtur nga paga. “Unë, vullnetarisht, nga paga ime mujore, transferoj 5.000 lekë pranë llogarisë bankare të LSI-së në formën e kuotës së anëtarësisë në parti. Më normale dhe korrekte se kjo nuk ka ku të shkojë, për një anëtar partie. Në mënyrë që t’i jap mundësinë edhe z. Berisha dhe kujtdo tjetër ta shohë që unë i paguaj kuotat e anëtarësisë në parti, kam zgjedhur që transaksioni i pagesës të kryhet direkt nga dega e Thesarit, duke më reduktuar pjesën e pagës që po kjo degë Thesari më transferon në llogarinë time personale, në një bankë të nivelit të dytë. Edhe pensionisti në fjalë, që nuk pushon as të dielave pasdreke, deri në vitet `90 e paguante rregullisht kuotën mujore rreth 20 lekë apo aty afër më duket, pranë partisë në të cilën militonte me devotshmëri, si gjithmonë vullnetarisht, me korrektesë të plotë dhe pa shkelur afatet e pagesës. Dhe mirë e bënte, se të paguash kuotën është detyrimi minimal i një anëtari partie. Tashmë nuk di se ç’bën, paguan apo nuk paguan kuotë partie, është apo nuk është në parti, por kjo mbetet një çështje personale e tij dhe aspak imja!”, – theksoi Koka në reagimin e tij. Këto sulme të përfaqësuesve të LSI-së ndaj ish-kryeministrit Berisha vijnë pasi ai dy ditë më parë publikoi në rrjetin social të dhënat e pagesës së kuotës së partisë nga ministri Koka duke përdorur Thesarin e Shtetit. “Ketu kemi liste pagesat sesi Kuvendi i Shqiperise dhe Ministria e Mjedisit perdorin Thesarin e Shtetit per te financuar LSI. Nga Thesari i Shtetit, pas kerkeses se Ministrise se Mjedisit, kane kaluar pagesat ne llogari te Levizjes Socialiste per Integrim me pershkrimin “Min. Mjedisit kuote partie gusht 2015” sic jane bere edhe te shume muajve te tjere pergjate 2015. Duket se ne kete vend institucioni shteteror eshte bere anetar i LSI dhe si i tille paguan kuotizacion, ndersa Thesari i Shtetit kthehet ne llogaritar te LSI”, – shkruante Berisha.




