Mashtrimi/ Përvetësoi 1.5 mln euro duke shitur nga 2-3 apartamente, i pandehur menaxheri

 Anxhela Tato

prokuroria e pergjithshmeHetimet, 23 denoncime në Prokurori për Artan Sherifin, u kërkonte blerësve parapagimin e banesave

 Kallëzuesve nuk u kthyen lekët, edhe pse apartamentet e blera nga ata ishin të shitura që në themele

Prokuroria çon në Gjykatë menaxherin e një firme ndërtimi, i cili apartamentet e parapaguara ua shiste palëve të treta, duke përfituar me anë të mashtrimit shumën prej 1.5 milionë euro. Sipas hetimeve, Artan Sherifit i ishte ngarkuar detyra që të merrej me shitjen e apartamente. Pas gjetjes së klientëve ai arrinte t’ua mbushte mendjen për blerjen e banesave, duke i kërkuar lekët në parapagim, pa firmosur kontratë. Në momentin që blerësit donin të futeshin në banesën e tyre, zbulonin se ajo i përkiste dikujt tjetër, i cili e kishte me dokumente në rregullta. Nga hetimi ka rezultuar se ky shtetas ka mashtruar të paktën 22 persona, të cilët kanë paguar paratë për blerje apartamenti tek pallatet e ndërtuar nga kompania e tij dhe nuk kanë mundur të marrin as apartamentet, pasi ato u janë shitur edhe personave të tjerë që kanë hyrë në këto apartamente. Po ashtu, personat e mashtruar nuk kanë marrë as paratë që kanë paguar. Hetimi ka arritur në përfundimin se i pandehuri ka mashtruar personat, duke u marrë në total shumat prej: 1.372.595 euro, 66.104 USD dhe 9.540.000 lekë.

 

Hetimet

Në datën 13.12.2013, në regjistrin e njoftimeve të veprave penale të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor është shënuar emri i shtetasit Artan Sherifi, si autor i veprës penale të parashikuar nga neni 143/2 te Kodit Penal. Në Prokurori, janë depozituar shumë kallëzime penale ardhur drejtpërdrejt ose referuar nga ana e policisë gjyqësore të Komisariateve të Policisë apo Drejtorisë të Policisë të qarkut Tiranë ndaj shtetasit Artan Sherifi, drejtues i një shoqërie, me aktivitet në fushën e ndërtimit, ku ai është administrator dhe ortak i vetëm, sipas të cilëve shtetas të ndryshëm kanë pretenduar se nga ana e tij nëpërmjet mashtrimit iu janë vjedhur shuma të mëdha të hollash prej Artan Sherifit. Sipas kallëzimeve të bëra, denoncuesit kanë porositur dhe parapaguar plotësisht apo pjesërisht tek ky shtetas apartamente apo lokale të përmasave të ndryshme, në objekte që ndërtoheshin prej firmës veprime këto të kryera në bazë të kontratave të porosisë lidhur mes tyre dhe Artan Sherifit apo vëllait të tij Dragush Sherifit, sipas prokurës që ai ka prej të pandehurit. Në përfundim të afatit këta shtetas kallëzojnë se nuk iu janë dorëzuar apartamentet sipas porosisë së bërë dhe pse ata kishin kryer pagesat në favor të firmës, ose i kanë gjetur këto ambiente të zëna nga persona të tjerë që kishin kontratë porosie me Artan Sherifin ose ishin vendosur si kolateral në bankë prej Artan Sherifit pa dijeninë e tyre për kredi në shuma të mëdha, qe ai kishte marrë dhe në asnjë rast Artan Sherifi dhe kur i është kërkuar nuk ka kthyer paratë që ka marrë parapagim nëpërmjet kontratave të lidhura.

 

Denoncimet

1. Shtetasi L. M., ka lidhur kontratën për prenotim shit-blerje të dy apartamenteve me sip. 73.52 m2 dhe 72.64 m2, për të cilat ai ka paguar 84.500 euro. Pasi ndërtimi i pallatit nga firma ka mbaruar ky shtetas ka konstatuar se hyrjen që ai kishte porositur dhe parapaguar në katin e dytë e kishte zënë shtetasja M. N., kurse apartamentin e katin të tretë e kishte zënë shtetasi L. H., të cilët gjithashtu kishin lidhur kontrata porosie me Artan Sherifin.

2. Shtetasja M. H. ka lidhur kontratë për prenotim shitblerje, për porositjen e një apartamenti me sip. 38.8, për të cilin ka parapaguar një shumë prej 14.744 euro. Ky apartament nuk i është dorëzuar pas përfundimit për më tepër që atje është futur shtetasi M. C., i cili gjithashtu ka kontrate porosie me Artan Sherifin.

3. Shtetasja R. L. ka lidhur një kontratë premtim shitje, për porositjen e një apartamenti me sip. 68.55 m2 secili dhe për të cilat ajo ka parapaguar një shumë prej 61.695 euro dhe 63.432 euro. Pas përfundimit të ndërtimit rezulton se apartamenti i katit të tretë është i zënë nga shtetasi M. C., i cili gjithashtu ka kontratë me Artan Sherifin dhe pas këtij fakti ajo nuk ka marrë apartamentin e porositur dhe i pandehuri nuk i ka thyer as paratë që ajo kishte parapaguar për të.

4. Shtetasi K. K. ka lidhur një kontrate premtim-shitje për porositjen e një apartamenti me sip 63.87 m2, për të cilin ai ka parapaguar në arkën e firmës një shumë prej 36.000 euro. Në përfundim të ndërtimi ai nuk e ka marrë në dorëzim apartamentin e paguar, pasi ai ishte zënë nga shtetasi R. A. dhe i pandehuri nuk i ka kthyer paratë që ai kishte parapaguar në bazë të kontratës së lidhur mes tyre.

5. Shtetasi B. S. ka lidhur një kontratë premtim-shitje për një apartament me sip. 70.48, për të cilin ai ka parapaguar në arkën e firmës një shumë prej 42.288 euro dhe që në përfundim të ndërtimit nuk e ka marrë në dorëzim apartamentin, pasi është zënë për banim nga persona të tjerë që kanë kontratë me Artan Sherifin dhe i pandehuri me gjithë kërkesat e tij nuk ja ka kthyer paratë që ai kishte parapaguar.

 

Shkodër/ Prokuroria dërgon në Gjykatë kryekomunarin Lirim Nehanaj, nuk deklaroi pasurinë

 Kryekomunari nuk përmbushi detyrimin ligjor të ILDKP-së, u justifikua se kishte harruar të dorëzonte deklaratën

 ILDKP caktoi masë administrative gjobë, që nuk u pagua, për shkak të pamundësisë financiare të Nehanaj

Prokuroria e Shkodrës dërgon për gjykim kërkesën ndaj kryetarit të Komunës Gruemirë, Malësi e Madhe, Lirim Nehanaj, i akuzuar për refuzim të deklarimit të pasurisë. “Prokuroria e Shkodrës ka nisur pas kallëzimit të dorëzuar në muajin qershor 2014 nga ana e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI). Nga veprimet hetimore, rezulton se ky shtetas nuk ka dorëzuar deklaratën e pasurisë për vitin 2012 (e cila duhej dorëzuar brenda muajit maj 2013”- bëhet me dije nga Prokuroria. Më tej theksohet se “gjatë hetimit nga Prokuroria e Shkodrës, ky shtetas ka deklaruar se deklaratën e pasurisë për vitin 2012 e ka plotësuar por ka harruar t’a dorëzojë. Nga fundi i vitit 2013 i ka shkuar njoftimi se është gjobitur nga ILDKPKI. Gjobën nuk e ka paguar, pasi nuk ka pasur mundësi pagese. Sipas tij, mosdorëzimi i formularit nuk ka pasur synimin për të fshehur pasuri, por ka qenë një harresë nga ana e tij. Duke qenë se nga institucioni ILDKPKI i është vendosur gjoba, ka menduar se nuk duhet bërë më deklarim pasurie për atë vit”. “Në këto rrethana i pandehuri Lirim Nehanaj ka konsumuar elementët e veprës penale të “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rreme i pasurive te personave te zgjedhur dhe nëpunës publik ose i çdo personi tjetër qe ka detyrimin ligjor për deklarim”, – që parashikohet nga neni 257/a/1 i K. Penal. Ai ka konsumuar elementët e figurës se kësaj kundërvajtje penale duke mos bere deklarimin e pasurisë për vitin 2012 deri me date 31.3.2014. Edhe pas marrjes se masës administrative ndaj këtij subjekti ai nuk ka bere deklarimin periodik vjetor te pasurisë për vitin 2012”, – sqarohet nga Prokuroria.

 

Dosja

“ILDKPKI, pasi ka analizuar të gjithë dokumentacionin e administruar lidhur me deklarimin e interesave private të subjektit Lirim Nehanaj, me detyre kryetar komune në Komunën Gruemirë, Malësi e Madhe, ka konstatuar se ky subjekt në kundërshtim me nenin 3 të ligjit nr. 9049, datë 10.4.2003, “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurisë, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve vendore dhe të disa nëpunësve publike”, i ndryshuar, nuk e ka përmbushur detyrimin për deklarimin e interesave private “Periodike Vjetore 2012”. Në bazë të nenit 7 të ligjit nr. 9049, datë 10.4.2003, “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurisë, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve vendore dhe të disa nëpunësve publike”, i ndryshuar, subjekti Lirim Nehanaj detyrohej të paraqiste këtë deklarim pasurie deri më datë 31.3.2014. Pa paraqitur asnjë lloj arsyeje, subjekti Lirim Nehanaj nuk e ka përmbushur këtë detyrim ligjor për dorëzimin e deklaratës së pasurisë për vitin 2012. Inspektori i Përgjithshëm me vendimin nr. 23, datë 2.10.2013 ka vendosur ndaj subjektit Lirim Nehanaj masën administrative gjobe në shumën 50.000 lekë, bazuar në nenin 40/1 germa “a” dhe 40/2 germa “b” të ligjit nr. 9049, datë 10.4.2003, “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurisë, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve vendorë dhe të disa nëpunësve publikë”, i ndryshuar. Ky vendim i është komunikuar subjektit me postë rekomande, me datë 31.10.2013. Vendimi i Inspektorit të Lartë ka marrë formë të prerë dhe është kthyer në titull ekzekutiv. Edhe pas vendosjes së masës administrative, gjobë, subjekti Lirim Nehanaj nuk kë bërë deklarimin e pasurisë për vitin 2012. Lirim Nehanaj deklaron se deklaratën e pasurisë për vitin 2012 e ka plotësuar, por ka harruar ta dorëzojë. Nga fundi i vitit 2013 i ka shkuar njoftimi se është gjobitur nga ILDKPKI. Gjobën nuk e ka paguar, pasi nuk ka pasur mundësi pagese”.

 

 

Share it :