Kyçet dera e Institutit/ Ish-të përndjekurit politikë: Nuk ka Evropë pa dënuar krimet e komunizmit

protesta16Qindra ish-të përndjekur, protestë para Parlamentit

Probleme shëndetësore për disa grevistë, një në spital

 Nuk ka nevojë që Shqipëria të bëhet pjesë e Evropës me drogë dhe varfëri. Shqipëria bëhet pjesë e Evropës kur të dënohen krimet e komunizmit. Vazhdon zhdukja e dosjeve e atyre kriminelëve që janë në Parlamentin shqiptar dhe kanë vrarë djemtë dhe vajzat. Po zhduken dosjet, qeveria hesht. Me këtë paralajmërim ish-të përndjekurit politikë i kanë kërkuar edhe ditën e djeshme qeverisë që të hyjë në bisedime me ta dhe të plotësojë kërkesat. “Sot e kësaj dite pushohen fëmijët e ish-të burgosurve nga puna”, – u shpreh Fatmir Hoxha, drejtuesi i grevës. Në ditën 16-t të grevës, ish-të përndjekurit politikë kanë “sulmuar” një pjesë të deputetëve se mbrojnë vetëm interesat e tyre dhe jo të shtresave në nevojë.

 

Kyçet dera

Që në orët e para të mëngjesit ish-të përndjekurit politikë që janë në grevë kanë kyçur derën e Institutit të të Përndjekurve Politikë, duke mos lejuar askënd të hyjë brenda ambienteve. Sipas grevistëve, kjo ishte një “shenjë” e vogël që qeveria e cila ndodhet në Parlament, të kthejë sytë nga shtresa e ish-të përndjekurve politikë. Për të mbështetur këtë nismë grevistëve u janë gjendur pranë një sërë drejtuesish të shoqatave të ish-të përndjekurve politikë. Të pranishëm kanë qenë edhe dhjetëra ish-të përndjekur politikë nga qytete të ndryshme ku përveçse kanë mbështetur grevën e urisë, kanë protestuar ndaj qeverisë por sjelljen ndaj kësaj shtrese të persekutuar. Ndërkohë gjatë mesditës ish-të përndjekurit politikë kanë shfaqur probleme të rënda shëndetësore. një prej grevistëve është shoqëruar për në Sanatorium për shkak të luhatjes së tensionit.

 

Ish-të përndjekurit e Korçës

Ish-të përndjekurit politikë në qytetin e Korçës kanë dalë në mbështetje të grevës që po zhvillohet në Tiranë. Në një deklaratë për mediat, ata i kane cilësuar pushtetarët e sotëm si bij të sistemit komunist, të cilët në vend që të marrin përgjegjësitë e tyre ndaj kësaj shtrese, nderojnë figurën e urryer dhe gjakatare të Enver Hoxhës. Ish-të përndjekurit thonë se ata vazhdojnë të luftohen edhe në ditët e sotme, ndaj kanë bërë thirrje që të ndalet lufta e klasave ndaj pasardhësve të tyre, të cilët, sipas tyre, po shkarkohen nga puna nga drejtues të veshur me pushtet.

 

 Emrat e ish-të përndjekurve politikë që u është miratuar kësti i parë

Listën e emrave do ta lgjeni në faqet e gazetës ” Standard”

Të gjithë trashëgimtarët e ish-të dënuarit duhet të sigurohen pranë bankës në të cilën kanë hapur llogarinë, që llogaria e tyre është aktive. Në rast se llogaria nuk është aktive, shuma e dëmshpërblimit kthehet mbrapsht në buxhet duke sjellë vonesa dhe ndërlikime të panevojshme. Pagesa do të kryhet për të gjithë trashëgimtarët e ish të dënuarit politik. Trashëgimtarët duhet të dorëzojnë dokumentet e kërkuara sipas dispozitave ligjore në fuqi. Dosjet jo të plota do të lihen për në fund të procesit të pagesës së këstit të parë, qoftë sikur të mungojnë dokumentet e një personi të vetëm përfitues të dëmshpërblimit. Në rastet kur për arsye të njohura në gjendjen civile nuk ekzistojnë dokumente të periudhës përkatëse dhe ky fakt vërtetohet nga gjendja civile, i interesuari është i detyruar të bëj një gjyq fakti të cilin duhet ta shoqërojë me një certifikatë negative.

Share it :