Gëzim Saliu
“Nevojë që të luftohet kundër ekstremizmit, Shqipëria është parë si vend që e ka marrë këtë udhëheqje në Ballkan”
Ndihmëssekretarja amerikane e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Victoria Nuland, dha dje mesazhin e qartë për klasën politike shqiptare dhe liderët politikë në vend duke theksuar se shqiptarët nuk meritojnë të votojnë personat e inkriminuar. Pas takimeve me Presidentin Nishani, Kryeministrin Rama dhe kreun e opozitës Basha, Nuland, gjatë një bashkëbisedimi me anëtarë të shoqërisë civile vendosi theksin në fjalën e saj tek dekriminalizimi. “Të jemi të sinqertë, në një demokraci njerëzit, votuesit meritojnë që të kenë të drejtën që të votojnë persona që nuk kanë histori kriminale dhe gjithashtu ne i bëjmë thirrje të gjithë popullit shqiptar që të insistojë që partitë politike ti ofrojnë atyre kandidatë të pastër. Ajo që ne dëshirojmë është që të bëhet shumë, shumë e vështirë, duke pasur ndryshimet e nevojshme kushtetuese, të bëhet e vështirë që personat që kanë të shkuar kriminale, ose të cilët do të angazhohen në veprimtari kriminale gjatë punës së tyre duke mbajtur një pozicione zyrtare të mos jenë pjesë”, – tha ajo. Në këtë kontekst, Nuland theksoi më tej: “Dëshirojmë të kërkojmë që drejtuesit politikë, të lidhen me njëri-tjetrin që të krijohet një sistem, që të pengojnë politikanët e tillë. Kemi dëgjuar përkushtim dhe angazhim nga qeveria dhe opozita, por tani ata duhet të punojnë që ta shndërrojnë këtë në një premtim konkret”, – tha ndihmëssekretarja amerikane e Shtetit.
Mesazhet
Një tjetër pikë e rëndësishme e nënvizuar nga Nuland në vizitën e saj në Shqipëri ishte edhe nevoja e luftës ndaj ekstremizmit, ku nuk ngurroi të theksonte se në këtë drejtim, Shqipëria ka marrë rolin e udhëheqësit. “Diçka që kemi biseduar me të gjithë spektrin politik është nevoja që të luftohet kundër ekstremizmit. Shqipëria është ngritur në një nivel të tillë, është parë si një vend që e ka marrë këtë udhëheqje në Ballkan”, – pohoi ajo. Nga ana tjetër zyrtarja e lartë e DASH përgëzoi Shqipërinë për bashkëpunimin ndërfetar. “Ju keni një traditë të pasur bashkëpunimi, dhe për atë ndërfetar. Ne dëshirojmë t’ju përgëzojmë për atë që keni bërë”, – tha ajo. Gjatë qëndrimit në vendin tonë zyrtarja e Departamentit të Shtetit u takua me autoritetet më të larta shqiptare, Presidentin Nishani, kryeministrin Rama si dhe kreun e opozitës, Lulzim Basha, me të cilët bisedoi për intensifikimin e dialogut mes SHBA-së dhe Shqipërisë. Por në këtë vizitë të Ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike vu re mungesa e takimit me Kryeparlamentarin Meta. Pjesë e turit ballkanik të Nuland ishte vizita të premten në Kroaci, më pas ndalesa të shtunën në Srebrenicë, më pas takimet në Prishtinë dhe së fundmi vizita në Maqedoni. Turi i Nuland në Ballkan, i cili mbyllet ditën e nesërme, do të vijojë me vizitat e tjera në vendet e rajonit si Serbi dhe Mal të Zi.
Nuland takohet me ambasadorin Lu: Shqipëria, përparim, por ka ende punë për të bërë
Zyrtarja amerikane Victoria Nuland zhvilloi dje një takim edhe me ambasadorin e SHBA-së në Tiranë, Donald Lu. Një prej temave kryesore të këtij takimi ishte reforma në drejtësi si edhe rëndësia e demokratizimit të mëtejshëm të vendit. “Mundësi për të diskutuar çështje me rëndësi. Në takime folëm për partneritetin strategjik. Folëm për reformën në drejtësi, demokratizimin. SHBA ka investuar përgjatë 20 viteve në këtë marrëdhënie. Shqipëria përparim, por ka ende punë për të bërë”, – tha Nuland.
Takimi në Presidencë/ Nishani, Nulandit: Reforma në drejtësi prioritet, nuk mund të ndahet në politike e teknike
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, priti dje në një takim të veçantë, Nën Sekretaren amerikane të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe ato Euroaziatike Victoria Nuland, e cila shoqërohej në këtë takim nga Zëvendës Ndihmës Sekretarja amerikane për Mbrojtjes Evelyn Farkas. Nishani shprehu mirënjohjen për vëmendjen e veçantë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj zhvillimeve në vendin tonë, duke theksuar se falë kësaj vëmendjeje, në Shqipëri po avancojnë çështje shumë principale, që lidhen me reformat, forcimin e institucioneve demokratike, shtetit të së drejtës dhe lirisë ekonomike të tregut. “Prania dhe vëmendja e Shteteve të Bashkuara në rajonin e Ballkanit Perëndimor mbetet jetike, pasi tentativat për destabilizimin e këtij rajoni mbetet një sfidë shumë serioze”, – tha ai duke shtuar më tej: “Si vend anëtar i NATO-s, Shqipëria është shumë e interesuar për të kontribuar për sigurinë e vendit dhe të Aleancës, por është gjithashtu e vëmendshme edhe për të respektuar standardet buxhetore të Aleancës”. Nga ana tjetër kreu i Shtetit garantoi: “Si President i Republikës ai do të vijojë të jetë një zë i fuqishëm në buxhetimin e forcave të armatosura të Shqipërisë konform standardeve të NATO-s, pasi vetëm me një angazhim të përbashkët mund të përballohen sfida të përbashkëta”. Ndërkaq kreu i shtetit shprehu një vlerësimin të veçantë edhe për kontributin e Shteteve të Bashkuara dhe misioneve amerikane si ICITAP dhe OPDAT, për ekspertizën e shkëlqyer që kanë sjellë në Shqipëri, por edhe të Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, për angazhimin e drejtpërdrejtë dhe inkurajimit që i kanë bërë reformës në drejtësi. “Reforma në drejtësi mbetet prioritet i prioriteteve tona dhe ajo duhet të jetë cilësore dhe premtuese. Ajo nuk mund të ndahet në politike dhe teknike, pasi sfida kryesore ka qenë gjithmonë e lidhur me procesin e implementimit të ligjeve e reformave, që është përgjegjësi dhe vullnet politik”, – u shpreh ai. Duke vlerësuar edhe angazhimin e Ambasadorit amerikan në Tiranë, Presidenti i Republikës evidentoi dekriminalizimin si një prej betejave reale të shoqërisë shqiptare. Kreu i Shtetit vuri në dukje: “Dekriminalizimi i politikës dhe institucioneve publike shqiptare mbetet një prej sfidave shumë e rëndësishme për vendin, pasi përfshirja e elementëve kriminalë në skenën politike dhe institucionet shqiptare përbën një kërcënim real për demokracinë dhe shoqërinë shqiptare”.
Ambasada e SHBA: Nuland tha se pa dekriminalizim dhe reformë në drejtësi s’ka integrim
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës përmes një njoftimi të shpërndarë edhe në faqen e saj në rrjetin social FB, dha detaje lidhur me vizitën e Ndihmës Sekretares së Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Victoria Nuland në Shqipëri. Duke bërë të ditur rëndësinë e ecjeje përpara me reformat, ambasada tha se mesazh i zyrtares së lartë të DASH ishte se pa reformën në drejtësi dhe dekriminalizimin nuk mund të ketë hapa para në integrimin evropian. “Sot, ndihmëssekretarja e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Victoria Nuland, vizitoi Tiranën dhe u takua me Presidentin Nishani, Kryeministrin Rama, ministrin e Jashtëm Bushati dhe kryetarin e Partisë Demokratike Basha. Ata biseduan për një sërë çështjesh dypalëshe që përbëjnë Partneritetin Strategjik midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, përfshirë çështje të sigurisë, mbrojtjes dhe energjisë. Përveç këtyre, ata biseduan edhe mbi zgjedhjet e fundit dhe nevojën që të gjitha partitë të ecin përpara me reformën në drejtësi dhe dekriminalizimin. Ndihmës Sekretarja përsëriti se pa këto reforma kyçe demokratike, Shqipëria nuk do të mundet të ndërmarrë hapin drejt integrimit më të madh euroatlantik. Gjatë një takimi me përfaqësues të shoqërisë civile, Ndihmës Sekretarja përgëzoi rolin e shoqërisë civile në promovimin e llogaridhënies dhe transparencës në qeveri, zbulimit të korrupsionit dhe mbështetjes ndaj të drejtave të njeriut, si dhe i nxiti ata që të ndërmarrin një rol më aktiv në shtytjen ndaj reformave”, – thuhej në njoftimin e ambasadës.
Pas takimit me zyrtaren e lartë të DASH/ Basha: Nuland mbështet platformën e PD-së, të inkriminuarit jashtë nga Parlamenti e bashkitë
Krimi dhe korrupsioni, zgjedhjet e lira dhe prapësimi i demokracisë shqetësimet e ndara me ndihmës-sekretaren e Shtetit
Pas takimit të zhvilluar me zv.sekretaren e DASH, Victoria Nuland, kreu i PD-së, Basha, iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve lidhur me temat e diskutimit, ku vendosi theksin tek platforma e PD-së për të larguar të inkriminuarit nga Parlamenti e bashkitë.
Z .Basha, cili ishte tema e bisedimeve me ndihmëssekretaren e Shtetit znj. Nuland?
Së pari, dua të falënderoj ndihmëssekretaren e Shtetit znj. Nuland për vëmendjen e madhe që i jep Shqipërisë dhe mbështetjen e madhe që i ka dhënë dhe vazhdon ti japë popullit shqiptar në kauzën e demokracisë, të shtetit ligjor, të luftës kundër krimit dhe korrupsionit, që siç i ka cilësuar vetë ndihmës-sekretarja Nuland janë dy tumoret kanceroze të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor. Në këtë takim pata mundësinë ta njoh me zhvillimet e fundit duke nisur me zgjedhjet e 21 Qershorit ku për fat të keq paralajmërimi i Komitetit të Helsinkit të Kongresit Amerikan u vërtetua. Pavarësisht thirrjeve nga ligjvënësit amerikanë që të organizohej një proces zgjedhor ku publiku dhe qytetarët të kishin besim në votën e tyre dhe mos-prekjen e votës, një proces ku të mos intimidoheshin, kërcënoheshin dhe të viheshin nën presion institucionet zgjedhore, zgjedhësit, vëzhguesit, komisionerët dhe opozita, për fat të keq, siç vërteton dhe raporti paraprak i OSBE/ODIHR-it, raporti i Këshillit të Evropës, vetë deklarata e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës pas zgjedhjeve, ishte pikërisht kjo që ndodhi.
Pati blerje masive të votës, pati presion mbi votuesit, mbi administratën, mbi institucionet zgjedhore, mbi opozitën, mbi aktivistët. Pati përfshirje masive të kontigjenteve kriminale dhe krimit të organizuar dhe krimit ordiner si dhe kandidim të personave me rekorde kriminale pavarësisht se komuniteti ndërkombëtar në tërësi dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në veçanti kërkuan tërheqjen e tyre, siç ishte rasti i Elvis Roshit dhe Artur Bushit në zgjedhjet që sapo lamë pas.
Këto probleme për sa i përket mbetjes në vend të procesit të dekriminalizimit për shkak të mungesës së vullnetit nga mazhoranca, nga dyshja Rama-Meta, problem i madh i korrupsionit i cili vetëm këto 5 muaj i ka kushtuar shqiptarëve 150 milionë dollarë në tatime dhe dogana, para që duhet të shkonin për rritje rrogash, pensionesh e rritje të ndihmës ekonomike, për shkolla, qendra shëndetësore, por që në fakt janë vjedhur nga doganat dhe tatimet e shqiptarëve, pra problemet e asaj që quhet zhbërje të standardeve demokratike, prapsim i procesit demokratik, dhe probleme të krimit dhe korrupsionit, kanë dominuar pjesën kryesore të bisedës me ndihmëssekretaren Nuland.
- Basha, çfarë keni marrë mbrapsht nga znj. Nuland në çështjet që keni ngritur?
Kam marrë mbështetjen e plotë nga ndihmëssekretarja e Shtetit znj. Nuland, të SHBA-ve, për përpjekjet e Partisë Demokratike dhe platformën tonë për të trajtuar këto probleme kryesore të demokracisë shqiptare. Pikësëpari çështjen e dekriminalizimit, për të ecur përpara me axhendën tonë të dekriminalizimit në mënyrë që qytetarët shqiptarë të kenë atë që meritojnë, një parlament dhe pushtet vendor të pastër nga personat me rekorde kriminale. Kjo do të thotë se Partia Demokratike do të vazhdojë të ecë përpara me platformën e saj duke çuar propozimet konkrete edhe njëherë, për herë të dytë në parlament me qëllim që kushdo që sot është anëtar i parlamentit apo kryetar i njësive vendore të dalë nga 21 Qershori dhe që ka rekorde të tmerrshme kriminale, të ndalohet nga mbajtja dhe ushtrimi i funksioneve të zyrave përkatëse. Pra largimi nga parlamenti shqiptar dhe nga pushteti vendor i personave me rekorde të tmerrshme kriminale dhe ndalimi po kështu përmes akteve ligjore që ne do të propozojmë dhe një strukture institucionale që po kështu do ta propozojmë, i kandidimit të tyre në të ardhmen duke filluar me zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Do t’i hidhni në tryezën e komisionit të dekriminalizimit?
Ne i kemi hedhur një herë. Janë injoruar nga shumica. Tani do ti hedhim përsëri me mbështetjen e plotë të SHBA-ve, kam besim edhe të Bashkimit Evropian. Së dyti, po kështu, kemi një mbështetje të plotë për axhendën tonë për të vënë përpara përgjegjësisë ligjore dhe politike të gjithë ata që shkatërruar standardet e zgjedhjeve të 21 Qershorit. Ne sigurisht do të procedojmë me kallëzimet tona rast pas rasti për ti vënë përpara përgjegjësisë penale ata që kërcënuan, intimiduan, ushtruan dhunë, ushtruan presion, goditën qytetarët e zgjedhësit, aktivistët e opozitës në këto zgjedhje dhe po kështu, do të ecim përpara me propozime konkrete të cilat do të synojnë pamundësimin e manipulimeve në shkallë të gjerë, në veçanti sa ka të bëjë me identifikimin e votuesve me karta e identitetit që u blenë e u shitën, u mblodhën në kundërshtim me ligjin. Dhe po kështu në raport me fenomenin e shëmtuar të shitblerjes së votës që blihen me paratë e krimit dhe korrupsionit si dhe shumë çështje të tjera të deformimit të vullnetit zgjedhësve siç treguan dhe raportet ndërkombëtare. Pra edhe kuadër të luftës tonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, mora mbështetjen e plotë të ndihmës-sekretares së Shtetit znj. Nuland. Folëm edhe për një sërë çështjesh të tjera ku u vlerësua qëndrimi i Partisë Demokratike në raport me integritetin e personave që kërkojnë zyrë publike dhe çfarë kemi bërë ne si parti në këtë drejtim si dhe me vizionin e kësaj partie dhe timin si kryetar i saj, për ti ofruar shqiptarëve atë që meritojnë në 2015 dhe më tej; një Shqipëri me standard të shekullit të 21-të dhe jo një kthim prapa në praktikat më të errëta të fillimit të këtij shekulli.
- Basha, a prekët edhe problemet ekonomike të vendit në lidhje me problemet që ka vendi si taksa progresive, çështja e pronës etj?
Këto çështje janë sigurisht pjesë e bisedës me zyrtarë të lartë të SHBA-ve por për Partinë Demokratike thelbi i problemit është krimi i ngritur në pushtet dhe i veshur me pushtet, pushteti që ka investuar tek krimi, është korrupsioni që tashmë ka kapur qeverisjen në të gjitha nivelet, siç thotë raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, është zhbërja e standardeve demokratike. Këto janë tumoret kanceroze në një stad të avancuar: regjimi i konsoliduar i krimit dhe korrupsionit që përbën sfidën më të madhe për sigurinë dhe mirëqënien e qytetarë shqiptarë dhe para të cilave qëndron e vendosur për betejë deri në fitore Partia Demokratike dhe unë personalisht.




