Me Presidentin e Senatit italian/ Basha-Grasso: Shteti ligjor dhe lufta kundër krimit e korrupsionit, sfidat e Shqipërisë për në BE  

Gëzim Saliu

 

Riaktivizimi i trafiqeve të drogës drejt vendeve fqinje, cenon sigurinë dhe imazhin e vendit”

 Grasso: Shqipëria, magazinë droge, pasuritë e organizatave kriminale t’u jepen të varfërve

basha me kreun e senatit italianKryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, zhvilloi dje një takim me Presidentin e Senatit italian, Pietro Grasso, ku ndau pikëpamjet se vetëm konsolidimi i shtetit ligjor dhe institucioneve të pavarura është rruga për t’u bërë ballë sfidave të luftës kundër krimit dhe trafiqeve, korrupsionit dhe kapjes së segmenteve shtetërore përgjegjëse për zbatimin e ligjit. Në këtë kuadër kreu i demokratëve theksoi se riaktivizimi i trafiqeve të drogës nga Shqipëria drejt vendeve fqinje, dukuri që prek pothuajse çdo ditë dhe Italinë është i papranueshëm pasi cenon, sipas tij, rëndë sigurinë në vend dhe imazhin e Shqipërisë përballë partnerëve më të rëndësishëm evropianë.

 

Situata politike

Duke u ndalur tek zhvillimet në vend, kreu i PD-së i bëri të ditur Presidentit të Senatit italian se pasiguria juridike si rezultat i vendimeve arbitrare dhe shpesh të jashtëligjshme të qeverisë, si dhe moszbatimi i vendimeve të gjykatave nga ana e qeverisë ka dëmtuar shumë interesat e qytetarëve shqiptarë dhe të investitorëve të huaj. Duke marrë si shembull anulimin arbitrar nga qeveria të dhjetëra koncesioneve të ligjshme, transparente dhe konkurruese të sipërmarrësve italianë në vendin tonë, Basha tha: “Kjo dëmton klimën e biznesit, interesat e investitorëve italianë dhe qytetarët shqiptarë pasi shkurton në mënyrë dramatike vendet e punës”. Më tej, kryetari i Partisë Demokratike i shprehu Garssos mbështetjen e pakushtëzuar të opozitës për integrimin evropian të Shqipërisë dhe marrjen e statusit të vendit kandidat. Sa u përket marrëdhënieve dypalëshe, Basha pohoi vlerësimin më të lartë dhe mirënjohjen më të thellë për të gjithë mbështetjen politike, ekonomike e të gjithanshme që Italia i ka dhënë Shqipërisë gjatë gjithë kësaj periudhe, në të gjitha fushat, dhe në veçanti, në projektin madhor të anëtarësimit në BE. “Vlerësoj rolin prej partneri strategjik që Italia ka ruajtur në vazhdimësi në marrëdhëniet me Shqipërinë, duke u renditur për më se dy dekada në partnerin kryesor për sa u përket shkëmbimeve ekonomike dhe tregtare”, – theksoi kreu i PD-së gjatë bisedës me Presidentin e Senatit italian. Ndërkohë, ky i fundit në një takim me gazetarët bëri të ditur se Italia është e informuar dhe disponon fakte se Shqipëria është një vend potencial në prodhimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike drejt Evropës. Ai theksoi se prej kohësh ai ka pasur informacione për trafikun e drogës dhe, sipas tij, pas hetimeve, ka rezultuar se ka ekzistuar një pikë grumbullimi droge mes Shqipërisë, Kosovës dhe Serbisë për t’i shpërndarë me pas në Evropë nëpërmjet detit dhe tokës. “Unë për situatën kriminale kam një informacion që para një viti. Por unë mund t’ju them se ka pasur një lloj kanali të madh të trafikut drogës nga Ballkani, nga deti dhe toka. Madje kemi bërë disa hetime, dhe na ka rezultuar se ka ekzistuar një pikë grumbullimi e drogës mes Shqipërisë, Kosovës dhe Serbisë, për t’i shpërndarë më pas në Evropë”, – tha ai. Ndërkaq, Grasso sugjeroi që pasuritë e organizatave kriminale, të cilat janë sekuestruar t’u ofrohen personave që kanë nevojë, veçanërisht në periudha të tilla krize. “Duhet që të sekuestrohen pasuritë e organizatave kriminale. Dhe këto t’u ofrohen personave që kanë nevojë, veçanërisht në periudha të tilla krize. Ne kemi informacion se po ndërmerren reformat e duhura”, – deklaroi Presidenti i Senatit italian.

 

 Takimi me investitorët italianë/ Basha: Reduktim burokracive dhe taksa të ulëta, bëhuni pjesë e projekteve strategjike të Tiranës

Projektet për investitorët: Terminali multimodal, linja e tramit Kombinat-Kinostudio, projekti i menaxhimit të mbetjeve, parqet industriale dhe dhënia me koncesion e sistemit të parkimit

 

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, prezantoi dje para investitorëve italianë mundësitë që ofron kryeqyteti për investime, ku nënvizoi reduktimin e burokracive dhe taksat e ulëta. Në fjalën e tij, kryebashkiaku u ndal dhe në miratimin pas 25 vitesh të planit rregullator urbanistik të qytetit të Tiranës i cili nuk është vetëm planifikim urban por është edhe një pasaportë për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, në respekt të mjedisit dhe të cilësisë së jetës në kryeqytet. “Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë në mënyrë pro-aktive masa për një qëndrim sa më mbështetës ndaj biznesit në tërësi, investitorëve në veçanti, masa të cilat shkurtimisht janë përkthyer në eliminimin e 60 tarifave lokale, uljen maksimale sipas rregullave të autonomisë vendore të taksave të Bashkisë së Tiranës por edhe eliminimin për 5 vjet nga çdo taksë lokale të çdo investimi që punëson 50 apo më shumë individë, qytetarë të Tiranës”, – theksoi ai. Në këtë takim, Basha ftoi investitorët italianë të bëhen pjesë e realizimit të projekteve strategjike të qytetit, gara për të cilat nis brenda dy muajve në vijim, siç është terminali multimodal, linja e tramit, menaxhimi i integruar i mbetjeve, ndriçimi i qytetit etj.

 

Projektet

Kreu i Bashkisë së Tiranës bëri të ditur se terminali multimodal i pasagjerëve është një projekt me një skemë koncesionare financimi të përllogaritur në të gjitha fazat deri në 40 milionë euro. “Qëllimi i projektit është t’i japë një zgjidhje përfundimtare disiplinimit dhe ofrimit cilësor të shërbimit të transportit në Tiranë dhe integrimit të tyre, trenit, transportit urban dhe interurban me autobus, taksive, parkim për automjetet private si dhe i lidhur me projektin e tramit në Tiranë, edhe nisja apo terminimi (varet se nga cila pikë shikimi e vështron) e linjës jug-veri të tramit të Tiranës”, – deklaroi Basha. Më tej, duke bërë të ditur se në Tiranë janë organizuar dy takime me investitorë potencialë që kanë treguar interes për këtë projekt. Nga ana tjetër, Basha u bëri të ditur investitorëve italianë se në muajin qershor do të hapet gara për linjën e tramit Kombinat-Kinostudio. “Janë përcaktuar linjat përkatëse dhe për njërën prej tyre lindje-perëndim me gjatësi 8.4 km ka përfunduar fizibiliteti dhe faza e parë e projektimit. Linja përllogarit në fazën e parë 90 mijë pasagjerë në ditë, me një perspektivë të dyfishimit të numrit deri në 186 mijë pasagjerë në ditë, me një kthim të brendshëm prej 12%, dhe këtu dua të theksoj se është konservator sepse merren kosto relativisht të larta të fabrikimit të vagonëve, të trenave. Edhe këtu, skema është koncesionare apo partneriteti publik – privat. Gara pritet të hapet në mes të qershorit. Natyrisht për financimin e një projektit të tillë pritet dhe është i nevojshëm edhe angazhimi i qeverisë shqiptare, përmes mekanizmave të garancisë sovrane të financimit për të cilën jemi në komunikim, do të jemi në komunikim me dikasteret përkatëse”, – u shpreh kryebashkiaku. Ndërkaq, një tjetër projekt për realizimin e të cilit Basha ka ftuar investitorët italianë, është dhe projekti i menaxhimit të mbetjeve urbane, i cili është hartuar në bashkëpunim me Korporatën Financiare Ndërkombëtare. Në projektet e tjera, kryebashkiaku përmendi parqet industriale, ku tha se Bashkia e Tiranës ka kapacitet për të ndihmuar në fazën e planifikimit të zhvillimit të parkut industrial si dhe te mbështesë me infrastrukturën e nevojshme si rrugë, ujë, kanalizime. “Projekti i ndriçimit të qytetit, zëvendësimi konvencional me teknologjinë më të fundit (LED) është po kështu një interes madhor i Bashkisë së Tiranës për të cilin presim, shprehje të interesit nga përfaqësuesit e biznesit”, – deklaroi Basha, duke shtuar se është në përfundim i gjithë dokumentacioni dhe procedurat për dhënien me koncesion të sistemit të parkimit të Tiranës.

 

 

Share it :
Koncesioni i check-up/ Milva Ekonomi i dha mln € Vilma Nushit, paratë u investuan te kulla e Pak ditë më parë, emisioni “Plug” në Syri TV bëri një përmbledhje me fakte dhe dokumente konkrete të abuzimeve që janë bërë nga shteti shqiptar me koncesionet e shëndetësisë, një prej tyre edhe koncesioni i check-up, një skemë e madhe abuzimi me taksat e qytetarëve shqiptarë. Për këtë koncesion u hap një garë ku morën pjesë disa kompani me eksperiencë në fushën e kryerjes së analizave mjekësore, por fituese u shpall 3P Life Logistic e Vilma Nushit. Do të hyjmë në detaje dhe do të kuptojmë se jemi përpara një gare fiktive me fitues të paracaktuar. Së pari, kjo kompani u themelua më 9 dhjetor 2014, ndërsa kontrata koncesionare u firmos dy ditë pa u mbushur muaji, më 7 janar 2015. Ndërkohë, gara për koncesionin e check-up u shpall që në shkurt 2014. Thënë ndryshe, 11 muaj përpara se të lidhej kontrata me kompaninë që Vilma Nushi themeloi një muaj përpara se të firmoste marrjen e koncesionit prej 138 milionë eurosh. Dhe çudia më e madhe qëndron te fakti se shpallja e fituesit zyrtarisht u bë më 6 tetor 2014, dy muaj përpara se të themelohej kompania që do të fitonte kontratën koncesionare. Pas firmosjes së kontratës koncesionare në fillim të muajit janar 2015 nga Ministria e Shëndetësisë dhe kompania 3P Life Logistic, Agjencia e Prokurimit Publik refuzoi publikimin e kësaj kontrate pasi konstatoi shkelje të rënda ligjore. E para, kontrata u dërgua në APP pa numër protokolli dhe pa u firmosur nga titullari i institucionit. E dyta ishte shuma totale që shteti shqiptar do të paguante në fund të 10 viteve koncesion, si dhe mënyra e pagesës, që sipas APP-së, në formularin e dërguar nga MSH deklarohej se pagesa për check-up do të kryhej në bazë të numrit të analizave që do të kryheshin. Dhe këtu ka një mospërputhje në lidhje me vlerën totale të kontratës së nënshkruar. Konkretisht, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/23 Prot., datë 20.01.2015, në pikën 5 jepet vlera totale e kontratës 13.833.000.000 lekë. Ndërkohë, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/27 Prot., datë 10.02.2015, në paragrafin IV.4 shkruhet shprehimisht se: “Vlera reale do të jetë në varësi të numrit të kontrolleve”. Gjashtë ditë më pas, Ministria e Shëndetësisë firmos edhe njëherë formularin e njoftimit të kontratës së nënshkruar dhe më datë 19.02.2015 ministri i atëhershëm, Ilir Beqaj, i delegon kompetencën vartëses së tij, Milva Ekonomi, që të firmosë formularin e fituesit të kontratës koncesionare. Në këtë shkresë, përveç firmës dhe vulës së Ministrisë së Shëndetësisë, deleguar te Milva Ekonomi, saktësohet në pikën IV.3 se: “Vlera totale e kontratës do të jetë 13.833.000.000 lekë”, apo rreth 138 milionë euro për dhjetë vjet. Ndërsa në pikën IV.4 saktësohet: “Vlera e sipërcituar është vlera e dhjetë viteve të marra së bashku për numrin maksimal të kontrolleve për grupmoshën 40-65 vjeç. Vlera reale e kontratës do të jetë më e ulët pasi ajo do të llogaritet në varësi të numrit të kontrolleve që do të kryhen çdo vit”. Do të mjaftonte vetë ky dokument, që minimalisht sot SPAK ta kishte marrë të pandehur zv.ministren e asaj kohe, Milva Ekonomi, e cila me dashje i ka shkaktuar disa milionë euro dëm buxhetit të shtetit, pasi me firmën e saj ka kryer pagesa në kundërshtim me kushtet e parashikuara në kontratë. Por skandalet nuk mbarojnë këtu. Në pikën 3 të kontratës përcaktohet se: Kjo ndodhi për një arsye. Vilma Nushi, sipas kontratës, 20 laboratorët do të duhej t’i ndërtonte në qendrat shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe, në përfundim të koncesionit, ky investim do t’i mbetej si aset shtetit shqiptar. Gjë që nuk ndodhi asnjëherë. Sipas kontratës që shihni në ekran, nënshkruar mes kompanisë së Vilma Nushit dhe kompanisë Intermedica të deputetit të PS-së, Vasil Llajo, çmimi për një check-up te Intermedica për Vilma Nushin do të kushtonte 740 lekë me TVSH. Pra, ndërkohë që shteti do t’i paguante Vilma Nushit 1844 lekë me TVSH për kryerjen e një pakete check-up, ajo e delegoi këtë shërbim te nënkontraktori për një çmim prej 740 lekësh me TVSH. Me vetëm këtë skemë, Vilma Nushi ka përfituar për çdo analizë rreth 11 euro. Gjithçka me firmën e hedhur nga ish-zv.ministrja Milva Ekonomi. Në një përballje me gazetarin Freard Rista, zonja Ekonomi mohoi të kishte lidhje me këtë formular kontrate, pavarësisht se emri dhe firma e saj janë të zeza mbi të bardhë. Kompania e Vilma Nushit, Marketing & Distribution, e cila ka në pronësi koncesionin e check-up nëpërmjet kompanisë 3P Life Logistic, rezulton gjithashtu se ka financuar edhe kompaninë “Victoria Construction”, e cila po ndërton kullën “Ekspozita Building”. Deri këtu do të ishte diçka normale, nëse pas kësaj kulle nuk do të qëndronte një emër si ai i Ervin Matës, i arrestuar së fundmi në Brazil me kërkesë të SPAK-ut për trafik droge. Konkretisht, në vitin 2018, kompania Marketing & Distribution kalon për llogari të shoqërisë “Victoria Construction” një shumë prej 1.1 milionë eurosh. Nga të dhënat e bilanceve të kompanisë “Victoria Construction”, nuk specifikohet arsyeja pse Vilma Nushi i ka dhënë një shumë të tillë monetare kompanisë. Derdhja e parave u bë vetëm një vit përpara se të firmosej leja e ndërtimit për kullën “Ekspozita Building”. Pra, në vitin 2018 Vilma Nushi paguan këstin e parë të parave për llogari të kompanisë së Luan Matës, ndërsa në vitin 2019, me firmë të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, u miratua edhe leja e zhvillimit. Kujtojmë se pikërisht në vitin 2018, kur Vilma Nushi ka deklaruar se ka futur për investim 1.1 miliardë lekë në kullën e Ervin Matës, ka marrë edhe dividendin e parë nga kompania e check-up, në vlerën e rreth 1.2 miliardë lekëve, përafërsisht sa shuma që futi te kulla e Ervin Matës. Edhe për këtë gjë, zonja Ekonomi u pyet nëse ndjen ndopak përgjegjësi morale që me firmat e saj pasuron privatin, i cili më pas këto lekë të fituara nga taksapaguesit shqiptarë i investon tek personazhe me rekorde kriminale, por nuk ktheu përgjigje, duke kyçur gojën dhe nxituar këmbët për të votuar. /Piranjat news