Në shenjë mirënjohje dhe respekti për kontributin e tij të çmuar ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve një prej rrugëve të kryeqytetit do të mbajë që nga dita e sotme emrin Otto von Habsburg, Princit të fundit të Kurorës perandorake austro-hungareze.
Përmes një ceremonie ku ishin pranishëm ishin anëtarët e familjes Habsburg duke përfshirë Arkidukën Karl, Monica, Gabriela, Walburga dhe Georg von Habsburg, kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha, përuroi rrugën e re duke shprehur mirënjohje për kontributin e Princit për Shqipërinë.
“Një nga udhëheqësit e shquar të lëvizjes paneuropianiste, antinazist dhe antikomunist i vendosur, luftëtar i paepur për rrëzimin e murit të Berlinit dhe avokat i palodhur i zgjerimit të shpejtë të Bashkimit Europian me vendet e lindjes ish-komuniste”, theksoi Basha.




