
“Të përcaktohet në statut se drejtuesit politikë dhe kryetarët e degëve s’duhen të kandidohen në garën vendore, siç ndodhi në zgjedhjet e fundit”
Olli: Dekriminalizimi, një kauzë e gjithë shqiptarëve; Ndoka “kokë turku” për të larguar vëmendjen nga përgjegjësia absolute e Ramës
Intervistoi: Gëzim Saliu
Ju jeni zgjedhur si kryetar i këshilltarëve të djathtë në Këshillin Bashkiak të Tiranës, por ndërkohë duket se nisja e këtij viti nuk ka qenë me “këmbën e mbarë”, pasi ju u larguat nga salla, duke kundërshtuar praninë e ministrit të Çështjeve Vendore, Çuçi…
Largimi nga salla e Këshillit Bashkiak ishte në formë proteste ndaj prezencës së një përfaqësuesi të ekzekutivit. Prezenca në sallë e një përfaqësuesi të ekzekutivit, ministrit përgjegjës ‘de jure’ për pseudoreformën territoriale ishte provokim dhe tentativë intimiduese ndaj një pushteti të pavarur. Një tentativë e qartë për të dhënë mesazhin se kemi realizuar një reformë të suksesshme vendore dhe standarde zgjedhore. Është absurde, por e vërtetë, se ministri që ishte i pranishëm në betimin e kryebashkiakut nuk ka përgatitur as edhe një akt të vetëm ligjor për funksionimin e pushtetit vendor. Prezenca e tij në sallë ishte simbol vetëm i vijimit të diktatit që kjo mazhorancë ofron ndaj pushtetit vendor dhe arrogancës së saj. Simbolikisht nuk mund të pranonim në atë ditë të shënuar prezencën e përfaqësuesit të një ekzekutivi përgjegjës për një pseudo reformë administrative, për zhbërjen e standardeve zgjedhore, marrjen e pushtetit me dhunë policore e shtetërore dhe vullnet të deformuar zgjedhor deri në iligjimitet.
Si e shihni ju kreun e ri të Bashkisë së Tiranës? Cili është vlerësimi juaj për disa nga nismat e ndërmarra prej tij që prej marrjes së detyrës?
Sado të duash të vlerësohet diçka, është vetë Veliaj, i cili të detyron të jesh skeptik ndaj çdo nisme të tij. Është për të ardhur keq, por shpesh ai të jep përshtypjen se do të kishte qenë një pjesëtar shumë i devotshëm i detashmenteve të revolucionit kulturor kinez, të mesit të viteve ‘60. Nga dita që ka marrë detyrën e deri më sot ka një qasje mediatike a thua se jep edicionin e lajmeve. Deklaron publikisht se nuk gjeti asnjë qindarkë për të paguar rrogat e administratës, ndërkohë që situata ishte krejt ndryshe. Bashkia ka paguar rrogat e muajit korrik dhe në llogarinë e saj dispononte rreth 550 milion lekë të rinj. Kjo vërtetohet lehtësisht në bankë. Më pas, deklaroi se gjeti 30 mln € borxhe ndaj biznesit, ndërkohë që detyrimet shlyhen pas përfundimit të punimeve apo edhe deklarata të tjera të papërgjegjshme si këto. Teoria e nivelit zero që shefi i tij politik përdori kur mori pushtetin në 2013, tashmë është shndërruar në sindromë. Vijon me sistemin e aksioneve me goditje të përqendruar dhe jo me plane të qarta për ngritjen e sistemit dhe funksionimin e tij. Nuk dua të jem aspak paragjykues, por vetëm po tregoj se çfarë ka bërë deri më tash në rolin e kryebashkiakut ‘de jure’.
Por nëse Veliaj po jep, sipas jush, shembujt e një kryebashkiaku vetëm “de jure”, cili është, në opinionin tuaj, vlerësimi për ish-kryebashkiakun e Tiranës, kreun e PD-së, Lulzim Basha? Mazhoranca e ka akuzuar si një kryetar Bashkie që nuk bëri asgjë në 4 vite të mandatit… A mund të na evidentoni se cilat ishin të metat apo gabimet në punën e Bashës si kryebashkiak?
Basha reflektoi vizion dhe vullnet në përmirësimin e jetës së qytetarëve, pavarësisht politikave bllokuese dhe hakmarrëse të Ramës. U hapën mbi 25 mijë vende pune në 4 vjet, ndërkohë që mijëra individë të tjerë u privuan nga kjo e drejtë. Ulja dhe reduktimi i 60 taksave dhe tarifave vendore, ndikoi ndjeshëm në përmirësimin e klimës së biznesit. Krijimi i fondit të garancive, përmes një fondi prej 1 milionë dollarësh, me interes 2-3 herë më të ulët se norma në treg, bënë të mundur që biznese të vogla dhe të mesme të gjeneronin punësim në Tiranë. Pati mjaft projekte të realizuara me sukses në infrastrukturë sikundër në rrjetin rrugor, transportin publik, me një nga qendrat më moderne në rajon dhe të vetmen në Shqipëri, të Kontrollit të Trafikut Urban, publik dhe privat, rehabilitimi i dhjetëra rrugëve dhe shesheve publike në zonat periferike, rehabilitimi i lumit të Lanës ku përmes argjinaturave u mundësua mbrojtja e zonave urbane nga rreziku i përmbytjeve, sikundër në të dy anët e lumit u ndërtuan kolektorë për mbledhjen e ujërave të zeza, apo rikonstruktimi i mjaft ambienteve parashkollorë dhe shkollore janë disa nga sukseset e z. Basha. Po këto janë edhe “gabimet” e z. Basha, pasi nuk rendi ti promovojë nga mëngjesi në darkë, por u mjaftua me faktin që i realizoi. Po kështu, një tjetër “gabim” i zotit Basha ishte fakti se nuk pranoi të bënte viktimën dhe të përplasej ashpër publikisht me kryeministrin Rama për bllokimet e sabotimet e pafund, por zgjodhi rrugën e zgjidhjeve ligjore dhe shmangien e konfliktualietit politik që prodhon automatikisht konfliktualitet të pafund social. Krejt e kundërta e modelit Rama, si kryetar bashkie dhe lideri i opozitës në atë periudhë.
Cili është opinioni juaj lidhur me zgjedhjet e fundit vendore në vend, në kohën kur opozita nuk ka shprehur ende një qëndrim të qartë nëse i humbi apo i fitoi vendoret e 21 qershorit?
Partia Demokratike edhe nëpërmjet kryetarit Basha e ka bërë publik qëndrimin e vet lidhur me rezultatin e zgjedhjeve vendore. Në asnjë rast nuk është folur për fitore, por për një përmirësim të ndjeshëm krahasimisht me zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013. Ndarja territoriale, harta e re e krijuar, në kushtet dhe përmbajtjen e saj, favorizonin maksimalisht mazhorancën aktuale në numrin e votave absolute në çdo Bashki të re. Por, personalisht kam qene dhe i mbetem parimit se zgjedhjet vendore nuk përcaktojnë ecurinë politike të një force politike, por janë një test i forte për to. Psh, në rast se do flisnim për zona që shpeshherë politikisht nominohen bastione, rezulton që opozita i ka “rrëmbyer” së majtës, në nivel kryetarësh, disa prej tyre të pa fituara asnjëherë më parë, sikundër rasti i Pogradecit. Në këtë kontekst dhe frymë zgjedhjet vendore, sikundër e thashë, më shumë shërbejnë si tregues i eficencës, si një test që i paraprin zgjedhjeve të përgjithshme që pasojnë.
Ndërkohë, analiza po kryhet në çdo degë dhe strukturë të PD-së, por a mund të flitet për përgjegjës së rezultatit të arritur në zgjedhjet vendore? Çfarë nuk shkoi siç duhet sipas jush me opozitën në këto zgjedhje?
Çështja e përgjegjësive mbetet një temë e hapur pasi së shpejti pritet të fillojë analiza, nga ku edhe demokratët do të nxjerrin në pah ata elementë që çaluan në fushatë. Një analizë që, përtej përgjegjësive individuale, duhet të synojë evidentimin e funksionimit dhe efiçencës së strukturave tona në tërësi. Në funksionimin e një force politike gjithmonë ka vend për korrigjime, përmirësime të cilat mundësojnë një efikasitet sa më të lartë. Në zgjedhjet vendore të 21 qershorit u vu re një fenomen. Një pjesë e kryetarëve të PD-së në degë të ndryshme patën ambicien krejt normale që të ishin edhe kandidatë për kryetarë bashkish. Është koha që të përcaktohet qartë ose në statut ose në rregullore që disa drejtues politikë apo dhe kryetarët e degëve të kenë vetëm detyrë politike. Ky fakt do të bënte të mundur që drejtuesit politikë të fokusoheshin dhe ti përkushtoheshin 100% forcimit të strukturave, punës së përditshme në terren me votuesit. Ky hap, në gjykimin tim, bën të mundur shmangien e konflikteve të interesit apo grupimeve të ndryshme, të cilat shpesh herë lenë hapësirë për qejfmbetje apo konflikte në prag dhe gjatë fushatave. Funksionimi i çdo strukture të partisë duhet të jetë në përditshmëri dhe të mos mjaftohemi me traditën e angazhimit vetëm pak muaj para fushatës. Për këtë, ndoshta duhet të ndërtohet një sistem raportimi i përmuajshëm i çdo dege, e cila nga ana e saj e ndërton këtë punë mbi veprimtarinë mujore të çdo seksioni. Mundësohet kështu një qasje koherente ndaj çdo zgjedhësi, për nevojat dhe pritshmëritë e banorëve të çdo zone, ndihmon shtrirjen elektorale të PD-së, por edhe evidentimin e plotë të problematikave në çdo njësi vendore. Si një parti e qendrës së djathtë, zgjerimi i numrit të anëtarësie nuk shihet si qëllim në vetvete, por një hapje që gjeneron më shumë energji pozitive, ide të reja dhe konkurrencë në karrierën politike. Vijimi i një opozite edhe më të fortë në denoncimin e skandaleve të pafund të kësaj qeverisje, që kanë rrënuar ekonomikisht vendin, me lidhjet më të forta me krimin e organizuar, që sundon bazuar në diktatin e shtetit policor mbetet detyrë parësore. Ndërtimi i një aksioni opozitar me të gjitha mjetet e format demokratike, forcimi i mëtejshëm i lidhjeve me shtresat e elektoratit të djathtë që tradicionalisht kanë qenë dhe mbeten palca e PD-së, detajimi i alternativës dhe platformës qeverisëse, promovimi i saj, hapja e një dialogu publik e mediatik me gjithë shqiptarët, nga një ekip cilësor, drejtuar nga kryetari Basha, bëjnë të mundur plotësisht që PD dhe aleatët të fitojnë votëbesimin e shqiptarëve për të qeverisur vendin pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017.
Një ndër kauzat kryesore të opozitës dhe PD-së në veçanti, tashmë prej një viti është dekriminalizimi. Cili është mendimi juaj për këtë çështje? Si do t’i gjykonit rastet e fundit të arrestimit të deputetit Prenga dhe dorëheqjes së Ndokës? Po nisjen e procesit të verifikimit të vetë PD-së ku në krye të komisionit pritet të jetë ish-kandidati për Tiranën Halim Kosova?
Dekriminalizimi nuk është thjesht një kauzë e opozitës, por për fat të keq një kauzë e gjithë shqiptarëve, pa dallim preferencash politike. Ne fakt kjo kërkesë e PD-së daton edhe më herët kur Rama filloi hapur bashkëpunimin me elementë të inkriminuar që ne zgjedhjet vendore të vitit 2011. Kanë qenë të vijueshme apelet e PD ndaj Ramës dhe institucionit të Prokurorisë që të kryente verifikimet e nevojshme, por Rama nuk u tërhoq. Përkundrazi, në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013, u maksimalizua emërimi i elementëve me rekorde shumë të rënda kriminale në listën e deputeteve të PS-së. Rastet Prenga, Ndoka, por në tërësi ajo çka ndodh me listën e PS-së në qarkun e Lezhës është një dëshmi tronditëse. Për më tepër nëse i referohemi deklaratës së ish deputetit Ndoka në emisionin Top Story, se parlamenti mund të mbetet me 70 deputetë provon qartazi se sa i domosdoshëm është votimi i menjëhershëm i draft ligjit të propozuar nga PD dhe me mbështetjen pa kushte të partnerëve tanë euroatlantikë. Me duhet të theksoj se kreu i PS-së dhe kryeministri aktual është i vetmi person përgjegjës për këtë situatë. Rastet e tjera të sakrifikimit apo vetë sakrifikimit janë vetëm ‘koka turku’ apo ‘kurbanë’ për të larguar vëmendjen nga përgjegjësia absolute e Ramës. Ndërkohë që PD, ashtu si edhe në rastin e draftit për dekriminalizimin, por edhe me nisjen e procesit të verifikimit të gjithë ata anëtarë të PD që aspirojnë karrierën politike dhe administrative dëshmon qartë vullnetin e plotë dhe seriozitetin maksimal të saj në përmbushjen e kësaj nisme historike për të shpëtuar kapjen e shtetit dhe institucioneve të tij nga krimi i organizuar, një “dhuratë” tërësisht e pamerituar që rilinidisti Rama i solli nga vitit 2013 e në vijim shqiptarëve.
PD ka kërkuar me ngulm dorëheqjen e Kryetarit të Kuvendit Meta dhe atë të ministrit të Brendshëm, Tahiri. Pse në këtë “listë”, sipas jush, nuk është përfshirë Kryeministri, i cili gjithmonë, sipas opozitës, është përgjegjësi numër 1 për kriminalizimin e Parlamentit dhe administratës si edhe për gjendjen e rënduar ekonomike?
Më duhet të ndaj, në këndvështrimin tim, atë që njihet si përgjegjësi morale dhe dyshimeve apo provave konkrete për politikanë të caktuar. Pa as më të voglin dyshim që përgjegjësia e plotë, sikundër e theksova edhe më sipër si për kriminalizimin e Kuvendit në radhët e deputetëve të PS-së, administratës apo dhe keqqeverisjen është kreu i ekzekutivit. Për keqqeverisjen ka përgjegjësi edhe Ilir Meta, pasi politikisht bashkëqeveris dhe dështimet i kanë të përbashkëta. Këto janë përgjegjësi morale dhe politike. Ndërkohë që dorëheqja e z. Meta dhe ministrit Tahiri kërkohet në rrethana dhe për arsye të cilësuara. PD kërkon dorëheqjen e tyre, jo për revanshizëm politik, por sepse ndaj tyre rëndojnë akuza konkrete. Nëse nuk kryhet ky akt minimalist, nuk besoj sa ka ndonjë shqiptar që të besojë se mund të hetohet profesionalisht dhe pa asnjë ndikim si kreu i kuvendit apo ministri i Brendshëm. Vetëm pa funksione ekziston një mundësi hetimi jashtë çdo presioni. Kjo është arsyeja se pse PD kërkon dorëheqjen e tyre dhe jo të dikujt tjetër, të paktën në këtë çast. Por në rast se Rama do të vijojë me kokëfortësi të vijojë ecjen në këtë rrugë pa krye, PD nuk do të kërkojë thjesht dorëheqjen e tij, por largimin e gjithë kësaj klike neodiktatoriale dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme se e vetmja mënyrë për shpëtimin e katastrofës ekonomike dhe politikave më antisociale në këto 25 vite post diktature.
Kryetari Basha paralajmëroi pak ditë më parë ngritjen e qytetarëve në protesta nën udhëheqjen e opozitës, duke iu kundërvënë, siç ka pohuar ai, “diktaturës së veshur nga krimi dhe arroganca”. Sa besoni se janë të denja kauzat e PD-së për të ngritur qytetarët kundër qeverisë?
Kanë kaluar vetëm dy vite nga koha kur rilindistët në aleancë me z. Meta morën drejtimin e shtetit. Në vetëm dy vite, situata politike, ekonomike dhe sociale ka degraduar gati në progresion gjeometrik. Një kuvend, ku mazhoranca ka rreth 20 individë me rekorde të rënda kriminale, borxhi i jashtëm arriti shifrën rekord në një trilion, por me efektet më negative në ekonomi dhe asnjë investim publik dobiprurës. Biznesi po përjeton terrorin më të më egër, në emër të vendosjes së shtetit ligjor dhe e vetmja alternativë që i vjen nga goja e Kryeministrit është burgu. Skandalet korruptive të qeverisë dhe në dogana e tatime krijojnë dita ditës vrima të zeza në buxhetin e shtetit. Kriminaliteti është rritur ndjeshëm. Goditjet kriminale me tritol janë një situatë rutinë, ndërkohë që mbjellja e hashashit në gjithë territorin e vendit dhe kalimi i tij nga toka uji dhe deti drejt vendeve fqinjë anëtare të BE-së, i kanë dhënë epitetin më të shëmtuar vendit të shqipeve, atë të “Kolumbisë evropiane apo autostradë droge”. Si rezultat i vrasjes së shpresës dhe politikave më të egra antisociale numri i vetëvrasjeve është dyfishuar vetëm në krahasim me vitin 2014, ndërkohë që azilkërkuesit më shumë se 50 mijë, në vetëm dy vite, e vendosin Shqipërinë në vendin e dytë pas Sirisë që është në gjendje lufte. Arsimi në të gjitha nivelet po përjeton kolaps të plotë, ndërkohë që shëndetësia po sëmur çdo shqiptar. Zgjedhjet vendore ishin prova më e qartë e standardeve më antidemokratike që ndjek kjo mazhorancë, duke na kthyer në periudha shumë të errëta. Mendoni se nuk janë të mjaftueshme këto arsye që vetë populli të jetë në protestë, çdo orë të ditës, çdo ditë të javës. PD si një parti e përgjegjshme politike do të jetë në krye të tyre, jo si një mjet e rrugë për të marrë pushtetin, por për të dhënë alternativën e shpëtimit kombëtar dhe kthimit të kursit të vendit drejt BE-së. Nuk është kauzë e PD, por është kauzë e çdo shqiptari.
Box
Shanset e zgjedhjeve të parakohshme
Gjithnjë e më shumë po flitet në ambientin e dy partive kryesore në vend, por edhe në atë mediatik për mundësinë e zhvillimit të zgjedhjeve të parakohshme. Vetëm pak ditë më parë sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani, deklaroi se PD po përgatitet për zgjedhje të parakohshme. “PD është një parti shtetformuese, është në zhvillim të pandërprerë dhe në një analizë të pandërprerë. Shumë shpejt mund të kemi zgjedhje të parakohshme, por edhe nëse kemi zgjedhje normale, janë shumë afër. PD duhet të shkojë e përgatitur. Do të kemi një tur të kreut të PD-së nëpër rrethe, ku do të diskutojë me popullin”, – tha ai. Por ndërsa opozita duket se ka një skenar të mundshëm për zgjedhje të parakohshme, as PS nuk është larg shumë këtij varianti. Vetëm pak ditë para deklaratës së Ristanit, “Standard”, duke iu referuar burimeve shumë të afërta me mazhorancën, theksoi se ekziston edhe një variant, sipas të cilit Kryeministri Rama të kërkojë zgjedhje të parakohshme. “Skandalet e shumta në një kohë të shkurtër si dhe presioni nga procesi i dekriminalizimit duket se kanë vënë kryetarin e PS-së në një pozitë pa zgjidhje të pjesshme. Një problem tjetër i madh për Kryeministrin është edhe situata ekonomike. Në muajin tetor ai ka testin e radhës nga FMN-ja dhe gjasat për një mosnënshkrim të dytë të marrëveshjes janë të mëdha, nëse aksioni fiskal që ka nisur nuk jep rezultatet që ai pret. Nga ana tjetër problem kryesor mbetet marrëdhënia me LSI-në, ku nuk mund të mohohet një ftohje e marrëdhënieve mes Kryeministrit Rama dhe kreut të Kuvendit Meta. Ideja se PS, nëse hyn në këto moment e vetme në zgjedhje, me një opozitë të dobët si ajo e PD-së, por edhe me një LSI të konsumuar nga “pazarexhinjtë” që ka emëruar gjithandej, mund të fitojë e vetme një shumicë qeverisëse, gati është zyrtarizuar brenda kësaj force”, – theksohej në artikullin e gazetës.




