Merkato/ Gotze ëndrra e re e Juventusit, Reali harron De Gean mendon për Casilla

Gotze ëndrra e re e JuventusitJuventinët e dëshirojnë xhevahirin gjerman për ta pasur në sezonin e ri dhe për të qenë sa më kompetitivë në Champions

Reali, duke parë dhe alternativat e pakta që i mbeten, synon të marrë portierin e Espanyolit, Kiko Casilla dhe në mbrojtje Garay

Merkatoja është akoma e ndezur dhe sidomos në futbollin italian, që duket se është duke ecur me hapa gjigantë. Futbollisti me të cilin ëndërron të firmosë Juventusi në merkaton e kësaj vere e ka tashmë një emër dhe një mbiemër, ai është Mario Gotze. Pas largimeve të Carlos Tevez dhe Andrea Pirlos dhe afrimeve të Dybala, Mandzukic, Khediras dhe Zazas bardhezinjtë nuk dëshirojnë të ndalen në merkato dhe kanë nisur nga puna për të realizuar goditjen big. Sipas “Tuttosport”, gazetës që qëndron shumë pranë Juventusit, Massimiliano Allegri dëshiron një lojtar të madh dhe drejtuesit e kampionëve të Italisë do të bëjnë gjithçka për të kënaqur trajnerin e tyre. Aktualisht kalimi i Gotzes në Torino ngjason më shumë me një ëndërr por duke parë problemet që ka njeriu që me golin e tij në finalen ndaj Argjentinës i hapi rrugën suksesit të Gjermanisë në Botërorin e Brazilit me trajnerin e Bayernit Guardiola bardhezinjtë qëndrojnë me shpresë. Fjalët e menaxherit të futbollistit 23-vjecar se Pep po shkatërron Gotzen janë një sinjal i qartë se raportet mes tyre nuk janë më si më parë. Ish lojtari i Dortmundit nuk ndjen më besimin e trajnerit spanjoll dhe talenti gjerman mund të mendojë seriozisht largimin nga bavarezët. Bayerni e bleu Gotzen, për 37 milionë Euro nga Borussia 2 vjet më parë, por Juventusit kartoni i 23-vjecarit mund ti kushtojë reth 40 milionë Euro. Një shifër e lartë për arkat e bardhezinjëve aq më tepër që Gotze te kampionët e Gjermanisë përfiton 7 milionë Euro në sezon. Objektiv më real për piemontezët është Oscar i Chelsea-it por merkato ka shumë të papritura dhe Andrea Agnelli mund ta bëjë një sakrificë duke transferuar sulmuesin gjerman në Torino për të bërë të lumtur të gjithë tifozët bardhezinj. Por te Bayerni, Juventusi nuk pëlqen vetëm Mario Gotzen por edhe qëndërmbrojtësin maroken Mehdi Benatia. Ky i fundit në një intervistë ka theksuar se për të është një nder që kërkohet nga një klub i madh si Juve. Gjithsesi edhe në këtë rast për të bindur Bayernin drejtuesit e 31-herë kampionëve të Italisë nuk do ta kenë aspak të thjeshtë.

 

Reali mendon për portier

Pamundësia për të firmosur me David De Gean e Manchester United por edhe largimi i mundshëm i Iker Casillas me destinacion të ri Porton, ka shtyrë Realin e Madridit të kërkojë një portier të ri në merkato. I përzgjedhuri i Los Blancos gjithmonë nëse nuk bëhet i mundur transferimi i 24-vjeçarit të Manchester United David De Gea në “Santiago Bernabeu” është Kiko Casilla portieri aktual i Espanyolit. 28-vjecari i cili është rritur si futbollist në akademinë e Realit pëlqehet shumë nga trajneri Rafa Benitez dhe mbi të gjitha ka një cmim të ulët në merkaton e shitblerjes së futbollistëve. Vetëm pak kohë më parë Kiko Casilla rinovoi kontratën e tij me Espanyolin deri në vitin 2018 dhe ka një klauzolë largimi që kap shifrën e 20 milionë Eurove por Reali i Madridit mund ta shkëpusë atë nga katalanasit e vegjël për jo më shumë se 10 milionë Euro. Megjithatë drejtuesit e Los Blancos nuk po mendojnë për të përforcuar vetëm portën por edhe mbrojtjen. Nëse largohet Sergio Ramos Reali do të hidhet në sulm për të blerë një qendërmbrojtës, fillimisht u përfol për Otamendin por argjentinasi i Valencias kushton shumë dhe mbi të gjitha është prenotuar nga Manchester Junaitid-it me trajnerin Louis Van Gaal që kërkon t’ia bashkangjisë ish lojtarin Portos, Sergio Ramosit në repartin e prapavijës. Ndërkohë nga ana tjetër Otamendi është edhe ekstrakominutar dhe për ti bërë vend atij, Reali duhet të largojë brazilianin e sapo rikthyer nga Porto Casemiro. Duke marrë parasysh të gjitha këto fakte klubi merengues ka shënjestruar një tjetër argjentinas si objektiv për qendrën e mbrojtjes. Bëhet fjalë për Ezequiel Garay-in, të cilin përpara disa vitesh madrilenët ja shitën Benficës për vetëm 5.5 milionë Euro. Mbrojtësi argjentinas aktualisht është në pronësi të Zenitit por mund të largohet nga rusët për një shifër jo më të lartë se 15 milionë Euro. Ndërkohë për mesfushën ka dalë në skenë një emër i ri. Sipas mediave spanjolle Reali i Madridit interesohet për talentin e Sportingut të Lisbonës Wlliam Carvalho. Reali dëshiron të gjendet i përgatitur nga një largim i mundshëm i Illaramendit dhe po mendon për mesfushorin portugez i cili ka një klauzolë largimi shumë të lartë që kap shifrën 45 milionë Eurove, por madrilenët mund të hynë në bisedime vetëm nëse Sportingu bën ulje çmimi për kartonin e 23-vjeçarit.

 

 

Darmian akord me Unitedin

Duket se Manchester United ka rënë dakord me Torinon për transferimin e mbrojtësit, Matteo Darmian.’Djajtë e Kuq’ do të paguajnë 18 milionë euro për mbrojtësin italian. Sipas ‘Sky Italia’, kjo ishte oferta e tretë nga klubi anglez, pasi dy të parat ishin refuzuar në mënyrë kategorike nga Torino për shkak të shumës së vogël të ofruar nga United. Me kalimin e Nathaniel Clyne te Liverpuli nga Southamptoni, trajneri Louis van Gaal e dëshironte me çdo kusht Matteo Darmian ne ekipin e tij për sezonin e ardhshëm. Pozita natyrale e 25-vjeçarit është ajo e mbrojtësit të djathtë, por ai mund të luajë edhe në qendër në rast nevoje.

 

Guardiola: Müller, nuhatësi më i mirë i golit

Trajneri i Bayern Munichut, Pep Guardiola, është shprehur se Thomas Müller ka instinkt të jashtëzakonshëm për të shënuar gol. Edhe pse mediat gjermane raportuan javën e kaluar për një zënkë mes sulmuesit gjerman dhe trajnerit spanjoll, ky i fundit ka gjetur kohë për ta lëvduar lojtarin që shënoi 21 gola sezonin e kaluar. “Thomas ka aftësi të jashtëzakonshme, mirëpo loja një kundër një nuk është cilësi e tij. Ai ka diçka tjetër të veçantë. Müller e nuhat golin më mirë se çdo kush tjetër”, – ka thënë Guardiola. “Ai është gjithmonë aty dhe asnjëherë nuk është i lënduar. Thomas mund të luajë në çdo pozitë. Ne kemi nevojë për lojtarët që janë të mirë në situata një kundër një, që t’ia pasojnë topin Müllerit ose Robert Lewandowskit”, – ka shtuar ai

 

Hummels: Faleminderit United, por qëndroj te Dortmund

Mbrojtësi gjerman, Mats Hummels, ka thënë se ndihet i nderuar me interesimin e Manchester United, mirëpo ka konfirmuar se ka vendosur që të qëndrojë te Borussia Dortmundi. 26-vjeçari ka qenë objektiv i Djajve të Kuq, teksa muajin e kaluar kishte pranuar se do t’i pëlqente të ndërronte klub. Sidoqoftë, ai tani ka ndërruar mëndje dhe ka vendosur që të qëndrojë te Dortmundi. “Gjithmonë ka pasur thashetheme për pothuajse të gjithë lojtarët e Dortmundit, por unë kam vendosur që të mos transferohem këtë vit”, – ka thënë fillimisht Hummels. Natyrisht është nder i madh kur klubet e mëdha si Manchester United interesohen. Por, unë kam vendosur që të qëndroj këtu”, – ka shtuar ai.

 

Shaqiri te Stoke me kusht

Xherdan Shaqiri është shumë afër largimit nga Interi dhe me shumë presion është gati të pranojë kalimin e tij te Stoke City. Sipas “The Guardian”, Shaqiri është gati t’i japë një përgjigjeje pozitive ekipit anglez, por ai ka kërkuar një klauzolë specifike në kontratën e tij. Shaqiri dëshiron që Stoke ta lë atë të lirë, nëse ai kërkohet nga ndonjë klub i cili është pjesë e Ligës së Kampionëve. Tani, më këtë kërkesë të re nga lojtari i përfaqësues së Zvicrës, Stoke ka kërkuar pak kohë që t’i japë atij një përgjigje përfundimtare.

 

Behrami qëndron te Hamburgu

Futbollsti shqiptar i Zvicrës, Valon Behrami, i cili nuk treguar formë të mirë tek skuadra gjermane sezonin e kaluar, i është bashkuar Hamburgut në fazën përgatitore që ka nisur dje. Ndonëse është spekuluar se Behrami gjatë kësaj verë do të largohet nga klubi gjerman, megjithatë, duket se lojtari edhe në sezonin e ardhshëm do të jetë pjesë e Hamburgut. Sipas mediave gjermane, krerët e Hamburgut dëshirojnë t’i japin edhe një shans 30-vjeçarit, i cili është i lidhur me një rikthim të mundshëm te ish-klubi i tij, Fiorentina.

 

Agjenti i Silvas: Milan ta harrojë rikthimin

Mbrojtësi i Paris Saint-Germainit, Thiago Silva, nuk do të kthehet këtë verë tek Milani. Lojtari brazilian është i lidhur me një rikthim të mundshëm në San Siro, por agjenti i lojtarit i tij, Paulo Tonietto, ka hedhur poshtë këtë mundësi. “Thiago Silva është i lumtur në PSG dhe nuk ka asnjë shans që ai të largohet nga klubi. Ai gjithashtu është i shtrenjtë për Milanin”, – ka thënë agjenti i brazilianit. 30-vjeçari me kampionët në fuqi të Francës ka kontratë deri në verën e vitit 2018.

 

Di Maria drejt PSG-së

Paris Saint-Germain është një hap larg transferimit të yllit të Manchester United, Angel Di Maria. Sipas ‘Foot365’, agjenti i mesfushorit argjentinas, Jorge Mendes, momentalisht ndodhet në Francë dhe është duke punuar me klubin francez për të arritur një marrëveshje për Di Marian. Raportohet se PSG i ka ofruar 15 milionë euro në sezon lojtarit dhe United rreth 60 milionë euro, gjë që duket të jetë një ofertë mjaft tunduese si për lojtarin, ashtu edhe për klubin.

 

Turan nuk huazohet, qëndron te Barcelona

Trajneri i Barcelonës, Luis Enrique, raportohet se nuk ka lejuar që mesfushori i ri i klubit, Arda Turan, të huazohet deri në muajin janar. 28-vjeçari kompletoi transferimin e tij te gjiganti katalanas nga Atletiao të hënën për 41 milionë euro. Gjithsesi dënimi i FIFA-s që i ndalon transferime Barcelonës, nënkupton që Turan nuk do të paraqitet zyrtarisht për klubin e ri deri në janar të 2016-ës. Raportohej se turku do të huazohet për gjashtë muaj deri sa të debutojë në “Camp Nou”, por, sipas “Football Espanas”, Enrique do që ai të mbetet në Barcelonë dhe të mësohet me jetën e re. Turan ishte te Atletico për katër sezone duke i ndihmuar klubit për triumfin në La Liga.

 

Vidal dënohet dy vjet me heqje patente

Mesfushorit të Juventusit, Arturo Vidal, i është dhënë dënimi për aksidentin e shkaktuar në kohën sa ishte në Kili për Kupën e Amerikës. Lojtarit i është dhënë një dënim për ndalim patente për dy vjet dhe dënimi do të kishte qënë edhe më i rëndë nëse do të kishte pasur të lënduar. Një dënim që duket se do ta bëjë lojtarin të mendojë mirë për jetën e natës që bën. Lojtari një ditë pas aksidentit kishte kërkuar falje publikisht pasi kishte ofenduar dy policë që ishin në vendin e ngjarjes.

Share it :