Procedura si do të llogaritet pensioni social. Kush ka llogari bankare përfiton më pak
Qeveria ka miratuar vendimin “Për kriteret, procedurat dhe dokumentacionin për pensionin social”, ku do të konsiderohen të ardhurat individuale të shtetasit, që aplikon për pension social, të realizuara nga aktivitetet si më poshtë: Të ardhurat nga toka bujqësore, që siguron familja në përbërje të së cilës është personi, i cili aplikon për të përfituar pension social, të përpjesëtuara sipas numrit të anëtarëve të familjes. Të ardhurat mujore nga veprimtaria ekonomike, si aksioner i vetëm ose bashkëpronar në një aktivitet ekonomik. Të ardhurat nga pasuritë e paluajtshme individuale ose në bashkëpronësi me persona të tjerë, të dhëna për qëllime të nxjerrjes së të ardhurave (dhënie me qira ose në përdorim të personave të tjerë për një aktivitet ekonomik fitimprurës, i cili nuk është në emër të kërkuesit të pensionit social). Të ardhurat mujore nga depozita/t bankare në emër të kërkuesit.
Përllogaritja
Përllogaritja e të ardhurave individuale mujore për efekt të përcaktimit të masës së pensionit social, kryhet nga inspektori i përpunues pranë DRSSH-ve, si më poshtë: Të ardhurat nga toka bujqësore, që sigurohen nga bimët e arave, vreshtat, ullishtat, pemëtaria etj., llogariten sipas kategorive të saj, bazuar në koeficientët e përcaktuar në vendimin nr. 787, datë 14.12.2005, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve të procedurave dhe të masës së ndihmës ekonomike”, i ndryshuar, me vendimin nr. 1053, datë 23.4.2008, të Këshillit të Ministrave. Për përcaktimin e të ardhurave specialisti përpunues që llogarit masën e pensionit social duhet t’i referohet: Sipërfaqes së tokës bujqësore, e cila është e përcaktuar në aktin e marrjes në pronësi ose në përdorim të tokës, ose certifikatën e pronësisë mbi tokën. Kategorizimit të saj, që vërtetohet me dokument të lëshuar nga seksioni i Administrimit dhe i Mbrojtjes së Tokës, pranë qarkut. Nga sipërfaqja e tokës, për efekt të llogaritjes së të ardhurave, përjashtohet sipërfaqja e tokës në proces shkripëzimi. Sipërfaqja në proces shkripëzimi përcaktohet nga seksioni i Administrimit dhe i Mbrojtjes së Tokës, pranë qarkut. Për llogaritjen e të ardhurave individuale mujore të personit që aplikon për pension social, të ardhurat vjetore, që realizohen nga toka bujqësore në pronësi dhe/ose në përdorim të familjes bujqësore, pjesëtohen me numrin e familjarëve, sipas certifikatës familjare dhe të ardhurat vjetore për çdo person, kthehen në të ardhura mujore, duke u pjesëtuar me 12. Shtetasit që kanë ndryshuar vendbanimin, pas datës 1.8.1991 dhe që kanë ruajtur pronësinë mbi tokën, duhet të sjellin vërtetimin për tokën bujqësore të marrë në pronësi apo në përdorim nga bashkitë dhe Seksionet e Mbrojtjes dhe Administrimit të Tokës së rrethit nga kanë ardhur. Në rast se nuk e zotërojnë më pronësinë mbi tokën, duhet të paraqesin aktin noterial që provon tjetërsimin e saj.
Shembull
Mënyra e llogaritjes së të ardhurave nga toka bujqësore. Supozojmë se familja e shtetasit që aplikon për të përfituar pension social përbëhet nga 5 persona dhe ka në pronësi 10.000 m2 (1 ha) tokë të kategorisë IV. Kategoria IV e ka koeficientin e të ardhurave nga toka 11 lekë për m2 në vit. E ardhura që siguron si familje llogaritet 110.000 lekë në vit (10.000 m 2 x 11 lekë/m2 ). E ardhura individuale: 110.000 lekë / 5 persona / 12 muaj = 1.833 lekë në muaj.
Të ardhurat
Të ardhurat mujore nga veprimtaria ekonomike si aksionar i vetëm dhe/ose bashkëpronar në një aktivitet ekonomik, vlerësohen bazuar në: i) Vërtetimin e lëshuar nga drejtoritë rajonale të tatimeve, ku përcaktohet statusi i aksionarit dhe/ose i bashkëpronarit, si dhe deklarata vjetore e pranuar e fitimit; ii) Deklarimi për shumën e fitimit vjetor, të evidentuar nga vetë kërkuesi; iii) E ardhura mujore llogaritet bazuar në deklarimin e fitimit vjetor, të krahasuar me vërtetimin e lëshuar nga DRT-ja, të pjesëtuar me 12. Të ardhurat nga pasuritë e paluajtshme individuale ose në bashkëpronësi me persona të tjerë, të dhëna me qëllim të nxjerrjes së të ardhurave (dhënie me qira ose që përdoren nga të tjerë për një aktivitet ekonomik fitimprurës, i cili nuk është në emër të kërkuesit të pensionit social) vlerësohen bazuar në: Vërtetimin e lëshuar nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme; Deklarimin e kërkuesit për shumën e të ardhurës vjetore individuale nga qiradhënia ose aktiviteti ekonomik që ushtrohet; Kontratën/at e dhënies me qira ose në përdorim të pasurisë së paluajtshme; Në rastet kur kërkuesi ka në pronësi apo në bashkëpronësi më shumë se një banesë, duhet të saktësojë në deklarimet ose dokumentet që dorëzon, faktin nëse ka ose jo prona të dhëna me qira dhe cilat prej tyre; Llogaritja e së ardhurës mujore bazohet në të ardhurat e deklaruara dhe në rast prone në bashkëpronësi, përpjesëtohet sipas pjesës takuese të secilit bashkëpronar, sipas përcaktimeve në kontratën e qiradhënies. Të ardhurat e përpjesëtuara mujore nga depozitat bankare në emër të kërkuesit. i) Bazë për llogaritjen e të ardhurave mujore nga depozitat bankare është shuma vjetore sipas deklarimit të kërkuesit dhe vërtetimet nga Banka/t (nëse ka). Shuma mujore e të ardhurave llogaritet duke pjesëtuar shumën e të ardhurave vjetore neto (të ardhurat nga interesi pasi zbritet tatimi) pjesëtuar me 12.
Shifrat
Të ardhurat individuale për shtetasin që aplikon për të përfituar pension social do të llogariten mujore dhe do të rivlerësohen një herë në vit, bazuar në deklaratën e re për gjendjen social-ekonomike të përfituesit, e cila verifikohet nga DRSSH-të dhe krahasohet me deklarimet e verifikimet e mëparshme. Pensionin social e përfitojnë edhe shtetasit, që janë vendosur në institucionet rezidenciale (siç janë shtëpitë e të moshuarve), të cilët plotësojnë kriteret ligjore. Për shtetasit që plotësojnë kushtet për përfitimin e pensionit social dhe janë të vendosur në institucione rezidenciale njoftohet Shërbimi Social Shtetëror. Masa mujore e pensionit social të pjesshëm llogaritet si diferencë midis pensionit social të plotë dhe të ardhurave mujore individuale të deklaruara, të vlerësuara dhe të pranuara. Pensioni social i pjesshëm, që nga llogaritjet rezulton të jetë më pak se 200 lekë në muaj, nuk paguhet. 6. Për personat, të cilëve iu ka lindur e drejta për pension social nga data 1.1.2015 – 30.6.2015 dhe nuk kanë paraqitur akoma kërkesën për pensionin social apo dokumentacioni nuk është përpunuar, e drejta e fillimit të pagesës për pension social do të jetë nga data 1.1.2015. Për rastet e tjera, e drejta e përfitimit të pagesës fillon nga data e paraqitjes së kërkesës.




