Pazari i fjalëve

Artan Fuga

Artan FugaVitet e fundit ka praktika që kanë hapur një epokë të re në përdorimin, përzgjedhjen dhe qarkullimin e fjalëve në shoqëri.

Bashkë me këto forma përdorimi të reja të fjalëve ka nisur të qarkullojë edhe një literaturë e bollshme, gjithnjë e më dinamike dhe e përpunuar, që reflekton mbi këto procese.

Është fjala, në fakt, për një funksion të ri të fjalës që, artistike, sociale, terminologji shkencore ose e një lloji tjetër, ka hyrë dhe po hyn gjerësisht në përdorim.

Fjala nuk është vetëm ngurtësim konceptesh, bartëse mesazhesh, pjesëz fjalish, mishërim metaforash e analogjish, nyje rrjedhash reflektimi, bashkësi logjike elementesh të fundëm a pafundëm, por është bërë edhe burim fitimi, gjeneruese burimesh financiare, mekanizëm administrimi të tregjeve, instrument marrëdhëniesh midis firmave dhe klientëve të tyre.

Është e qartë që enciklopeditë dhe fjalorët e gjuhës kanë nevojë ta zgjerojnë edhe në këtë drejtim përkufizimin e fjalës, sidomos të fjalës të shkruar në web.

Për çka jemi duke folur?

Në sistemin “google adwords” është përpunuar ai që quhet “web semantic”, i cili mbështetet në konceptimin, përzgjedhjen dhe blerjen e fjalëve që përdoren për reklama në Internet. Mos harrojmë që këtu harxhohen miliarda dollarë, pra bëhet fjalë për një “treg të vërtetë” të vlerës të fjalës që qarkullon sidomos në anglisht, por edhe në gjuhë të tjera të mëdha të planetit. Tregu i fjalëve në Internet, në formën e strukturuar nga “google adwords” na ndihmon të gjejmë njeri tjetrin në universin pambarim të pëlhurës numerike të webit, bën gjithnjë e më shumë të mundur konvergjimin e nevojave të miliarda njerëzve në Planet me ofertat e shërbimeve dhe të produkteve të hedhura në treg për konsum, madje shumë më tepër sesa kaq lidh identitetet numerike të gjithkujt me publikun e gjerë.

Si realizohet kjo?

Pak a shumë dhe në mënyrë të thjeshtësuar mund të thuhet se “google adwords” propozon «bankën e fjalëve».

Firma apo korporata e interesuar për të paraqitur veten e vet, imazhin e saj, produktet e saj në treg, shërbimet e veta, blen fjalë, dhe ndërton një llogari të sajën në Internet. Mund të ndërtojë edhe deri në njëmbëdhjetë fushata paraqitjeje duke përcaktuar me dhjetëra e qindra fjalë kyçe që e identifikojnë si të tillë para një publiku planetar. “Google adwords”, pastaj, me anën e logjicienëve të vet, sipas një algoritmi matematikor të përpunuar nga statisticienët dhe informaticienët e vet, bën që kur publiku vendos në motorët e kërkimit fjalët kyçe të përzgjedhura, jep ato rezultate prioritare sipas tregut të fjalëve dhe vlerës financiare të çdo fjale në “pazarin e fjalëve”.

Rëndësi ka që gjithkush që kërkon të shfaqet si rezultat në motorët e kërkimit të jetë në atë që quhet “organic listing” të kërkimit në Internet, pra të renditet pak a shumë në dhjetë rezultatet e para që jep kërkimi në motorët e kërkimit “google”, e shumta në faqen e parë të rezultateve të kërkimit. Apo të afishohet te të tretët, agjenci apo konsumatorë, mbi bazën e një hierarkie informacioni sipas identifikimit të tyre në realitet tekstuale të identifikuara si përfaqësues numerikë të tyre.

Më tej sesa infomacioni i klasifikuar në “organic listing”, vlera e informacionit të marrë bie shumë. Imagjinojmë se informacioni mbi ne gjendet diku aty nga mesi i dy milionë rezultateve të kërkimit… Çfarë vlere do të kishte!!! Asnjë.

Operatorët e tregut por edhe agjencitë publicitare, si edhe organizatat, mund të kërkojnë të blejnë fjalë të ngjashme ose të njëjta dhe mbi këtë bazë konkurrenciale përcaktohet edhe vlera financiare e çdo fjale në tregun numerik të fjalës. Sa më shumë një fjalë kërkohet aq më shumë vlera e saj financiare rritet. Mos harrojmë se bëhet fjalë për një sistem bankar të fjalës të përzgjedhur që arrin në miliarda dollarë. Kjo bankë financiare fjalësh qarkullon pastaj vlera financiare edhe më kolosale.

Në këtë mënyrë sot ka tre tregje që plotësojnë njeri tjetrin dhe vlera e “monedhës” të tyre ndikon mbi tregjet e tjerë.

– Tregu real i produkteve dhe i shërbimeve.

– Tregu i parasë, vlera e parasë, e monedhës, dhe ndikimi i saj mbi tregun e mallrave dhe shërbimeve në bazë të kursit të shkëmbimit.

– Tregu i fjalës, pra që përcaktohet nga vlera e fjalës në planin financiar në “adwords”.

Praktikat e tregut të fjalës ne administrimin e tregut dhe të marrëdhënies globale midis operatorit ofertues dhe klientëve që shkojnë nga disa dhjetëra individë deri në qindra milionë persona kanë hapur një fushë të re të analizave semantike mbi fjalët kyç. Këtu korporatat kanë nevojë tashmë jo vetëm për financierë dhe administratorë, por edhe për linguistë, sociolinguistë, analistë kritikë të kuptimit të fjalëve, studiues të vendit të fjalëve kyçe në përdorimin e përditshëm të njerëzve në shoqëri konkrete e në gjuhë të ndryshme, si edhe për kërkues shkencorë lidhur me peshën metaforike, analogjike, simbolike te fjalëve kyç të blera që vendos në korrespondencë nga njëra anë fjalët e blera për reklamë, publicitet, dhe komunikim me shërbimet dhe mallrat e propozuara në treg, dhe nga ana tjetër, me shpeshtësinë e përdorimit të tyre në gjuhën e përditshme te konsumatorit.

Mjafton një gabim në të gjithë këto analiza dhe nuk është vetëm dëmi financiar i sjell nga blerja e fjalëve të padobishme që bie mbi korporatën apo organizatën e interesuar, por edhe sillet një humbje e klientit në treg, vjen humbja e orientimit në treg, sepse reduktohet ndjeshëm marrëdhënia midis propozuesit në treg dhe konsumatorit përkatës.

Tregu jo vetëm është bërë botëror, por është bërë edhe virtual, nuk është më një “brick and mortar”, pra nuk është material, nuk realizohet më duke ekspozuar produktet apo shërbimet në vitrina prej qelqi për kalimtarët apo klientët e lagjes dhe të qytetit.

Ekonomia sot ose mbështetet mbi tregun virtual ose rrënohet dhe shkon kot.

Cili hotel turistik lulëzon sot nëse nuk shprehet në tregun e fjalëve dhe nuk paraqitet me fjalë kyçe që e orientojnë informacionin nga fjalët në motorët e kërkimit drejt objektit që jep informacion?

Cili produkt? Cili shërbim?

Fjala ka nevojë ta paraqesë objektin ose aktorin në treg duke u përmbajtur disa kërkesave strategjike:

– Ka nevojë të vendoset në koincidencë specifike me objektin ose shërbimin që duhet të shenjojë. Strategjia e shenjimit të të shenjuarit nga shenjuesi duhet ta karakterizojë objektin në mënyrë shumë specifike. Fjalët gjenerike jo vetëm nuk e specifikojnë informacionin dhe e humbasin produktin në treg, por edhe krijojnë mbivendosje kuptimore fjalësh ku ta zëmë fjala “shpejtësi” mund të shenjojë edhe një cilësi të një autoveture, edhe të një biçiklete, edhe atë të servirjes të një gjelle në një restorant, edhe të livrimit të një malli nga tregtari i saj te klienti që e ka blerë, pra të marrë kuptime që prodhojnë kakofoni kuptimore në tregun e fjalëve. Paraja e derdhur në këtë “treg semantik” bëhet pa rendimentin e pritshëm.

– Ka nevojë që të krijohet një përputhje midis kuptimit të fjalës të përdorur nga ofertuesi në tregun planetar të fjalës dhe përdorimit semantik dhe shpeshtësisë të fjalës në gjuhën e përditshme të segmentit të klientelës apo të audiencave të targetuara. Një fjalë goje! Po sa gjuhëtarë dhe studiues të ligjërimit publik duhen mobilizuar për ta bëre të mundur analizën e gjuhës të folur dhe parë atje sesi përdoruesi i gjuhës e shenjon objektin që propozohet në treg, ose shërbimin që reklamohet nga cilado agjenci sociale ose ekonomike? Si e përdor atë letërsia? Si e përdorin tekstet shkollore? Cila është pesha dhe cili vendi i saj në zhargonin popullor, po në dialektet gjuhësore? Cilët janë përdorimet simbolike dhe metaforike të termave dhe fjalëve kyçe të blera në optikën e përdoruesve dhe krijuesve të realiteteve të reja gjuhësore dhe letrare? Kush e formon kuptimin e ri të fjalëve të gjuhës popullore të konsumatorëve? Letërsia, gjuhësia, mediat masive, shkolla, kultura popullore, rruga???

– Ka nevojë që të ndërtohen strategji gjuhësore-financiare për strategjinë e blerjes të fjalëve në tregun bankar të fjalëve të depozituara në “google adwords”. Nëse do të mbulohen disa fushata komunikimi, cilat do të jenë korrespondencat midis fjalëve të përdorura në çdo fushatë? Çfarë fjalësh kanë blerë konkurrentët, a mos përbën kjo një sekret bankar? Një sekret profesional po aq i rëndësishëm sa edhe ai teknik ose patenta e prodhimit? Kush do ta prodhojë fjalën e re që shenjon një realitet të ri tregtar? Si do të përhapet ajo fjalë? A ngjit ajo fjalë te përdoruesit e gjuhës? A e përdorin atë klientët.

Në të gjitha rastet kemi një funksion të ri të fjalës që i jep semantikës të tyre një lidhje me informatikën, financën, statistikën, sociologjinë, edukimin, letërsinë, gjuhën e mediave, matematikën e algoritmeve, inxhinierinë informatike dhe fusha të tjera ndërdisiplinore, te cilat kanë hapur fusha të reja studimore të kritikës të tekstit si edhe analizës kuptimore të tij dhe fjalëve që e përbëjnë.

Mbi të gjitha, gjithnjë e më shumë përdorimi i fjalëve të sendeve të përditshme në letersi nuk është aq si dikur një energji naive dhe frymëzuese krijuese, por edhe një praktikë që ndjen përherë e më shumë presionin e lobingjeve semantike dhe e strategjive financiare të aktorëve ekonomikë dhe financiarë.

A mos po bëhet edhe realiteti letrar dhe gjuhësor gjithnjë e më shumë një fushë vijash force që lakohen nën peshën edhe të strategjive financiare të një bote ku rendimenti financiar i fjalës matet me kritere statistikore kuantitative si çdo mall tjetër që matet edhe me çmimin dhe fitimin që sjell në tregun e madh botëror financiar?

Share it :