Ngurrëza e lënë në harresë, fshati ku uji mbushet në depozitën e varrezave

Amarildo Metushi

fshati NgurrëzVetëm 18 km larg qytetit të Lushnjës, ndodhet fshati Ngurrëz e Vogël. Fshati me vetëm 130 shtëpi vuan prej shumë vitesh mungesën e kushteve më minimale dhe jo vetëm kaq. Gjatë gjithë këtyre viteve të demokracisë, askush nuk e ka kthyer vëmendjen te këta banorë. Edhe pse fshatrave përreth nuk u mungon infrastruktura, në fshatin Ngurrëz premtimet e shumta të dhëna nga politikanet në prag zgjedhjesh, janë harruar sapo janë premtuar e për të parë këtë gjendje, mjafton të shkosh në këtë fshat, i cili ndodhet në zemrën e Myzeqesë. E ardhmja e këtij fshati mbetet vetëm bujqësia. Shqetësimet që ngrenë këta banorë janë të shumta dhe shumica e tyre ndihen të zhgënjyer nga politikanët që vijnë aty vetëm kur kanë nevojë për votën e tyre dhe për të dhënë premtime boshe.

Të tria rrugët hyrëse për në fshat vuajnë mungesën e infrastrukturës, gjë që ua bën shumë të vështirë jetën banorëve. Ata ndihen aq të zhgënjyer, saqë në çdo mbledhje fushate politike ka tension, debate dhe fjalë të ashpra, midis banorëve dhe kërkuesve të votës. Tensioni rritet shumë, madje ndonjëherë arrin deri aty sa nuk i lejojnë politikanet të flasin, sepse besimi që ata kanë tek ata ka humbur. E megjithatë, mjafton të hysh diku nga mesi i fshatit dhe përballesh me probleme edhe më të rënda siç janë bllokimi i rrugëve që të çojnë në parcelat bujqësore, por edhe mungesa e ujit në pothuajse gjysmën e fshatit që gjendet pak më poshtë. Banorët shprehen se gjatë përmbytjes së tokave bujqësore, një mjet bëri pastrimin e disa kanaleve kulluese në mesin e parcelave dhe me dheun që nxori nga kanali, bllokoi të gjitha rrugët hyrëse në të. Për këtë arsye banorët u detyruan të nxirrnin prodhimet e tyre me krahë.

“Edhe një punë që u munduan ta bënin nuk po e përfundojnë ashtu si duhet, edhe ato rrugë të prishura që kishim për të hyrë në tokat tona, po e bllokojnë me dheun që po nxjerrin nga kanali”, – shprehet kështu një banor i fshatit. Ndërsa një banor tjetër thotë: “na ka ardhur koha e korrjes së grurit dhe nuk kemi se si të fusim autokombajnën në parcelat tona”.

Një tjetër shqetësim që ata ngrenë, është çmimi i lartë i ilaçeve dhe plehrave që ata përdorin për të mbjellat në parcela apo sera. Ata thonë se nuk shohin ulje çmimi për ilaçet bujqësore, por rritje të tyre, madje një banor i fshatit pohon: “Kam investuar deri tani plot 7-milion lek në serën ku kam prodhimin dhe tani që jam në fund te prodhimit kam marrë vetëm 3-milion lek, pasi çmimi në treg është tepër i ulët, më duhet të marrë lek borxh për të mbjell kulturën e radhës”.

Sikur të mos mjaftonte vetëm mungesa e infrastrukturës, pothuajse gjysma e fshatit vuan mungesën e ujit të pijshëm. Investimet e bëra disa vite më parë, për të furnizuar të gjithë fshatin me ujë të pijshëm nuk kanë arritur të realizohen. Banorët thonë se u kanë premtuar për vite me radhë se do të rregullohet gjendja e furnizimit me ujë në çdo shtëpi, por edhe ky premtim shkoi bashkë me premtimet e tjera, tashme të harruar edhe të kujtuar vetëm nëpër fushatat zgjedhore. Një banor i fshatit, i cili banon në shtëpitë e para të fshatit dhe që furnizohet me ujë shprehet kështu: “Po, më vjen uji në shtëpi, por nuk pihet pasi është jashtë normave të lejuara për t’u konsumuar. Vuaj nga veshkat, doktori me tha se duhet të përdorja ujin e blerë, pasi uji që vazhdon të pish të ka dëmtuar veshkat”. Ndër të tjera ai thotë se edhe pjesa e fshatit që furnizohet me ujë, nuk e pi atë dhe të gjithë ata e blejnë ujin që konsumojnë. Më tej ai shton se gjendja e tij ekonomike është shumë e dobët për të blerë shishet e ujit nëpër dyqane. Disa nga banorët që nuk furnizohen me ujë në shtëpitë e tyre, janë të detyruar të shkojnë në depozitën e cila ndodhet te varrezat e fshatit dhe që përdoret për arsye të tjera. Njëri prej tyre thotë: “Më vjen turp që vij dhe mbush ujë këtu për të larë, por s’kam ç’të bëj, vij nga halli”. Këto problematika janë të përditshme për banorët e këtij fshati, por nuk mungojnë edhe shumë të tjera. Ashtu siç thonë edhe banorët e fshatit, “nuk duam Evropë kur s’kemi ujë për të pirë e rrugë ku të kalojmë, uji për ne është jetë dhe rruga për ne është zhvillim”. Pa këto investime fshati mbetet pas e bashkë me të edhe banoret, që ende presin me shpresën se edhe për ta dikush do të kujtohet një ditë.

Share it :