Gëzim Saliu
Bumçi: Për sa kohë shumica nuk reagon, cështja do jetë prioritet i opozitës
Noka: Mazhoranca bllokoi kërkesën për komision hetimor, trëeguan se janë të përfshirë
Partia Demokratike dhe opozita në tërësi duken të vendosur për ti shkuar deri në fund aksionit kundër trafikut të drogës dhe kërkesës për largimin e kryeministrit Rama si përgjegjës kryesor i situatës. Pas dy protestave te zhvilluara deri më tani, ajo e dy javëve më parë në sheshin para godinës së Parlamentit dhe ajo e së premtes në bulevardin Dëshmorët e Kombit përballë Kryeministrisë, opozita pritet të ndërmarrë vendimet e rradhës lidhur me këtë çështje. Në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar demokrat pritet të diskutohen masat dhe nismat e reja që do të ndërmarren nga opozita. Nga burime pranë selisë blu mësohet se në planin e masave për kundërshtimin e qeverisë lidhur me trafikun e drogës nuk do të jenë vetëm protestat, por edhe nsima të tjera, duke përfshirë betejën e vazhdueshme në Parlament, por edhe ngulmin tek kërkesa për komisionin hetimor, i cila u rrëzua në seancën e kaluar nga ana e mazhorancës. Po ashtu mësohet se në qendër të diskutimit të sotëm do të jetë edhe protesta e rradhës e opozitës, ku do të vendoset për formën, organizimin si edhe datën e zhvillimit të saj.
Bumci dhe Noka
Deputeti i partisë Demokratike Aldo Bumçi në një reagim për gazetën bëri të ditur dje se çështja e trafikut të drogës do të vazhdojë të jetë në qendër të axhendës s opozitës, si një diskutim që jo vetëm kërkon të zbardhë përgjegjesitë qeveritare, por edhe prej faktit se prek të gjithë qytetarët shqiptarë. Nga ana tjetër, Bumçi i pyetur se nëse do të vazhdojë opozita protestat në kuadër të aksionit kombërtar kundër trafikut të drogës, tha se,: “protesta do të ketë, por nuk është ky i vetmi reagim i ynë për këtë çështje. Ne kërkuam Komision Hetimor , ata e hodhën poshtë. Ne do e ndjekim sërish këtë rrugë, por edhe rrugët e tjera. Për sa kohë shumica nuk ka vullnet për të reaguar, kjo çështje do të vazhdojë”, theksoi deputeti demokrat. Ndërkohë në të njejtën linjë me të, deputeti tjetër demokrat Flamur Noka pohoi se rrëzimi i kërkesës së PD-së për komision hetimor lidhur me përgjegjësitë e qeverisë për këtë çështje si edhe rastin specifik të avionit të Divjakës, tregon sipas tij se mazhoranca kërkon ti shmanget zbardhjes së të vërtetës. “Hapi që ne ndërmorëm , krahas betejës politike për këtë çështje, ishte kërkesa për komision hetimor, por mazhoranca e bllokoi atë. E vetmja mundësi e tyre për të treguar se nuk ishin të përfshirë ishte komisioni hetimor, por ata nuk e pranuan dhe këtu tregojnë se fshehin diçka, varest sa çfarë fshehin. Komisioni hetimor ishte e vetmja nismë ligjore, krahas betejës politike që ne mund të ndërmerrnim, por ata e refuzuan”, tha Noka për “standard”. Ndërkaq i pyetur për nismat e rradhës që pritet të ndërmarrë opozita për këtë çështje, deputeti i PD-së dhe njëkohësisht nënkryetari i Komisionit të Sigurisë tha se,: “për hapat dhe nismat që do të ndërmarrim më tej do të vendoset në mbledhjen e nesërme( sotme) të grupit parlamentar”.
Dega e PD-së në Tiranë/ Bumçi: Jemi në fazën e anëtarësimeve
Kryetari aktual i degës së PD-së së Tiranës Aldo Bumçi deklaroi dje se kryeqyteti është ende në fazën e procesit të anëtarësimeve të reja dhe se pas mbylljes së kësaj faze do të nisë faza tjetër e zgjedhjeve të brendshme në parti. “Procesi deri më tani është ende në fazën e anëtarësimeve të reja, pasi në Tiranë si dega më e madhe ky proces nisi pak më vonë. Pas mbylljes së kësaj faze do të kalojmë në fazën tjetër. Nuk mund të jap një numër të saktë lidhur me anëtarësimet përderisa procesi ende nuk është mbyllur”, tha ai. Në mbledhjen e zhvilluar tre javë më parë nga kreu i PD-së, Basha, me koordinatorët e njësive bashkiake të Tiranës dhe rrethinat për të, u shpërnda udhëzimi i cili vendosi si afat të fundit datën 2 qershor për rifreskimin e të dhënave të anëtarësisë në grup-seksionet e PD-së dhe më pas verifikimin e të dhënave në formularë. Në udhëzimin e kreut të PD-së, përfshihen në procesin e rifreskimit të të dhënave të tyre edhe deputetët si edhe të zgjedhurit vendorë, banorë të degës së Tiranës. Pas përfundimit të këtij procesi, në degën e PD-së së Tiranës do të nisin zgjedhjet në seksione, grup-seksione dhe degë, ku përvec 11 njësive bashkiake do të krijohet baza e re e të dhënave për rrethinat e kryeqytetit.
Zgjedhjet në PD/ Rrethet në fazën e zgjedhjeve në grupseksione, priten emrat e kandidatëve për kryetarë
Pas përfundimit të procesit të anëtarësimeve për të gjitha rrethet, krahas Tiranës e cila si dega më e madhe ka marrë më shumë kohë për këtë proces, tashmë PD gjendet në fazën e zgjedhjeve në seksione, grupseksione dhe degë. Deri më tani thuajse në të gjitha degët e PD-së është përmbyllur faza e parë e zgjedhjeve në seksione e këtë javë pritet të nisë faza e zgjedhjeve në grupseksione. Pas kësaj do të zhvillohet konferenca e degës nga ku edhe do të dalin emrat e kandidatëve për kryetarë. Po ashtu në çdo degë po zhvillohet edhe analiza e humbjes së zgjedhjeve, ku edhe në bazë të udhëzimit do të diskutohet edhe mënyra e joshjes së votuesve si edhe vlerësimit të ndikimit të këtij fenomeni në rezultatin e votimit të qendrës përkatëse si edhe skemave të përdorura nga kundërshtari, por pa cënuar dinjitetin e zgjedhjeve individuale. Në përfundim të zgjedhjeve në të gjitha degët, përfshi Tiranën, brenda muajit qershor pritet të mblidhet Kuvendi Kombëtar, i cili do të zgjedhë fillimisht Këshillin Kombëtar dhe do të miratojë, nëse do të ketë ndryshime, statutin e selisë blu. Më pas do të jetë Këshilli Kombëtar, i cili do të zgjedhë kryesinë e re, nënkryetarët, sekretarin e Përgjithshëm dhe sekretarët e cështjeve specifike.




