Ilir Sinanaj
Kreu i EUROMIL-it, Emanuel Jacob, u shpjegoi ish-shtatrakëve procedurat e ndjekuar për çështjen e tyre drejt Gjykatës së Strasburgut, duke vënë në pah edhe faktin se kishte mungesë dokumentacioni i plotë
Çështja e shumë përfolur e trajtimit financiar të ish-ushtarakëve nuk ka mundur të kalojë procedurat e nevojshme për të shkuar në gjykim në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Për rrjedhojë ish-ushtarakëve nuk do t’u jepet një mundësi e dytë për të mbrojtur në këtë Gjykatë kauzën e tyre. Këtë e shpjegoi ditën hënë kreu i Oraganizatës Europiane e Shoqatave të Ushtarakëve (EUROMIL), Emmanuel Jacob, gjatë një konference të zhvilluar me ish-ushtarakët e Aleancës Kombëtare të Ushtarakëve të Shqipërisë (AKUSH), të kryesuar nga Kujtim Çako, si edhe me ish-ushtarakë të shoqatave të tjera simotra.
Kundërshtimi
Kreu i AKUSH-it, Kujtim Çako, ishte i vendosur të vazhdonte betejën ligjore në Strasburg për çështjen e trajtimit financiar të ish-ushtarakëve. Disa nga argumentet e tij ishin edhe fitoret e korrura për këtë kauzë në sistemin ligjor të Republikës së Shqipërisë
“Çështja jonë e të drejtave të ushtarakëve shqiptarë në pension është e drejtë sepse ka një bazë të plotë juridike. Ka dy ligje bazë organike, për statusin e ushtarakut: atë të vitit 1991 dhe të vitit 2004. Ka dy vendime të Gjukatës Kushtetuese të fituara në favor të ushtarakëve të Republikës së Shqipërisë numër 9 dhe numër 33, të miratuara në vitin 2007 dhe 2010, si edhe disa rekomandime të Avokatit të Popullit. Si e tillë kjo e drejtë është fituar me ligj dhe është e patjetërsueshme, por e pazbatuar akoma nga ekzekutivi shqiptar për rreth dy dekada e gjysmë” – tha ai.
Çako kundërshtoi faktin se, 4 viteve pasi AKUSH-i dorëzoi çështjen në Gjykatën e Strasburgut, çështja u refuzua për të kaluar në gjykim.
“Çështja jonë e paraqitur në një kërkesë-padi është e paanalizuar dhe e pagjykuar në themel, e theksoj në themel nga Gjykata e Strasburgut. Kjo është e papranueshme dhe njëkohësisht një paradoks për tërë opinionin tonë të ushtarakëve. Kjo përgjigje vjen tepër e vonuar pas katër viteve, të ankesës së pranuar si të rregullt konform kritereve të kësaj Gjykate. Me datë 18 shtator 2014, Gjykata e Strasburgut na informoi se një panel i përbërë nga një gjykatës, i ndihmuar nga një relator konform ligjit, u mblodhën në 28 gusht dhe në 11 shtator 2014, dhe vendosi ta shpallë ankesën tonë të papranueshme” – u shpreh Çako.
Ai këmbënguli që të lobohej përsëri për të çuar në gjykim në Gjykatën e Strasburgut çështjen e trajtimit financiar të ish-ushtarakëve. Gjithashtu Çako nuk ngurroi t’i kërkonte kreut të EUROMIL-it ndihmën dhe mbështetjen e nevojshme për në mënyrë që kauza e ish-ushtarakëve shqiptarë të merrte përmasa ndërkombëtare.
Procedurat e Strasburgut
Kreu i EUROMIL-it, Emanuel Jacob, u shpjegoi ish-ushtarakëve procedurat e ndjekur për çështjen e tyre drejt Gjykatës së Strasburgut, duke vënë në pah edhe faktin se kishte mungesë dokumentacioni, që u plotësua më vonë.
“Në mesin e viti 2014, u shqyrtua se ku ishte çështja e juaj dhe ju i kthyet përgjigje gjithçkaje që kërkoi Gjykata e Strasburgut. Pastaj çështja i kaloi gjykatësit për hapin e parë të themi. Dhe aty fillohet çështja në sistemin juridik, i cili shpjegohet fare qartë në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe në këtë sistem ka disa mundësira. Sistemi më i përdorur është sistemi me një gjykatës. kjo do të thotë se ka vetëm një gjykatës – sigurisht me personat përkatës që e ndihmojnë – siç parashikohet në nenin 24 të Konventës. Pra aty parashikohet që të ketë një panel me një gjykatës, i cili shikon faktet e çështjes dhe shikon nëse Gjykata duhet ta pranojë për gjykim. Pastaj është neni 35 i Konventës, ku përveç të tjerash, një nga kriteret e pranueshmërisë është një çështje që ka lidhje me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Në rastin tuaj, ju keni përdorur disa nene të Konventës. Një tjetër kriter është shterimi i niveleve të ndryshme të gjykatave në vendin tua, gjë që unë mendoj se keni bërë.
Jacob foli edhe për funksionin e gjykatësit, i cili shqyrton çështjen para se të kalojë për gjykim.
“Pastaj është ky gjykatës, i cili vendos nëse çështja juaj do të pranohet nga gjykata për gjykim. Dhe vetëm në rast se ky gjykatës vendos se çështja juaj është e pranueshme, pra përmbush kriteret e pranueshmërisë, atëherë fillon procedura me të cilën merret Gjykata e Strasburgut. Në rast se pranohet atëherë informohet edhe qeveria e vendit përkatës nga vjen çështja. Dhe qeveria sjell argumentat e veta në çështje”, – tha ai.
Por nga shumë çështje që paraqiten në Gjykatën e Strasburgut, jo të gjitha kalojnë procedurën e përputhshmërisê për t’u gjykuar.
“Fakti është se çdo vit, Gjykata së Strasburgut i shkojnë jo mijëra por dhjetra mijëra kërkesë-padi në vit. Gjithashtu 85% e këtyre kërkesë-padive nuk pranohen nga gjykatësi sepse nuk përmbushin kriteret sipas kêtij gjykatësi. Pra më pak se 2 nga 10 çështje nê vit kalojnê nê procedurëne gjykimit në themel në Gjykatên e Strasburgut” – bëri të ditur Jacob.
Nga ana tjetër, duke i’u referuar procedurës nga gjykatësi për moskalimin e çështjes së ish-ushtarakëve në gjykim, kreu i EUROMIL-it foli për atë që parashikohej në legjislacionin europian për argumentimin e mënyrës së procedimit.
“Është shumë e vështirë t’i futemi argumentimit të gjykatësit për vendimin. kjo sepse nuk parashikohet ndonjë rregullore ku thuhet se gjykatësi në fjalë duhet të japë një argumentim të plotë për përmbushjen e kritereve të përputhshmërisë, që çështja të kalojë në gjykim. Kjo pasi ky gjykatës nuk jep gjykim por është thjesht një procedurë”, – shpjegoi ai.
Në fund Emanuelle Jacob u bëri të ditur ish-ushtarakëve se ata nuk mund ta dërgonin përsëri çështjen e tyre në Gjykatën e Strasburgut
“E di që është e vështirë ta pranoni, por pasi merret vendimi se nuk ka përputhshmëri për vazhdimin e çështjes në gjykim, atëherë ky është vendim i formës së prerë dhe nuk mund t’i drejtohesh më Gjykatës së Strasburgut”, – tha ai.
Më tej Jacob tha se nga ky moment AKUSH-i nuk duhet të dëshpërohet por të vazhdojë përpjekjen për çështjen e tyre në nivele të ndryshme kombëtare.




