Letërsia në film/ Të ndjekësh fatin e gjeneralit!

Gani MEHMETAJ

gladiatori  Filmi “Gladiatori” (2000), prodhim i Britanisë së Madhe e SHBA-së, në regji të Ridli Skotit, skenarin e shkroi Dejvid Franzoni. Në rolet kryesore Rasel Krou (Gladiatori), Komodus (Joaquin Phoenix), Luçia Connie Nielsen) etj.

 Filmi “Gladiatori” (2000), i Ridli Skotit është njëri ndër spektaklet epike më të realizuara në traditën e gjatë të prodhimtarisë së Hollivudit, por kësaj radhe në bashkëprodhim Britani e Madhe-SHBA. Me një shtrirje epike, narracion dinamik, stil të veçantë dhe pamje që të mrekullojnë, filmi ta kujton epokën e ndritshme të filmave: “Quo vadis”, “Netët e Kabirisë”, Rënia e Romës”, “Spartaku” me disa versione, “Neroni”, “Kaligula”, “Mark Antoni” etj. që patën sukses në kinema. Derisa fillet e spektaklit nisën në Itali, në fillim të shekullit XX, disa dhjetëvjetëshe më vonë Hollivudi e mori primatin e prodhimit të spektakleve historike nga antika e mesjeta, ndërsa Cinecita u përcaktua për filma më pak të kushtueshëm.

Temat për Romën dhe për bëmat e heronjve të antikës asnjëherë nuk kanë shtërzuar, kineastët i kanë trajtuar sërish e sërish, duke mos ngurruar ta ndriçojnë nga kënde e mënyra të ndryshme. Perandoria romake ofron tema, ide e subjekte të larmishme. Sidomos ata që duan ta sprovojnë vetën në filmat e epikës historike. Subjekti është atraktiv, provokues, sfidë e paparë: Roma e luftërave për territore, me intrigat pushtetore, konfrontimet, luksin, femrat e bukura, skllevërit dhe, sidomos luftën e gladiatorëve në Arenën e lashtë. S ’ka regjisor me ambicie që s’do ta pranonte një sfidë të këtillë.

Skenaristit Dejvid Franzoni, i cili bëri draftin e parë, i frymëzuar nga novela e Daniel P. Mannix’s (1958) “Those About to Die”, teksti i novelës i ka shërbyer si bazë, ndërsa dhjetëra filma të shfaqur me sukses ishin informacion me skenografinë e kostumet, traditë e gjakime. Ndërkaq, regjisor Ridli Skot, bëri njëri ndër filmat më të realizuar dhe më të shikuar për një dromcë të jetës në Perandorinë romake, përkatësisht për dramën e individit idealët e të cilit tradhtohen, një film që të mbetet në kujtesë për gjerësinë e spektaklit, thellësinë e depërtimit në psikologjinë e individit dhe pasurinë imagjinare.

Pavarësisht që filmi ka mbështetje apo është adaptim i novelës me shumë duket gërshetim, ndërthurje e tekstit të adaptuar e imagjinatës së skenaristit e regjisorit, duke shkrirë edhe disa karaktere të caktuara historike në një karakter të ri, atë të krye protagonistit.

Filmi nis me atmosferën para betejës, vazhdon me betejën e romakëve kundër fiseve gjermanike, një betejë, ose njëra nga betejat e shumta, për të cilat shkruajnë kronikat e kohës. Skenaristi me stafin e studios e shfrytëzon gjithë përvojën e mëparshme, novelën mbi të cilën e ndërton draftin e parë, pastaj burimet historike, mijëra kilometra të shiritit filmik për atë kohë dhe për legjendat.

Por “Gladiatori” përpiqet t’i shmanget fakteve historike që të bezdisin, kurse personalitetet që përmenden, ndryshojnë në shumë segmente, në situata historike, në fundin e tyre, ose i trajton ndryshe. Pra, nuk është vetëm rezultat i ndikimit letrar, apo i fakteve të njohura apo më pak të njohura nga historia, është diçka më shumë, prandaj u ndoq me interesim nga shikuesit, prandaj është më i afërt me shikuesit, sepse ka një qasje të ngrohtë, ka një porosi edhe për kohën e sotme. Morali i atëhershëm dhe morali i sotëm nuk ndryshojnë në problemet fondamentale të njerëzimit. Tipi i heroit individualist, çfarë është gladiatori, nuk është larg heroit individualist amerikan, por hero i mesazheve universale për demokracinë e diktaturën, për ligjet e padrejtësinë, për komplotet, për dashurinë dhe urrejtjen.

Personaliteti i heroit kryesor duket përzierje, apo gërshetim i disa personaliteteve. Rrëfimi nis me fatin e gjenerali Maximus Decimus Meridius (Rasel Krou) viktimë e komplotit kundër perandorit dhe e intrigave, meqë Komodus (Joaquin Phoenix), vret babanë, perandorin Markus Aurelius pëer t’ia marr pushtetin. Filmi përqendrohet në peripecitë e gjeneralin të përndjekur, duke e shpënë në Afrikë, për ta kthyer sërish në Itali pas shumë vjetësh.

As për subjektin e filmit nuk mund të thuhet se mbështetet në faktet historike, por në prapavijën kulturore: organizimi i pushtetit në Romë, jeta në provincë, lojërat e gladiatorëve, jeta e qytetarëve të lirë, skllevërit, luksi, lufta për pushtet etj.

“Gladiatori” ndjek fatin e gjeneralit kur e degdis fatkeqësia në Afrikë, pasi shtëpinë ia kanë djegur ushtarët romakë në shenj hakmarrje, kurse të birin e gruan ia kanë vrarë në Spanjë. Ndërkaq, ai ishte besnik ndaj Romës, baba i dhembshur, e kundërta e armikut të tij Komodusit. Të gjitha këto tipare skenaristi i ka marr dhe i ka adaptuar nga karakteri i gjeneralit romak, ashtu sikurse paraqitet në kronika, duke i gërshetuar me karakterin e gladiatorit të arenave romake. Ai është edeh personifikim i njeriu të zhgënjyer me vlerat e demokracisë, por që megjithatë nuk dorëzohet.

Po kundërshtari i tij Komodusi, kush është? Sublimim i Neronit të çmendur që e dogji Romën, personifikim i Kaligulës cinik që i denigron senatorët dhe e përdhosi demokracisë romake, perverz që fle me motrën e vet. Të gjitha këto janë shkrirë në figurën e Komodusit, të cilin e luan për mrekulli aktori Joaquin Phoenix.

Ndërkaq, perandori Markus Aurelius herë ta kujton Jul Cezarin, herë të kujton Mark Antonin, ose ndonjë perandor tjetër që e sheh fundin e vet, por është i brengosur për të ardhmen e Romës.

Filmin e bën më pikante figura e Luçias, (Connie Nielsen) e bija e perandorit të vrarë dhe motra e perandorit që erdhi në pushtet me gjak e intriga. Ajo është në mes të ish gjeneralit, të cilin ende e do, dhe frikës nga i vëllai i etur për pushtet.

Personazhet e përmendura s’është e sigurt të kenë ekzistuar, as si të tillë as ndryshe, por kjo është e parëndësishme për filmin, filmi ndërton personazhe që duken të natyrshëm duke shpaluar një dramë të brendshme të krye protagonistit, i cili lufton për drejtësi, që të triumfoj e vërteta, por njëkohësisht jeton për hakmarrje. Motivi i protagonistit është i fortë, karakteri i papërmbajtshëm, ndërsa regjisori e ka krijuar figurën ndaj të cilit ke simpati më të parën duke ia mbajtur anën tërë kohën.

E kundërta e tij është Komodus, në një interpretim të mirë që të mbërthen, sepse ka një qasje tensionuese plotë të papritura.

 

Share it :