Gëzim Saliu
“Konsultim dhe gjithëpërfshirje e aktorëve institucionalë të sistemit të drejtësisë, marrjen e asistencës evropiane e amerikane dhe konsultimin me Komisionin e Venecias dhe EURALIUS”
Mazhoranca qeverisëse përmes projektligjit të saj po kërkon të marrë në kontroll sistemin e drejtësisë, duke lënë mënjanë parimet e gjithëpërfshirjes së aktorëve dhe konsultimit me ekspertët ndërkombëtarë. Kështu u shpreh dje kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në mbledhjen e grupit parlamentar, duke theksuar se pavarësisht faktit se opozita do të paraqesë alternativën e saj, me rëndësi parësore aktualisht është ndalimi dhe tërheqja e ndryshimeve antikushtetuese të qeverisë. “Ndalimi dhe tërheqja e saj nga projekti oligarkik për të marrë nën kontroll politik sistemin e drejtësisë me lloj-lloj mënyrash e artificash që nuk kanë asgjë të përbashkët as me sugjerimet e BE-së, as me standardet bazë të një Drejtësie funksionale e të pavarur. Reagimi i Pranisë së OSBE-së është një kambanë alarmi dhe një thirrje që duhet të dëgjohet. Kemi bindjen se vendet anëtarë te BE-së dhe organizata të tjera ndërkombëtare do të ngrenë zërin e tyre kundër rrezikut që kërcënon drejtësinë shqiptare nga dyshja oligarkike Rama-Meta. Opozita inkurajon reagimin ligjor dhe institucional të mbarë sistemit dhe institucioneve të drejtësisë, mbështet qëndrimet parimore dhe ligjore të Presidentit të Republikës në mbrojtje të Kushtetutës”, – deklaroi lideri i demokratëve.
Deklarata
Në reagimin e tij lidhur me reformën në drejtësi, ku dita e djeshme përkoi edhe me 1-vjetorin e zgjedhjes si kryetar i Partisë Demokratike, Basha pohoi se i vetmi synim i mazhorancës është goditja dhe kapja e sistemit. “Goditja e drejtësisë u parapri me një sulm verbal të pashembullt të Edi Ramës ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke i fyer, duke i konsideruar në grup si kategori e njëjtë me Gaten e Lazaratit, duke u përbetuar me terma të tillë, si t’i zhdukim, shporrim, burgosim, etj., Ne kemi qenë dhe jemi për përforcimin dhe intensifikimin e luftës kundër korrupsionit edhe në sistemin e drejtësi, por, fakti që ka korrupsion nuk mund të përdoret për të marrë nën kontroll politikisht sistemin. Rama dhe Meta me të tyrët edhe në këtë fushë niset nga sindroma e vitit zero dhe stigmatizimi përmes shembujsh të veçantë, që i qëmtojnë me tendencë përmes levave të pushtetit të kapura në mënyrë arbitrare, për të njollosur e damkosur gjithë sistemin dhe për derivuar në këtë mënyrë “lejen” për të shkelur me këmbë gjoja si çlirimtar të sistemit të drejtësisë”, – theksoi ai, duke shtuar se Rama dhe Meta po kërkojnë të imponohen me arrogancë dhe pa asnjë konsultim, me ligje të improvizuara jashtë kuadrit kushtetues, pa asnjë mbështetje në praktikat e mira evropiane, që cenojnë në themel parimet e drejtësisë. Nuk mund të reformohet drejtësia duke goditur demokracinë, nuk ka drejtësi pa demokraci. “Ne jemi për konsultimin dhe gjithëpërfshirjen e gjithë aktorëve dhe faktorëve institucionalë të sistemit të Drejtësisë, siç janë Presidenti i Republikës, KLD-ja, Konferenca e Gjyqësorit, e tjerë. Ne kemi qenë dhe jemi për marrjen e domosdoshme të asistencës evropiane dhe amerikane për reformën në drejtësi, për konsultimin me Komisionin e Venecias, misionin EURALIUS dhe institucione të tjera të specializuara të BE-së”, – u shpreh kreu i PD-së, Lulzim Basha.
Reagimi/ PD: Krimi po rritet, qeveria po e lufton me policë kartoni
Partia Demokratike denoncoi dje propagandën dhe fasadën e qeverisë në luftën ndaj kriminalitetit dhe aksidenteve rrugore. Koordinatori i Partisë Demokratike për Mbrojtje Ligjore dhe Denoncimet, Ervin Salianji, deklaroi se qeveria nuk po merr masa për të ulur shifrat e kriminalitetit dhe aksidenteve rrugore, por në vend të tyre po vendos fasada dhe policë kartoni anembanë vendit. Duke theksuar se shifrat e kriminalitetit janë rritur ndjeshëm në vend, Salianji u shpreh se qeveria duhet të marrë masa të menjëhershme dhe të mos bëjë show dhe propagandë. “A ju kemi thënë që kjo qeveri është qeveri e propagandës, show-t dhe fasadës?! Ja ku kemi një rast tjetër të policëve prej kartoni, të shpërndarë tashmë në rrugët e Shqipërisë. Teksa numri i vrasjeve është rritur, vjedhjet janë 7-fishuar, numri i zbulueshmërisë së krimeve nga policia ka rënë me 15%, numri i aksidenteve rrugore në rrugët e Shqipërisë është rritur ndjeshëm, ky ministër, i cili as dordolec nuk mundi të bëhej dot në krye të Ministrisë së Brendshme, ka vendosur këta dordolecë për të trembur shkelësit e ligjit. Kjo qeveri, në vend që të marrë masa të menjëhershme, emergjente, efiçente dhe energjike, për të parandaluar krimin dhe shkelësit e ligjit, vendos të lyejë këto fasada boshe dhe inefiçente. Në 300 ditë, gjendja e krimit dhe pasigurisë publike në vend është rritur. Në 300 ditë, vlera e jetës dhe pronës së qytetarëve shqiptarë ka rënë ndjeshëm”, – tha Salianji.




