“Punëdhënësi përballon të gjitha shpenzimet e udhëtimit të punëtorëve nga Republika e Shqipërisë. Punëdhënësi gjithashtu mbulon edhe shpenzimet e udhëtimit vajtje-ardhje të punëtorëve gjatë periudhave të pushimeve”
Shqipëria dhe Katari kanë nënshkruar një marrëveshje punësimi mes tyre. Në këtë marrëveshje dy shtetet bien dakord që të pranojnë, sipas kushteve të mëposhtme punonjësit e rinj. “Rekrutimi i fuqisë punëtore nga Republika e Shqipërisë, hyrja dhe punësimi në shtetin e Katarit rregullohen në përputhje me ligjet dhe procedurat përkatëse që zbatohen në të dy vendet. Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale të Shtetit të Katarit paraqet në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë të Republikës së Shqipërisë kërkesat për rekrutim të punëdhënësve të Shtetit të Katarit për punësimin e qytetarëve të Republikës së Shqipërisë. Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë e Republikës së Shqipërisë merr masa për përmbushjen e kërkesave të tilla brenda mundësive dhe burimeve që ka në dispozicion”, – përcakton marrëveshja mes Shqipërisë dhe Katarit. Nëse një punëdhënës në shtetin e Katarit dëshiron të rekrutojë dhe të punësojë qytetarë të Republikës së Shqipërisë me kualifikime të veçanta, punëdhënësi përcakton kualifikimet e tilla në kërkesën e tij, drejtuar Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale të Shtetit të Katarit. Punëdhënësi i shtetit të Katarit ndjek dhe plotëson të gjitha procedurat e nevojshme, që kërkohen për zgjedhjen e punëtorëve dhe udhëtimin e tyre nga Republika e Shqipërisë në Shtetin e Katarit, qoftë vetë ose duke autorizuar një përfaqësues nga personeli i tij, ose nëpërmjet një zyre rekrutimi të autorizuar nga Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale të Shtetit të Katarit.
Kërkesat
Kërkesat e rekrutimit përshkruajnë kualifikimet e kërkuara, përvojën dhe specializimin, kohëzgjatjen e mundshme të kontratës, kushtet e detajuara të punës, veçanërisht pagat, shpërblimin në fund të shërbimit, periudhën e provës dhe lehtësirat në lidhje me transportin dhe strehimin, si dhe të gjitha të dhënat bazë që mund t’i japin mundësinë punëtorëve të vendosin për nënshkrimin e kontratës së punës. Qeveria e Shtetit të Katarit ndërmerr procedura për rikthimin e punëtorëve të Republikës së Shqipërisë kur përfundojnë kontratat e punësimit. Ajo gjithashtu mund të ndërmarrë të njëjtat procedura para përfundimit të kohëzgjatjes së kontratave, kur nuk ka më nevoja për punësim, me kusht që në rastin e dytë pagat e punëtorëve dhe të drejtat e tjera që u takojnë atyre t’u paguhen apo të përmbushen në bazë të kontratave të tyre të punësimit të lidhura me ta, ose në bazë të ligjit të punës të Shtetit të Katarit. Qeveria e Shtetit të Katarit mund të ndërmarrë procedura për rikthimin e punëtorëve të Republikës së Shqipërisë, nëse prania e tyre në Shtetin e Katarit bie në kundërshtim me interesin publik ose sigurinë kombëtare të shtetit. Kjo do të zbatohet pa cenuar të drejtat që u përkasin punëtorëve në bazë të kontratave të punësimit ose ligjit të punës të shtetit të Katarit.
Shpenzimet
Punëdhënësi përballon të gjitha shpenzimet e udhëtimit të punëtorëve nga Republika e Shqipërisë deri në vendin e punës në shtetin e Katarit, kur ata fillojnë punën, si dhe përballon shpenzimet e kthimit të tyre nga Shteti i Katarit me mbarimin e punësimit të tyre. Punëdhënësi gjithashtu mbulon dhe shpenzimet e udhëtimit vajtje-ardhje të punëtorëve gjatë periudha të pushimeve. Shpenzimet e tilla nuk mbulojnë koston e lehtësimit të pasaportës dhe as pagesën e ndonjë depozite. Punëdhënësi përjashtohet nga shpenzimet për punëtorin që kthehet në shtëpi në dy rastet e mëposhtme:
– Nëse punonjësi jep dorëheqjen para përfundimit të kontratës së punësimit, përveç rasteve të përfundimit të kontratës që specifikohen në nenin 51 të Ligjit të Punës të shtetit të Katarit.
– Nëse ai bën një gabim që kërkon shkarkimin e tij nga puna pa paralajmërim dhe pa shpërblim për përfundimin e shërbimit në përputhje me Ligjin e Punës të shtetit të Katarit.
Kushtet dhe afatet e punësimit të punëtoreve nga Republika e Shqipërisë në shtetin e Katarit përcaktohen me një kontratë pune individuale të lidhur ndërmjet punëtorit dhe punëdhënësit në përputhje me kontratën model bashkëlidhur kësaj Marrëveshjeje. Kontrata përmban kushtet kryesore të punës në lidhje me të drejtat dhe detyrat që janë në përputhje me dispozitat e kësaj Marrëveshjeje dhe Ligjit të Punës së shtetit të Katarit. Kontrata lëshohet në arabisht dhe anglisht në tri kopje origjinale, njëra prej të cilave duhet të mbahet nga punëdhënësi, e dyta nga punëtori dhe e treta duhet të depozitohet pranë Ministrisë së Punës të Shtetit dhe Çështjeve Sociale të Shtetit të Katarit.
Kontrata
Kontrata individuale e punësimit përfshin detajet e detyrimeve të punëdhënësit në lidhje me strehimin e punëtorit dhe llojin e tij, ose pagesën e kompensimit të strehimit, si dhe trajtimin mjekësor. Teksti në gjuhën arabe i kontratës së punës është teksti i njohur nga Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale të Shtetit të Katarit dhe gjykatat në Shtetin e Katarit. Punëdhënësi nuk mund të bëjë ndryshime në dispozitat e kontratës së punësimit, përveçse kur ato janë më të favorshme për punonjësin dhe me miratimin e Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale të Shtetit të Katarit. Kontratat e punësimit miratohen nga Ministria e Punës së Shtetit dhe Çështjeve Sociale të Shtetit të Katarit dhe Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Doha, në rast se kontratat lidhen në Doha. Kontratat e lidhura në Republikën e Shqipërisë miratohen nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë e Republikës së Shqipërisë dhe Ambasada ose Konsullata e Shtetit të Katarit në Republikën e Shqipërisë. Autoriteti kompetent në Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale të Shtetit të Katarit monitoron zbatimin e dispozitave të kësaj marrëveshjeje. Në rast mosmarrëveshjesh ndërmjet punëdhënësit dhe punëtorit që rrjedhin nga kontrata e punës, ankesa depozitohet në Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale për t’u zgjidhur me mirëkuptim. Nëse nuk arrihet zgjidhje me mirëkuptim, atëherë mosmarrëveshja i kalon për kompetencë autoriteteve gjyqësore kompetente në Shtetin e Katarit. Kontrata e punës përfundon në datën e caktuar për mbarimin e saj pa një njoftim paraprak. Nëse punëdhënësi synon të vazhdojë kontraktimin, atëherë ai duhet të informojë punëtorit me shkrim për synimin e tij të paktën tridhjetë ditë përpara mbarimit të kontratës. Punëtorit i lejohet të transferojë kursimet nga paga e tij, në përputhje me rregullat financiare që zbatohen në Shtetin e Katarit.




