Pas aksioneve / Shteti Islamik bën thirrje për sulme kundër Rusisë

 

Aksionet e ushtrisë ruse kanë bombarduar dje sërish 32 objektiva të grupit Shteti Islamik (ISIS) në Siri kryesisht pranë Damaskut, me një një intensitet të zvogëluar për shkak të ofensivës që është duke zhvilluar ushtria siriane. “Gjatë ditës ë djeshme aviacioni rus ka vazhduar bombardimet kundër infrastrukturave të ISIS-it në Siri, duke zhvilluar 33 operacione dhe goditur 32 objektiva”, konfirmoi Ministria ruse e Mbrojtjes në një komunikatë. “Zvogëlimi i operacioneve ajrore vjen si rezultat i ofensivës që po zhvillojnë forcat e armatosura siriane, që po sulmojnë frontin me terroristët e ISIS-it”, thekson zëdhënësi i ministrisë, gjenerali Igor Konachenkov. Por nga ana tjetër edhe grupi militant i Shtetit Islamik (IS), edhe Fronti al-Nusra, degë e Al-Kaidës, kanë bërë thirrje këtë javë për sulme kundër Rusisë, e cila vazhdon fushatën e bombardimeve në Siri, edhe pse jo kundër caqeve të Shtetit Islamik. Grupi ekstremist ka thyer heshtjen duke bërë thirrje për “xhihad” kundër Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara. Në një fjalim prej 40-minutash zëdhënësi i Shtetit Islamik, Abu Mohammed al-Adnani, apelon me të “rinjtë islamikë” që të ndezin xhihad, apo luftë të shenjtë, kundër rusëve dhe amerikanëve. “Rusia do të mposhtet”, ka thënë al-Adnani. Mesazhi i tij duket të jetë deklaraimi i parë zyrtar i Shtetit Islamik, i cili i referohet Rusisë, që kurë kjo e fundit ka nisur fushatën e bombardimeve në Siri, më 30 shtator. Heshtja e Shtetit Islamik nuk është e çuditshme, marrë parasysh se sulmet ajrore ruse kanë goditur kryesisht rivalët e grupit ekstremist, Frontin al-Nusra dhe Ushtrinë e Lirë Siriane, grup i rebelëve të moderuar, që mbështetet nga Perëndimi. Në fakt, prejse kanë nisur sulmet ruse, Shteti Islamik ka bërë avancime kundrejt rebelëve sirianë në provincën Alepo. Por, a është e rastësishme që al-Adnani ka kërcënuar Rusinë vetëm një ditë pasi rivali i tij, lideri i Frontit al-Nusra, Abu Mohammad al-Jolani, u ka bërë thirrje militantëve në Kaukazin Verior që të sulmojnë civilët dhe ushtarët rusë, në përgjigje të sulmeve ajrore të Moskës?“Nëse ushtria ruse vret njerëz të Sirisë, atëherë vrisni njerëzit e saj. Nëse ata vrasin ushtarët tanë, ju vrisni ushtarët e tyre”, ka thënë al-Jolani. Në Moskë nuk ka pasur sulme qysh në janar të vitit 2011, kur një sulmues vetëvrasës ka vrarë 37 veta në Aeroportin Ndërkombëtar Domodedovo. Por, autoritetet ruse kanë thënë më 12 tetor se kanë parandaluar një sulm të madh terrorist në kryeqytet. Shërbimi Federal i Sigurisë ka thënë se të përfshirët në komplot – të gjithë shtetas rusë – kanë bërë trajnime luftarake në Siri. Mediat ruse kanë raportuar se gjykata ka dërguar në paraburgim deri në dhjetor tre të dyshuar: Mokhmad Mezhidov, Elman Ashaev dhe Aslan Baysultanov. Qëllim i sulmeve të planifikuara ka qenë t’i jepet fund pjesëmarrjes së forcave ruse në operacione kundër Shtetit Islamik në Siri, kanë thënë hetuesit. Por, sipas raporteve, organizatori i dyshuar i sulmeve ka qenë një militant nga Kabardino-Balkaria, që policia ka kërkuar për më shumë se një dekadë, duke sugjeruar se ky individ nuk ka gjasa të ketë qenë në Siri.

 

Share it :