Gëzim Saliu
Rama dhe Meta në Vorë: Pozicioni gjeografik e bën zonë me shkallë punësimi të madhe. Me parkun industrial të Spitallës mundësitë e punësimit shumëfishohen
Kryeministri Rama prezantoi dje në Kamëz kandidatin e mazhorancës për këtë Bashki, Safet Gjici, nga ku gjeti rastin t’i përgjigjej edhe ftesës së vazhdueshme të kandidatit të mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, Halim Kosova. Pasi doktori e ka ftuar prej disa ditësh kreun e qeverisë për kafe, Rama deklaroi dje se do të ulet me Kosovën, por vetëm pas 22 qershorit, kur, sipas tij, ky i fundit do t’i jetë kthyer punës së tij në maternitet. “Për kafen ta kam premtuar, jam gati. Më ka kërkuar edhe Halimi të pimë një kafe ndërkohë. Halimi pret deri më 22 qershor do ta pimë atë kafe se do fillojë punë në maternitet prapë, se është gjëja e duhur që do të ndodhë”, – u shpreh ai duke iu drejtuar një banoreje, e cila i tha se kreu i qeverisë i kishte premtuar një kafe. Nga ana tjetër, duke u fokusuar tek kandidati i opozitës për Bashkinë e Kamzës, Xhelal Mziu, Rama tha se ky i fundit e ktheu Bashkinë vetëm për përfitime personale. “Gjykata e Shkallës së Parë e ka nxjerrë fajtor, Gjykata e Apelit, çdo gjë mund të ndodhë… por nuk i dihet. Fajtor për grabitje të fondeve të taksave tuaja dhe sikur të mos kishte këto, çfarë bëri për Kamzën, përveçse u vuri rrugëve emrat më qesharakë në botë. Pyetja është, për rrugët e tjera, sa lekë ka marrë dhe nuk i ka shtruar?”, – tha kreu i qeverisë. Nga ana tjetër, Rama pohoi se qeveria mbajti premtimin e saj në këto dy vite për legalizimet falas. “Jepi votën! Jepi votën! E çfarë morët?! Me demek do legalizonte dhe po të fitonte Edi Rama do ju kthente andej nga keni ardhur. E kundërta doli e vërtetë. Fitonte ai, humbnit ju. Në katër vitet e mandatit të Safetit këtu në Kamzë, do t’i japim fund procesit të legalizimeve”, – deklaroi ai në Kamëz, njësi e cila njihet si një prej bastioneve të PD-së.
Takimi në Vorë
Pas takimit në Kamëz, Kryeministri së bashku me kreun e Kuvendit zhvilluan një takim elektoral në Vorë, ku Rama tha se parku industrial i Durrësit do të jetë njëri prej më të mëdhenjve në Ballkan. Për kreun e qeverisë në këto zgjedhje duhet të votohen vetëm ata që do shërbejnë për qytetarët. “Bashkia është shtëpia e përbashkët që siguron që familja brenda mureve të shtëpisë të ketë një jetë më të qetë sepse ka bashkinë në krah që i siguron shërbime cilësore për fëmijët, për më të moshuarit, për prindërit e kështu me radhë. Këtu është fjala kush do të jetë Kryetari i Bashkisë, kush do të jetë njeriu që do t’i shërbejë komunitetit. Pra demokratë të dashur zgjidhni shërbëtorin. Shërbëtori mund të jetë vetëm Luani, shërbëtor mund të jetë vetë kandidatët e “Aleancës për Shqipërinë Evropiane”, – deklaroi Rama. Nga ana e tij, Kryeparlamentari Meta premtoi 500 vende të reja pune. “Me pahir nuk çojmë njeri në punë. Çdo njeri për shkollën që ka, për formimin që ka do t’i japim 1-2 mundësi. Dhe për formimin profesional që ka do t’i krijojmë edhe një mundësi për një trajtim profesional që të gjejë veten në tregun e punës. Brenda tetorit do të hapim 500 vende të reja pune këtu në Vorë dhe do të ftojmë edhe ish-kryetarin e Bashkisë së Vorës që të kuptojë se ne jemi nga ata që mbajnë premtimet”, – tha Meta.
Veliaj: Asnjë ndërtim te “Don Bosko në 4 vite
Kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, deklaroi dje se nëse do marrë drejtimin e Bashkisë së Tiranës në katër vite në zonën e “Don Boskos” nuk do bëhet asnjë ndërtim. “Sa të jem unë kryetar i Bashkisë së Tiranës, nuk do të ketë leje ndërtimi te qendra “Don Bosko”. Nuk do të lejojmë atë që u bë me planin e xhamisë së Tiranës”, – tha ai. Gjatë pasdites, Veliaj u ndal në njësinë 4 ku vijoi me prezantimin e programit konkret për ndryshimin e kësaj zone, ku sipas tij një ndër problemet më kryesore ishte ai i rrugëve të amortizuara. Kandidati i majtë bëri të ditur dhe një vendim të Ministrisë së Kulturës, për t’ia kthyer ambientet e gjelbra të ish-kinostudios qytetarëve të kësaj njësie. “Kanë marrë një vendim historik për t’i hequr të gjitha rrethimet e asaj që sot quhet Kinostudio, dhe për t’i kthyer të gjitha hapësirat e gjelbra në funksion të publikut të njësisë numër 4”, – deklaroi Veliaj.
Interpelanca për Kumanovën/ Bushati: Nuk u cenuan kufijtë. Doda: Ngjarja do hetim ndërkombëtar
Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, i thirrur në një interpelancë nga deputetja demokrate Mesila Doda për ngjarjen e rëndë të Kumanovës deklaroi nga foltorja e Kuvendit se Shqipëria i qëndron bindjes së Maqedonia duhet të zbatojë Marrëveshjen e Ohrit. Nga ana tjetër ai theksoi se Ministria e Jashtme nuk e sheh atë që ndodhi në Kumanovë si teori konspirative e revolucioneve me ngjyra, por dëshmon vullnet për një bashkëjetesë paqësore me shtetin fqinj. “Nuk janë vërejtur shenja cenimi të kufijve tanë. Marrëveshja e Ohrit, nuk është zbatuar as në ritmet e as në fushat e parashikuara në nenet e saj. Shqipëria ndjek me përparësi zhvillimet e jetës politike në Maqedoni duke dëshmuar vullnet për një bashkëjetesë paqësore me shtetin fqinj”, – tha ai. Por për deputeten demokrate nuk duhet të jetë prioritet i shtetit shqiptar stabiliteti i Maqedonisë, më shumë se sa të drejtat e bashkëkombësve shqiptarë në Maqedoni. Sipas Dodës shteti shqiptar dhe ai i ri Kosovës heshtin kur bashkëkombësit shqiptarë trajtohen si njerëz të dorës së dytë e bien viktima të politikave intriguese të fqinjëve. A do interesohet shteti amë për shtetasit e vet? A mund ta harrojmë ne që shtetasit tanë u trajtuan si viktima të ISIS? Që shqiptarët dhunohen? Tërhiqen zvarrë? A do merremi seriozisht me gjysmëmilionë bashkëkombës që bien viktime e politikave të vendeve ku jetojnë? Janullovska, një psikopate vrasëse shtyp shqiptarët. Kjo ngjarje do hetim ndërkombëtar. Duhet hetim transparent nga persona të painfluencuar nga Gruevski”, – tha deputetja e PD-së.
Zgjedhjet vendore/ Mesazhi i SHBA-së: Votoni për të ardhmen!
Përmes një mesazhi të shkruar me dorë dhe të publikuar në faqen zyrtare të “Facebook”-ut Ambasada e SHBA-së në Tiranë ftoi dje qytetarët shqiptarë të marrin pjesë në zgjedhjet e 21 qershorit. “Vota jote përcakton të ardhmen tënde, të ardhmen e vendit tënd, qytetit apo fshatit tënd dhe të ardhmen e demokracisë. Merr pjesë në të ardhmen tënde. Vendos ti për veten tënde. VOTO”, – thuhej në mesazhin e SHBA-së. Kjo nuk është hera e parë që ambasada amerikane lëshon mesazhe të tilla sensibilizuese jo vetëm për zgjedhjet, por edhe me procesin e dekriminilazimit apo rëndësinë e mbarëvajtjes së zgjedhjeve.




