Legjionarët/ Taulant Xhaka afër Fiorentinës, Kaçe kërkesa nga Bazeli dhe Udineze

Taulant Xhaka afër FiorentinësTalenti kosovar, me ardhjen e Sousës në krye të stolit të klubit fiorentin është shumë afër nënshkrimit në Serinë A

Korçari Kaçe është në kërkim nga Bazeli dhe Udineze që prej kohësh e ndjekin lojtarin që aktivizohet te Paoku

Merkatoja e verës ka kapluar edhe kuqezinjtë që luajnë në Evropë. Disa nga lojtarët kryesorë të ekipit kombëtar janë në qendër të vëmendjes nga disa skuadra që kërkojnë të nënshkruajnë me këta lojtarë. Taulant Xhaka mund të jetë një nga lojtarët e parë të Bazelit që mund të ndjekë te Fiorentina trajnerin Paulo Sousa, që u transferua vetëm para pak ditësh nga kampionët e Zvicrës në klubin nga Firencja. Mediat italiane bëjnë të ditur se 21-vjeçari i kontaktuar nga “Firenzeviola.it”, një faqe që merret ekskluzivisht me çështjet e klubit vjollcë, madje ka shprehur dëshirën e tij për t’u transferuar në Serinë A. Sipas “Tuttomercatoweb” futbollisti i kombëtares shqiptare është shprehur: “Kam një raport të shkëlqyer me Paulo Sousën, është një trajner vërtet i zoti dhe kam mësuar shumë nga ai te Bazeli sezonin që sapo u mbyll. Nëse do të më pëlqente ta ndiqja te Fiorentina? E përsëris, Paulo më ka dhënë shumë në jetë dhe gjithçka është e mundur. Të shohim se çfarë do të ndodhë”. Në këtë mënyrë Taulant Xhaka ka lënë të kuptohet se është i gatshëm të ndjekë ish-trajnerin e tij te Fiorentina. 21-vjeçari nga ana tjetër preferohet së tepërmi nga tekniku portugez që sapo ka marrë drejtimin e Fiorentinës edhe për faktin se, siç ka deklaruar me parë trajneri i kombëtares De Biasi, Taulant Xhaka është një nga ata lojtarë që mund të konsiderohet një “xhol” i vërtetë, për shkak të aftësisë së tij për t’u përshtatur si në mbrojtje ashtu edhe në mesfushë.

Ergys Kaçe ka zhvilluar një nga sezonet e tij më të mira me fanellën e Paokut dhe jo pa arsye tifozët e skuadrës selanikase e votuan si lojtarin më të mirë të ekipit të tyre dhe sigurisht vëmendja e klubeve evropiane për korçarin nuk ka munguar. Tashmë është kthyer e modës që klubet italiane interesohen shpesh për lojtarët e kombëtares sonë, dhe sipas “mondoduinese.it”, Udineze duket se e ka vënë nën fokus 21 vjeçarin. Goli i realizuar kundër Francës mund të ketë ndikuar në rritjen e popullaritet të shqiptarit dhe edhe në këtë rast nuk mungon mbështetja e trajnerit kuqezi Gianni de Biasi i cili i pyetur nga mediat italiane për aftësitë e Kaçes deklaroi se sipas tij mesfushori është plotësisht gati për Serinë A. Ndërkohë që në horizont për shërbimet e korçarit është shfaqur edhe klubi i Bazelit, i cili mund të humbasë Taulant Xhakën me këtë të fundit që ka gjasa ti bashkohet trajnerit Paolo Sosa tek Fiorentina, por mund të përfitojë një tjetër shqiptar me aftësi të mrekullueshme. Madje raportohet se trajneri i sapo ardhur tek klubi zviceran Urs Fischer ka dhënë përshtypje mjaft pozitive për Kaçen Në krahun tjetër ende në dilemë është e ardhmja e Lorik Canës, megjithatë klubi i Marsejëss kërkon ta joshë mbrojtësin kuqezi, madje duke postuar në profilin zyrtar në Twitter një foto të Canës kur luante me francezët dhe me mbishkrimin “Mirë se vjen” në shtëpi kapiten, ku kujtojmë se 31-vjeçari ka mbajtur për 4 vite shiritin e kapitenit tek klubi bregdetar.

 

United nis sulmin për Ramosin

Merkatoja evropiane ka filluar të ndizet edhe më shumë, kjo edhe për faktin se po kthehen protagonist personazhe për të cilët nuk u mendua se do të rezervohej skena e merkatos dhe një prej tyre është Sergio Ramos. Sipas të përditshmes spanjolle “As” Manchester United po kryen lëvizjet e para në drejtim të mbrojtësit andaluzian. Klubi anglez është gati ti ofrojë Realit të Madridit 30 milion euro plus kartonin e portierit David de Gea, ky i fundit prej kohësh nën shënjestrën e madrilenëve, madje Man United ka përgatitur edhe një pagë vjetore prej 12 milion eurosh për 29-vjeçarin. Sigurisht akoma nuk ka lëvizje konkrete por kur informacioni buron nga një e përditshme që historikisht ka qenë pranë klubit madrilen si “As” dhe gjen konfirmim edhe tek prestigjiozja britanike “Daily Mail” atëherë ndoshta ky interesim i United nuk është thjesht një spekulim merkatoje. Madje “Daily Mail” shkon edhe më tej kur shkruan se edhe vetë lojtari e dëshiron këtë transferim, madje i ka kërkuar drejtuesve madrilenë ta lejojnë të largohet. Do të jenë ditët në vazhdim ato të cilat do të zbulojnë nëse do të kemi bisedime apo gjithçka do të mbetet në kuadrin e hipotezave.

 

Juventusi mendon për Cuadrado

Ndërkohë që për të mbetur tek merkatoja, Juventusi nuk ka ndërmend të ndalet vetëm tek Mario Mandzukic. Mediat italiane raportojnë se klubi bardhezi është gati të hidhet në sulm për anësorin e Chelsea-t Juan Cuadrado. Kolumbiani i cili u transferua në Janar nga Fiorentina për në Londër, nuk arriti për asnjë moment të përshtatej në “Stamford Bridge” dhe do ta mirëpriste një rikthim në Serinë A.

 

Napoli përfshin dy lojtarë për Darmianin

Napoli raportohet se ka bërë një ofertë zyrtare për mbrojtësin anësor të Torinos, Matteo Darmian. Sipas “SkySport”, Torino ka kërkuar rreth 20 milionë euro për italianin, por Napoli ka propozuar një marrëveshje tjetër ku do të përfshihen dy lojtarë. Besohet se dje është mbajtur takimi i parë mes klubeve dhe, sipas raportimeve, edhe pse Torino është e interesuar vetëm në marrëveshje me para, Napoli do të përpiqet të sigurojë shërbimet e Darmianit duke ofruar Zapatan dhe Jorginhon. Në këtë marrëveshje mund të futet edhe Omar El Kaddouri, pasi mesfushori është në bashkëpronësi të dy klubeve.

 

City në garë për Otamendin

Manchester City raportohet se i është futur garës për mbrojtësin e Valencias, Nicolas Otamendi. Sipas “Marca”-s, City do ta rivalizojë seriozisht Manchester Unitedin dhe Real Madridin për shërbimet e 27-vjeçarit. City besohet se ka kërkuar informacione për lojtarin argjentinas dhe se së shpejti do të dërgojë një ofertë befasuese për të “goditur” Real Madridin dhe rivalin e qytetit. Me hyrjen e Cityt në garë, Valencia shpreson që të sigurojë rreth 50 milionë euro për shitjen e Otamendit.

 

Gega rrëmben Medalje të Artë në 1500 metra

Vetëm 24 orë nga medalja e argjendtë e fituar në 800 metra me kohën 2:02:36, Luiza Gega ka shkruar emrin e saj me të arta në garën e saj të preferuar. Ditën e pardjeshme mes 14 konkurrentëve, Gega, do të mbante lart flamurin kuqezi siç pritej teksa u kurorëzua kampione e Lojërave Evropiane njëherësh duke fituar edhe medaljen e artë e para për Shqipërinë në këtë event. Koha e realizuar nga atletja shqiptare ishte 4:11:58 pas një gare të fortë. Falë këtij triumfi, 26-vjeçarja kontribuoi edhe me 14 pikë (maksimalet) në renditjen e përgjithshme ekipore. Kujtojmë datën 21 qershor, e cila rezultoi një ditë e suksesshme për Shqipërinë olimpike. Flamurin kuqezi e nderuan me dy medaljet e para të Olimpiadës Evropiane të Bakut 2 atletë, Luiza Gega dhe Izmir Smajlaj. Dy garuesit shqiptarë shkëlqyen në disiplinat e ndryshme të mbretëreshës së sporteve, atletikës duke koleksionuar dy vende të dyta, çka përkthehen në dy medalje argjendi. Atleti 22-vjeçar nga Shkodra, Izmir Smajlaj ai që arriti të garojë deri në fund për medaljen e artë në hedhjen së gjati, por distanca e tij më e gjatë 7 metra e 52 cm ishte 12 cm larg performancës më të mirë të pasdites që u dhurua nga gjeorgjiani Khorava. Dy sukseset e arritura në pistën e atletikës e zhvendosin Shqipërinë në vendin e 35 në tabelën e vendeve me medalje, po aq sa edhe Maqedonia.

Share it :