Hileja me kompensimin e pronave, qeveria mendon ta mbyllë me një faturë 100 herë më të vogël

Myrshid VorpsiErvin Kaduku

Fatura që kërkojnë ish-pronarët tashmë prej disa vitesh është në masën 30 miliardë euro. Qeveria Rama po “luan në një terren negativ”, duke propozuar mbylljen e çështjes me një shifër prej 300-360 milionë eurosh, edhe këto me 120 këste! 

Propozimi i ligjit më të fundit, që duhet të rregullonte çështjen e pronave të konfiskuara nga regjimi komunist, duket se është një farsë e qeverisë “Rama”, e cila nuk ka asgjë të përbashkët me zgjidhjen, por synon të arkivojë një herë e përgjithmonë, me një shifër qesharake, vuajtjet e familjeve të kësaj kategorie, që po presin prej dy dekadash e gjysmë adresimin e hallit të tyre gjigant.

Projektligji, që u prezantua së fundmi javën e kaluar, ka disa pika të shprehura qartë. Qeveria në 10 vitet në vijim synon të përmbyllë kompensimin financiar ndaj ish- pronarëve me një vlerë prej 50 miliardë lekësh ose 360 milion euro, vlerë kjo shumë më e vogël se 30 miliardë eurot, e pretenduara nga shoqatat e ish-pronarëve, madje disa herë më e vogël edhe se një faturë e parë financiare, e paraqitur para disa vjetësh nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronës, që ishte në masën 4 miliardë euro.

Sipas projektligjit të qeverisë për pronat, financimi vjetor mesatar çdo vit do të jetë rreth 5 miliardë lekë në formën e kompensimit financiar. Kjo shumë do të jetë e njëjtë për 10 vitet në vijim dhe, sipas Ministrisë së Financave, kemi të bëjmë me një shumë që afërsisht është 20 herë më shumë nga çfarë është dhënë deri tani një herë në vit.

Me tempin e deritanishëm të kompensimit do të duheshin edhe 150 vite, por qeveria, me anë të ndryshimeve të fundit ligjore, po ul vlerën e kompensimit në mënyrë drastike dhe, gjithashtu, ka ulur limitin kohor të kompensimit. Më e rëndësishmja në këtë reformë të re të pronësisë shihet të jetë kompensimi i pronarëve që u është marrë toka me ligjin të 7501, nëpërmjet të cilit në vitin 1991 u bë ndarja e tokës për frymë, duke i hapur kështu rrugë një konflikti të ri duke zhbërë pronarët reale dhe duke parcelizuar në mënyrë të tejskajshme tokën.

Me ndryshimet e fundit ligjore, pronarët realë, të cilëve iu mor toka nëpërmjet ligjit 7501 duke u shpërndarë ndaj atyre që nuk kishin toka, do të kompensohen 100%.

Por çmimi me të cilin do të kompensohen pronarët duket se është vendosur të jetë sipas një formule qesharake, ku pagesa nuk do të bëhet sipas klasifikimit zyrtare se çfarë kategorie është prona aktualisht, por se çfarë kategorie i përkiste ajo, në momentin kur është bërë shpronësimi.

Ish-pronarët kanë të drejtë të kërkojnë zyrtarisht nga qeveria, por edhe nga organet e specializuara të huaja që mbrojnë të drejtat e njeriut: Sa e drejtë është një formulë e tillë? Po të kthehen sot fizikisht toka, që aktualisht janë troje, brenda vijës së verdhë të qyteteve, vlera e tyre do të ishte shumë e lartë. Por qeveria përgatitet të paguajë për to si të ishin ende kullota, apo toka bujqësore, me vlerë rreth 100-200 lekë për metër katror.

Kjo është një logjikë e denjë për diktaturat, por jo për një shtet që pretendon të quhet demokraci, në sundim të ligjit.

Përfaqësues të pronarëve kanë kundërshtuar varantin e ri për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit, duke deklaruar se ai shkel parime të së drejtës, nene të Kushtetutës dhe Kartës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. “Është hequr koncepti i kthimit të pronës, nuk ka më kthim të pronës, por ka kompensim dhe ky kompensim do të bëhet sipas qejfit dhe interesit të qeverisë, duke e vlerësuar me çmimet e ’45 për pronarët dhe duke vlerësuar tokën me çmimet e ’15 për shtetin”, – tha Agim Toro, sekretar i përgjithshëm i shoqatës “Pronësi me Drejtësi”.

Ish-pronarët do ta kundërshtojnë ligjin e ri të pronave në Gjykatën Kushtetuese dhe në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Anëtari i kryesisë së shoqatës “Pronësi me drejtësi”, Myrshid Vorpsi, deklaroi se do ta kundërshtojnë këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese. “Nuk mundet që të drejtat e fituara me një ligj të mëparshëm të hiqen nga një ligj tjetër i mëvonshëm”, – argumenton Vorpsi. Mendimi i shoqatës, sipas anëtarit të kryesisë, është se “qeveria përmes heqjes së termit ‘kthimi i pronës’ dhe trajtimit të pronave të kthyera si vlerë për kompensim, po ndryshon rregullat e lojës në fund të lojës”.

Vorpsi shprehet se, me këtë ligj të ri, të shpronësuarit duhet të paguajnë qeverinë për ato prona që iu janë kthyer, të cilat do të rivlerësohen bazuar në kadastrën e vitit 1945. “Këto vendime të kthimit të pronave, vazhdon Vorpsi, janë tituj ekzekutivë dhe nuk mund të preken. Por, është gjetur metoda duke futur klasifikimin ‘truall’ dhe ‘tokë bujqësore’ të vitit 1945. Ndarje ‘tokë bujqësore’ dhe ‘truall’, sipas ligjit aktual, është ndarja sipas vijës së verdhë ekzistuese në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit”. Referuar korrespondencave të qeverisë me Gjykatën e Strasburgut, nga viti 1993 deri në vitin 2010, u është njohur të shpronësuarve 15 mijë hektarë tokë “truall”. Ish-pronarëve u është kthyer fizikisht 5 mijë hektarë, ndërsa pjesa tjetër duhet kompensuar. Me këtë projektligj, sipas Vorpsit, pjesa e pronës tokë “truall” ulet minimalisht me 10 mijë hektarë dhe kthehet në statusin “tokë bujqësore”. Çfarë ndodh me llogaritjet e reja? Nga 100 euro/m² që është çmimi mesatar i tokës truall në treg, me kalimin në vlerësimin si tokë bujqësore, vlerësimi bie në mënyrë drastike, sepse çmimi i tregut për këtë kategori është 2 deri në 3 euro/m². Kjo përbën pjesën më të kundërshtuar të projektligjit nga grupet e interesit.

“Projektligji është pa faturë financiare, ashtu si ligjet e mëparshme. Nëse do të shprehej fatura nuk do të ishte përcaktuar në ligj shuma qesharake që do të vendoset në dispozicion të kompensimit financiar 5 miliardë lekë në vit. Kjo shumë nuk i përgjigjet faturës reale”, deklaron Vorpsi. Sipas të shpronësuarve, qeveria po kërkon që barrën e faturës ta kalojë te kjo shtresë. Vorpsi thekson se vendimmarrjet e sotme dhe të kaluara janë politike, duke filluar nga ligji 7501 i vitit 1991 deri te ligji i fundit i legalizimeve. “Me këto ligje është shpërndarë toka falas dhe kërkohet që, tani në fund, vlera e tyre të faturohet në kurriz të pronarëve”, – shprehet Vorpsi. Nëse kërkohet pakt kombëtar për zgjidhjen e çështjes së pronës, sugjeron Vorpsi, atëherë të shpërndahet fatura njësoj tek të gjithë.

Share it :