Sonila Mesareja
Pretendimi: Nuk isha në Lazarat kur është qëlluar mbi policinë
Vendimi: Gjykata e lë 1 muaj në burg, afat Prokurorisë për prova
I pesti i Lazaratit, i arrestuar për llogari të Krimeve të Rënda, u paraqit dje para Gjykatës për t’u njohur me akuzën dhe masën e arrestit. Ashtu siç pritej, siç edhe kanë deklaruar katër të tjerët, Minush Brahimi ka mohuar se ka qëlluar ndaj policisë me armë, duke ngritur pretendimin se nuk ka qenë në Lazarat kur është qëlluar me armë ndaj uniformave blu. Pasi ka dëgjuar akuzën e prokurorit, provat që disponon dhe pretendimet e të akuzuarit dhe avokatit të tij mbrojtës, togat e zeza nuk janë bindur për ta lënë në burg pa afat të riun lazaratas, por e kanë lënë në burg me afat 1 mujor, ndërkohë që Prokuroria duhet të sjellë prova bindëse për të vijuar apo hetimet në gjendej arresti me burg për Brahimin.
Masa
Në një seancë me dyer të mbyllura, ashtu sikundër u zhvilluan edhe katër të tjerat, Gjykata e Krimeve të Rënda caktoi masën e arrestit për Minush Brahimin, i akuzuar për “Vrasje në rrethana cilësuese, mbetur në tentativë”, ndaj uniformave blu. I akuzuari Brahimi, së bashku me 4 të tjerë të arrestuar dhe lënë në burg për llogari të Krimeve të Rënda akuzohen si pjesë e grupit të zjarrit, atij grupi që nuk kurseu plumbat nga policisë gjatë ndërhyrjes në Lazarat. Në përfundim të seancës, togat e zeza caktuan masën arrest me burg 30-ditor për Minush Brahimin, kohë gjatë së cilës, sipas Gjykatës, organi i akuzës duhet të sjellë prova në lidhje me 2 akuzat që rëndojnë ndaj të akuzuarit, përkatësisht ajo e “Vrasjes së mbetur në tentativë e punonjësit të policisë” dhe “Kultivim narkotikësh”. Sipas burimeve nga brenda gjykatës, 21-vjeçari ka mohuar akuzën duke deklaruar se ditët kur është zhvilluar operacioni policor në Lazarat, ai s’ndodhej në fshat.
Të arrestuarit
Minush Brahimi është i pesti i arrestuar nga të konsideruarit grupi i zjarrit, pasi më herët para gjykatës kanë dalë Razip Mahmutaj, njohur si Gatja, djali i tij Vandamin, Matias Boçi e Emiljano Aliko. Edhe këta të fundit, ashtu si Brahimi, më herët kanë mohuar të kenë qëlluar ndaj policisë, ndërsa Boçi dhe Aliko deklaruan se nuk kanë qenë fare në Lazarat dhe disponojnë pamje filmike që provojnë deklarimet e tyre. Akuzat që rëndojnë ndaj tyre janë “Vrasje në rrethana cilësuese e mbetur në tentativë ndaj punonjësve të policisë”, “Kultivim hashashi”, “Kundërshtim i punonjësve të policisë”.




