NJERIU ME BAROMINË

Agron Tufa

to beauty “Bum-bum!” – djersin dikush me barominë.

Ai vrima hap në kafka të njoma: “bum-bum!” –

pëllëmbët pështyn dhe godet mbi tjera rrashta

të lashta, të ngurta – korraca, mandej, vrimat –

golle të errëta – i mbush me kripë e tritol.

Kafka, si predha me djegore të brendshme –

pëlcasin dheun sa cekin…

 

Në birrarinë e fshatit, mbrëmjeve,

ai, me zë të zvargur, flet

për spektaklin e kafkave fishkëllyese,

për trajektoren e flurudhës

dhe për hatanë e gjëmimit

të lëndës plasëse, me mbushje

fanatizmash sektantë, racizëm, konspiracion…

 

“Bum-bum!” – vlon baromina, kërkëllin matrapiku

mbi kafka kockëforta çeliku – betonarme.

Ankohet njeriu i djersitur me qysqi në dorë:

“rrashta të mbrapshta”, thotë, “të pagdhendura”,

dhe duart me kallo pështyn: “plasariten e s’çahen”,

thotë, “kanë zënë të dyshojnë”, thotë,

“mendja e tyre më s’mbush”, thotë, ” e mua,

Pëllëmbët – gjak më përvëlojnë”, shton.

Rrëshqet dhe baromina: tingërr-tingau –

tingulli metalik ndër gurë. Dhe, tek ulet,

instinktivisht vihet me dredhë një cigare

me tritol të thatë. “Po, po… kanë zënë

të dyshojnë”, thotë, tek lyp me tahmin

ethshëm çakmakun: “…dyshojnë, e vedit

përditë po i bëjnë nga një referendum…”

 

E ndez dhe… “Buuuuuuuuuuuuuumm…!”

 

*13 maj 2014

 

 

 

 

Share it :