Sonila Mesareja
Në sekret të plotë, Gjykata lë në burg dy personat e përfshirë, Ardian Bitraj e Mimoza Bruzia. Dëshmia e 45-vjeçarit: Si vodha për 4 vjet 600 milionë lekë nga banka
U raportua thjesht si një arrestim për disa shpërdorime dhe vjedhje në Bankën e Shqipërisë, por në të vërtetë, pas fshihej një skandal i vërtetë. Dy punonjës të kësaj banke, me profesion ekonomistë, akuzohen si të përfshirë në vjedhjen spektakolare të 6 miliardë lekëve për një periudhë 4-vjeçare. Dje, masa e sigurisë për shtetasit Ardian Bitraj dhe Mimoza Bruzia u bë në sekret të plotë nga Gjykata e Tiranës, për të fshehur përmasat e këtij superskandali të ndodhur në bankën kryesore dhe më të rëndësishmen në vend. Protagonisti kryesor ka pranuar vjedhjen dhe ka deklaruar se i ka lënë të gjitha në kumar për 4 vite, fakt i pabesueshëm nga Prokuroria e Tiranës, e cila ka nisur hetime më të thella, duke bashkëpunuar edhe me banka apo ZRPP për të zbuluar ku janë fshehur dhe në emër të kujt këto para. Megjithatë, janë vetëm ditët e para dhe flitet me shuma paraprake, pasi policia dyshon se shuma e vjedhur mund të jetë edhe më e madhe se kaq dhe për këtë pritet finalizimi i hetimeve për të dalë me shumën përfundimtare të dalë nga Banka e Shqipërisë nga dy punonjësit. Burime policore bëjnë me dije se janë një grup ekspertësh që po punojnë në terren për të zbardhur komplet ngjarjen.
Masa
Gjykata e Tiranës caktoi dje masën “Arrest me burg” për Ardian Bitrajn, 45 vjeç, dhe Mimoza Bruzinë, 42 vjeçe, të dy punonjës të departamentit të Emisionit në Bankën e Shqipërisë. Seanca u zhvillua në fshehtësi të plotë, pasi ngjarja është kategorizuar si tepër e klasifikuar nga banka qendrore dhe institucionet që po e hetojnë. Akuzat që rëndojnë mbi dy punonjësit janë “Shpërdorim detyre dhe “Moskallëzim krimi”. Gjithçka u zbulua falë një auditi të brendshëm të Bankës së Shqipërisë, ku u zbulua se disa nga arkat e parave ishin prekur dhe brenda tyre nuk kishte para, por libra. Madje, auditi nisi të dyshonte, pasi punonjësi i sektorit Ardian Bitraj ishte duke u munduar të shtynte çdo ditë inventarizimin, nga frika e zbulimit të këtij superskandali.
Skema
Grupi hetimor ka mundur të zbardhë gjithë skemën e kësaj supervjedhjeje, përmes edhe dëshmisë që ka dhënë vetë protagonisti kryesor i saj, Ardian Bitraj. Sipas dëshmisë së tij, në vend të parave, pas nxjerrjes nga arka, ata i mbushnin me letra për të mos rënë në sy. Në departamentin e Emisionit, ku punonin dy personat e arrestuar, Ardian Bitraj dhe Mimoza Bruzia, ka dy funksione në Bankën e Shqipërisë. I pari është nxjerrja në qarkullim e parasë, hedhja e kartëmonedhave të reja dhe i dyti grumbullimi i tepricave dhe tërheqja nga qarkullimi i kartëmonedhave të dëmtuara. Dyshohet se dy ish-punonjësit e bankës kanë përfituar nga funksionet që kryenin, pasi kanë përvetësuar si nga ato që do te hidheshin në treg, po ashtu dhe nga ato që kanë dalë nga tregu. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se hetimet janë akoma në zhvillim e sipër, pasi pritet dalja e fakteve të reja. Ka dyshime të arsyeshme se shuma e vjedhur mund të jetë shumë më e madhe, kjo në kohë të ndryshme. Ndërsa sqarohet se një person i tretë po i Bankës së Shqipërisë është lënë i lirë, pasi nuk iu gjetën të dhëna komprementuese për të. Aktualisht, hetimi është intensiv për të parë nëse ka dhe individë të tjerë të përfshirë në skandalin që çoi në përvetësimin e rreth 4,5 milionë eurove.
Zbulimi
Vjedhja u zbulua në momentin kur do të bëhej asgjësimi i parave të dala nga qarkullimi. Dy punonjësit që drejtonin sektorin e parave stok, për disa vite me radhë kishin vjedhur nga stoku i parave të reja dhe atyre që asgjësoheshin 600 milionë lekë të reja. Ardian Bitraj, me detyrë përgjegjës i sektorit të Arkës Stok, ka rrëfyer se prej katër vitesh, në bashkëpunim me kolegen e tij, dilnin nga ky sektor me shuma të konsiderueshme lekësh që ishin bërë gati për t’u hedhur në qarkullim dhe të tjera që ishin bërë gati për t’u asgjësuar. Bitraj, i punësuar që prej vitit 1993 në Bankën e Shqipërisë, i cili këtë të hënë, ditën kur një komision i ngritur nga banka do të kontrollonte sasinë e parave të stokut, që kishin dalë nga qarkullimi dhe do të asgjësoheshin, ka rrëfyer se nga sektori që ai kishte nën përgjegjësi ishin nxjerrë shuma të konsiderueshme nga banka. Pasi është përpjekur të shtyjë inventarizimin e gjendjes së arkës stok, ai është rrëfyer përpara komisionit, duke i tronditur ata.
Dëshmia
“Kam katër vjet që i marr lekët nga arka stok, i tërhiqja të gjitha prerje 50-she, i fshihja në trup dhe disa herë përfitova nga fakti që shefi im ishte i ri dhe nuk e kishte idenë se çfarë bëhej aty. Kartëmonedhat vinin nga Zvicra të paketuara në kuti, me peshë fikse. Vetëm 1 në 40 kuti hapej për t’u kontrolluar. Pas përfundimit të procedurave, merrja në punë libra, me të cilët zëvendësoja paratë brenda në kuti, për të arritur të njëjtën peshë, me shpresën se një ditë do t’i zëvendësoja. Ka pasur raste kur kam vjedhur edhe 10 milionë lekë të reja për një ditë, duke i fshehur në rroba brenda trupit. Të gjitha paratë i kam harxhuar në kumar, ditë pas dite, për 4 vite rresht”, – ka rrëfyer ai. Në dëshminë e tij, 45-vjeçari ka përfshirë edhe kolegen e vet, të punësuar në të njëjtin sektor, duke thënë se ajo para disa muajsh kishte kuptuar që në arka mungonin 400 milionë lekë e i kishte kërkuar llogari se ku ndodheshin shumat, por, thotë ai: “Unë i premtova se do t’i ktheja. Ka pasur ditë që unë dilja nga sektori me lekë të fshehura në trup, që kapnin shifrën e 10 milionë lekëve dhe askush s’më kuptonte. Të gjitha lekët i kam lënë në lojërat e fatit, që janë poshtë shtëpisë sime. Madje, te një kazino jam borxh 50 milionë lekë të vjetra”. Megjithatë, për organin e akuzës justifikimi i tij duket i dyshimtë dhe për këtë arsye u është dërguar shkresë të gjitha bankave të nivelit të dytë apo dhe ZRPP-ve për të identifikuar llogari bankare apo pasuri të paluajtshme në emër të tij, familjarëve apo të afërmve. Ndërkohë, 42-vjeçarja Mimoza Bruzia ka mohuar të ketë lidhje e të ketë bashkëpunuar me 45-vjeçarin Bitraj.
Kush janë personat e implikuar
Ardian Bitraj, 45 vjeç, specialist që në vitin 1993, në qendrën e Emisionit të Monedhës.
Mimoza Bruzia, 42 vjeçe, përgjegjëse e departamentit të kësaj qendre




