Mbledhja/ Ligji i arsimit të lartë, hiqet matura, kriteret e pranimit

Ligji i arsimit të lartë hiqet maturaXhafaj, Nikollës: Po prodhoni diploma si kartëmonedha false. Universitetet private marrin lekë nga kërkimi shkencor

Nëse ligji i arsimit të lartë miratohet në komisionet parlamentare dhe në Parlament, atëherë do të hiqet matura shtetërore. Nga viti i ardhshëm do të ketë një sistem tjetër pranimi, që pritet të jetë konkursi, ashtu si para 2006-ës. Do të jenë universitetet ato që do të përcaktojnë kriteret e pranimit, ndërsa studentët pritet të japin provim për t’u pranuar. Gjatë diskutimeve në Komisionin e Ligjeve, ministrja e Arsimit Lindita Nikolla ka përmendur se nga viti i ardhshëm hiqet matura si dhe ndryshon skema e financimit. “Ligji i ri sjell një mori ndryshimesh në frymën e masave të ndërmarra nga qeveria deri tani. Kryefjalë mbetet cilësia në institucionet tona të arsimit të lartë me të cilën ne nuk bëjmë kompromis. Ligji ndryshon skemën e financimit duke futur konceptim modern të financimit me bazë performancën. Shteti do jetë gjithnjë e më shumë financues i arsimit të lartë, por këto financa, taksat e qytetarëve shqiptarë duhet të prodhojnë maksimumin e mundshëm të vlerës. Një skemë moderne financimi, që priret nga treguesit e performancës së universiteteve tona, do t’i shtyjë ato të modernizohen, të përmirësojnë shërbimin dhe të gjenerojnë gjithnjë e më shumë kërkim shkencor, bashkëpunim ndërkombëtar etj.”, – tha Nikolla. Ministrja theksoi, ndër të tjera, se ky ligj nuk çon para publike në institucionet private, por mundëson rritjen e financimit publik e privat drejt arsimit publik. “Ky ligj nuk i detyron Institucionet e Arsimit të Lartë të kthehen në Institucione të Arsimit të Lartë të Publik të Pavarur (IALPP). Ky është një nocion inovator dhe një mundësi e re për çdo institucion, i cili pas një seti të përcaktuar rregullash do të mund të kërkojë të kthehet në IALPP, ku momenti i rëndësishëm është heqja dorë nga fitimi. Vetëm pasi ka hequr dorë nga fitimi IAL mund të fillojë të funksionojë si Institucion i Arsimit të Lartë Publik i Pavarur”, – tha Nikolla.

 

Debati

Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla u shpreh se nga ky ligj nuk marrin lekë privatët, por nga ajo që shkruhet është krejt e kundërta. Ligji parashikon se nuk do të ketë ndarje privat-publik dhe se do të ketë institucione të arsimit të lartë. Në ligj parashikohet se institucionet e arsimit të lartë mund të përfitojnë nga fondet publike nëse plotësojnë disa kritere për kërkimin shkencor. Pra universitete private mund të marrin lekë nga shteti nëse zhvillojnë kërkim të avancuar shkencor. Një hapësirë që lë vend për abuzim dhe që është kundërshtuar hapur nga universitete publike. Në komisionin e ligjeve në asnjë moment nuk u morën parasysh kërkesat e dekanëve dhe pedagogëve të universitete publike, duke e quajtur këtë ligj si “perfekt” për nga natyra, kjo dhe për faktin se asnjë nga deputetët e opozitës nuk ishte i pranishëm. Ndërkohë sipas kreut të Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, cilësia e diplomave dhe prodhimi tyre ndër vite sikur të ishin kartëmonedha false ka reflektuar problematika edhe në sistemin e drejtësisë në vend

 

Kush merr bursa

Granti i mësimdhënies përfshin: fondin institucional për institucionet publike të arsimit të lartë; fondin e mbështetjes studentore. Fondi institucional u shpërndahet institucioneve publike të arsimit të lartë, sipas një formule që garanton barazi, drejtësi dhe transparencë. Fondi i mbështetjes studentore përfshin tre kategori financimi: bursat e studimit për studentët e shkëlqyer; bursat e studimit për studentët në programet e studimit që përbëjnë prioritet kombëtar; bursat e studimit për studentët që i përkasin shtresave sociale në nevojë. Bursat e studimit për studentët e shkëlqyer u jepen studentëve me notë mesatare maksimale në hyrje, në rang vendi, pavarësisht programit të studimit dhe institucionit në të cilin ata kanë zgjedhur të ndjekin studimet. Studenti vazhdon të përfitojë nga ky grant nëse rezultatet e tij, gjatë gjithë viteve të studimit, vazhdojnë të jenë të shkëlqyera. Bursat e studimit për studentët që kanë zgjedhur të ndjekin programet e studimit në institucione publike të arsimit të lartë që përbëjnë prioritet kombëtar, u shpërndahen studentëve që studiojnë në fushat e përcaktuara si të tilla me vendim të Këshillit të Ministrave. Bursat e studimit për studentët që u përkasin shtresave sociale në nevojë, u shpërndahen studentëve që janë shpallur fitues në institucionet publike të arsimit të lartë dhe plotësojnë kriteret për t’u konsideruar si studentë në nevojë, të përcaktuara si të tilla me vendim të Këshillit të Ministrave.

 

Mjekët që nuk plotësuan kreditet, do t’i nënshtrohen provimit

Farmacistët, mjekët dhe stomatologët që kanë zero kredite dhe nuk kanë mundur të plotësojnë numrin e krediteve për ciklin e parë të ricertifikimit, do t’i nënshtrohen provimit. Qëndra Kombëtare Edukimit të Vazhdueshëm në bashkëpunim me fakultetin e mjekësisë ka bërë gati programet orientuese, në bazë të të cilëve do të hartohet dhe teza e provimit për ricertifikimin e mjekëve, farmacistëve, stomatologëve të cilët nuk arritën të plotësonin ciklin e parë të edukimit në vazhdim. Sipas rregullores, nga ky detyrim do të përjashtohen profesionistët e punësuar në shërbimin publik shëndetësor, të cilët për 2 vjet apo më pak arrijnë moshën e pensionit., të cilët kanë marrë lejen e ushtrimit të profesionit për herë të parë, dy vjet para përfundimit të ciklit të ricertifikimit. Pra, kjo do të thotë që mjekët, farmacistët, stomatologët që janë licencuar pas datës 1 janar 2012 nuk do ti nënshtrohen provimit të ricertifikimit. Gjithashtu, profesionistët e mjekësisë kanë të drejtë ta përsërisin 1 herë provimin brenda 6-muajve .

 

 

Share it :