Gëzim Saliu
“Çekia kritikon faktin se bisedimet ndërmjet Shqipërisë dhe CEZ-it nuk kanë çuar kurrkund”
Çekia është përgatitur për të bllokuar dhënien e statusit të vendit kandidat në BE për Shqipërinë, për shkak të mosmarrëveshjeve që shteti shqiptar ka me kompaninë çeke të shpërndarjes së energjisë CEZ. Kështu shkruante një ditë më parë Agjencia Çeke e Lajmeve, e cila, duke iu referuar burimeve nga zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian, theksonte se edhe në dhjetor Praga dha paralajmërim për bllokimin e statusit, nëse nuk zgjidhej çështje e CEZ-it. “Republika Çeke është e përgatitur për të bllokuar dhënien e statusit të vendit kandidat në BE për Shqipërinë, për shkak të mosmarrëveshjeve që shteti shqiptar ka me kompaninë energjetike CEZ. Në fillim të qershorit, Komisioni Evropian rekomandoi që Shqipërisë t’i jepej statusi i vendit kandidat dhe një samit do të vendosë për të në fund të qershorit. Sipas burimeve të CTK-së, Praga ka kritikuar faktin se bisedimet ndërmjet Shqipërisë dhe CEZ-it në Vjenë nuk kanë çuar kurrkund. Praga i dërgoi një sinjal Shqipërisë pak kohë më parë, duke treguar se kjo çështje mund të ndikojë në miratimin e statusit të saj, që duhet ta miratojnë të 28 shtetet anëtare”, – bëri të ditur agjencia “Ceskenoviny”. Nga ana tjetër Kryeministri i Çekisë ka bërë të ditur më parë se shteti që ai drejton mbështet zgjerimin e BE-së, duke përfshirë edhe Shqipërinë. Por ndërkohë, ai ka theksuar se vendi duhet të bëjë hapa para për mbrojtjen e investimeve të huaja si edhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Çështja
Në shkrimin e saj, agjencia e lajmeve çeke bënte edhe një përmbledhje të çështjes së CEZ-it në Shqipëri, duke bërë të ditur se vitin e kaluar Shqipëria i hoqi kompanisë licencën. “Prandaj, kompania kërkoi një arbitrazh ndërkombëtar me Tiranën. Në janar të 2013-ës, Enti Rregullator i Energjisë në Shqipëri revokoi licencën e kompanisë së shpërndarjes së energjisë, CEZ dhe shteti vendosi një administrator në krye të saj, si rezultat i të cilit CEZ-i e humbi kontrollin mbi shpërndarjen e energjisë. Kësisoj, CEZ-i nisi procedurat e arbitrazhit ndërkombëtar kundër Shqipërisë në bazë të Traktatit të Kartës së Energjisë, të cilin e kanë ratifikuar si Republika Çeke ashtu edhe Shqipëria, traktat që përcakton rregullat për mbrojtjen e investimeve ndërkombëtare në industrinë e energjisë. CEZ-i tashmë kërkon dëmshpërblim nga Shqipëria për të mbrojtur investimet e bëra”, – thuhej në shkrim, duke shtuar se qeveria çeke ka përparuar më shumë në hapat e hedhur krahasuar me ekzekutivin shqiptar.
Statusi
Komisioni Evropian publikoi pak ditë më parë raportin për Shqipërinë, ku konfirmoi rekomandimin drejtuar Këshillit të Evropës, për t’i dhënë vendit, statusin kandidat. Sipas raportit Shqipëria ka vazhduar të zbatojë dhe të konsolidojë masat e saj për sa u përket reformave që lidhen me BE-në, veçanërisht ato që lidhen me statusin kandidat. Por pavarësisht raportit pozitiv të KE-së, vendimi përfundimtar për statusin kandidat do të merret nga vendet anëtare të BE-së, fillimisht në mbledhjen e 23 qershorit të ministrave të Jashtëm dhe më pas do t’u kalojë kryetarëve të shteteve dhe të qeverive të 28 vendeve anëtare në 26 dhe 27 qershor. Në kohën kur vendimi për statusin kandidat merret në formë unanime, ku edhe në rast se një vend anëtar voton kundër, Shqipëria nuk do të mund të marrë atë, janë ende disa vende me peshë në BE që nuk kanë shprehur qartë qëndrimin e tyre. Pikërisht për të konfirmuar votën pro të këtyre vendeve, qeveria ka nisur një tur lobimi me dy stacione të rëndësishme, Londrën dhe Parisin. Kryeministri Rama do të vizitojë nesër Francën ku do të zhvillojë edhe një takim me Presidentin Hollande e ndërsa ministrja e Integrimit Klajda Gjosha do të vizitojë në të njëjtën kohë Britaninë e Madhe.
Vjena, lobim për statusin, 16 vende letër BE-së për mbështetjen e Shqipërisë
Në kryesimin e Vjenës, 16 vende anëtare të BE-së i kanë nisur një letër homologëve të vendeve të Unionit, baroneshës Catherine Ashton dhe Greqisë, si vendi që mban Presidencën e radhës së BE, ku kërkohet vota pro për dhënien e statusit kandidat ndaj Shqipërisë. Në këtë letër theksohej se Shqipëria ka bërë progres dhe se ka përmbushur kushtet e vendosura për të mundësuar marrjen e statusit. Letra theksonte se “angazhimi dhe progresi i Shqipërisë, ashtu si u nënvizua në raportin e qershorit të 2014-ës e bën të qartë faktin se vendi e meriton që BE t’i njohë statusin e kandidatit”.
Projektligji për bilbilfryrësit/ Masa për mbrojtjen dhe shpërblimin e informatorëve
Projektligji i ri për informatorët do të sigurojë mbrojtjen e personave qe do te kallëzojnë apo do të zbulojnë informacione për shkeljet e ndryshme, në sektorin publik apo privat. Në këtë draft, informatorët nuk do të cilësohen më si të tillë, por do të cilësohen edhe juridikisht me emrin e ri, bilbilfryrës. Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor dhe njëherazi koordinatori kombëtar i luftës kundër korrupsionit, Bledi Çuci, tha se këta punonjës do mbrohen dhe do të shpërblehen edhe financiarisht. “Nuk mjaftohet thjesht hartimi, miratimi dhe krijimi i mekanizmave në ligj, për mbrojtjen e informatorëve. Ka rëndësi që ne të diskutojmë në mënyrë të gjerë që institucionet dhe qytetarët ta përthithin paraprakisht këtë si instrument, në mënyrë që kur ai të hyj në fuqi të jetë i zbatueshëm, sepse rrezikojnë që këto lloj legjislacionesh të mbesin thjeshtë në letër dhe të mos jenë të zbatueshme. Mos të nxitohemi me miratimin e legjislacionit dhe ta quajmë punën e mbyllur dhe më pas të shohim si do eci zbatimi i këtij legjislacioni”, – tha ai.
Takimi/ Emiri i Kuvajtit, Metës: Mirënjohje shqiptarëve për mbështetjen gjatë luftës
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, u prit dje nga Emiri i këtij shteti, Sheikh Sabah Al Ahmad Al Jaber Al Sabah, i cili shoqërohej nga Madhëria e Tij, Princi i Kurorës, Sheikh Nawaf Al Ahmad Al Jaber Al Sabah. Në këtë takim, Emiri i Kuvajtit dhe Meta ranë dakord për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, veçanërisht përmes projekteve të Fondit Kuvajtian për Zhvillim, duke vlerësuar në përfundim edhe punën e ambasadave dhe të ambasadorëve në të dyja vendet. “Emiri i Kuvajtit, Sheikh Sabah, i uroi Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, mirëseardhjen në shtetin e Kuvajtit dhe shprehu ndjenjat më të ngrohta vëllazërore për popullin shqiptar, duke theksuar njëkohësisht mirënjohjen e thellë të popullit kuvajtian për mbështetjen e pakursyer të Shqipërisë gjatë ditëve të vështira të luftës së Kuvajtit”, – thuhej në njoftim. Nga ana e tij Meta ka shprehur kënaqësinë e veçantë për vizitën dhe pritjen e ngrohtë në Kuvajt dhe theksoi se “Shqipëria dhe shqiptarët janë mirënjohës ndaj Kuvajtit për mbështetjen e vazhdueshme në të gjitha fushat, veçanërisht në drejtim të njohjes së Kosovës”.




