Hetimi/ Lejet për ndërtime në bregdet, hetim pasurive të zyrtarëve të Rrashbullit

Sonila Mesareja

ndertime bregdetTask Forcë e Prokurorisë së Durrësit, shkresë Hipotekës dhe bankave të nivelit të dytë për verifikim të pasurive të tundshme dhe të patundshme të zyrtarëve dhe familjarëve të tyre

Pas arrestimit të zyrtarëve më të lartë të komunës Rrashbull në Durrës, si dhe hetimit në gjendje të lirë të disa zyrtarëve të tjerë, Task Forca e Prokurorisë së Durrësit ka nisur verifikimin e pasurive të tyre pasi dyshohet se 15 lejet e ndërtimit në zonën e Shkëmbit të Kavajës, i kanë dhënë kundrejt përfitimeve materiale. Sipas akuzës, është kërkuar nga Hipoteka verifikimi dhe identifikimi i pronave të paluajtshme që mund të kenë të dyshuarit e familjarët e tyre si dhe është kërkuar nga të gjitha bankat e nivelit të dytë, që në mënyrë analitike të japin të dhëna për llogarite bankare. Përmes një shkrese, Njësia Task Forcë dhe Antikrimi Financiar i policisë u janë drejtuar zyrave të ZRPP-ve dhe bankave të nivelit të dytë për të marrë informacion mbi pasuritë që këta zyrtarë disponojnë. Burime nga Prokuroria e Durrësit bëjnë me dije se ka nisur verifikimi i pasurive të komunarit Hysen Gashi; shefit të Urbanistikës, Viktor Ndreka; dhe tre anëtarëve të KRRT-së të komunës, Vasil Gjoni, Indrit Hamiti dhe Sabri Troci që janë tashmë në paraburgim, si edhe për tre anëtarët e tjerë të KRRT-së, Erifili Theollari, Nevjana Isufi dhe Fatjon Aliaj, që hetohen në masën e detyrimit për paraqitje. Përveç verifikimit të pronave të patundshme në emër të zyrtarëve që janë tashmë në arrest apo hetim, është kërkuar informacion për bankat e nivelit të dytë edhe për numrat e llogarive që kanë vetë ata apo familjarët e afërt. Ndërkohë që nga këto burime nuk është bërë e ditur nëse ka deri tani informacione apo janë gjetur pasuri e vlera monetare të vënë nga abuzimet me lejet e ndërtimit në bregdet.

 

Arrestimi

Pas arrestimit të zyrtarëve, policia raportoi përfundimin e fazës së parë të operacionit që u konkludua me arrestimin e kryetarit të komunës Rrashbull në Durrës, Gashi, të 4 zyrtarëve të tjerë dhe hetimin në masën e detyrimit për paraqitje për tre anëtarët e KRRT-së së komunës. Arrestimi erdhi pas verifikimit të shkeljeve në dhënien e 15 lejeve të ndërtimit në zonën e plazhit, që dyshohet të jetë kryer kundrejt përfitimeve materiale. Lejet janë miratuar pak kohë para vendimit të shtatorit të 2011, që urdhëronte pezullimin e lejeve të ndërtimit me vendim të Këshillit Kombëtar të Rregullimit të Territorit të Shqipërisë deri përfundim të studimit të planit të përgjithshëm.

 

Hetimi

Burime nga akuza e Durrësit bënë me dije se në bazë të kallëzimit të policisë, hetimet kanë nisur në shkurt të këtij viti, ku janë konstatuar 15 leje ndërtimi të dhëna në zonën e rërës, në të cilën nuk lejohet absolutisht ndërtimi. Këto leje janë miratuar vetëm pak ditë para vendimit të shtatorit të 2011, që urdhëronte pezullimin e lejeve të ndërtimit me vendim të Këshillit Kombëtar të Rregullimit të Territorit të Shqipërisë deri përfundim të studimit të planit të përgjithshëm. Arrestimi i 8 të dyshuarve është bërë me vendim gjykate, ku 5 prej tyre janë lënë në “arrest me burg” ndërsa 3 të tjerë janë liruar me masën “detyrim për paraqitjeje“. Pas ndalimit nga policia, asnjëri prej të dyshuarve nuk ka pranuar të japë shpjegime për akuzën e “shpërdorimit të detyrës” të ngritur ndaj tyre.

 

Zyrtarët nën hetim

Hysen Gashi, kryekomunar

Viktor Ndreka, shef i Urbanistikës,

Vasil Gjoni, anëtar i KRRT-së së komunës,

Indrit Hamiti , anëtar i KRRT-së së komunës,

Sabri Troci, anëtar i KRRT-së së komunës,

Erifili Theollari, anëtar i KRRT-së së komunës,

Nevjana Isufi, anëtare e KRRT-së së komunës,

Fatjon Aliaj, anëtar i KRRT-së së komunës

 

Vlorë/ Marrin peng dhe grabisin taksistin, arrestohen Kurti e Doku

Taksistët bien sërish preh e grabitësve. Dy netë më parë, fatin e keq e ka pasur një taksixhi nga Vlora, të cilin e kanë marrë peng, e kanë dhunuar dhe më pas e grabitën. Burime zyrtare policore bëjnë me dije se bëhet fjalë për dy persona të armatosur që kanë kryer pengmarrjen, ndërsa vetëm mëngjesin e djeshëm ata janë vënë në pranga. Dy personat e armatosur kanë marrë peng taksistin dhe pasi e kanë dhunuar i kanë marrë edhe makinën. Ngjarja, e cila ka ndodhur dy netë më parë, pak para mesnate në fshatin Mifol të Vlorës. Grabitësit, njëri prej tyre i shpallur në kërkim për vjedhje me armë, fillimisht nën kërcënimin e armës, e kanë shoqëruar taksistin në një zonë të errët, dhe pasi e kanë goditur me mjete të forta i kanë marrë sendet më vlerë, paratë dhe makinën. Drejtuesi i taksisë ka raportuar ngjarjen në polici, ndërsa mëngjesin e djeshëm policia bëri të mundur edhe arrestimin e dy të rinjve. Të arrestuarit janë Klajdi Kurti, nga fshati Luzmi të Dibrës i dënuar për vjedhje me armë, dhe Alfred Doku nga Fushë-Kruja. Ndërkaq, policia sekuestroi edhe automjetin e vjedhur në Vlorë, në cilësinë e provës materiale.

Share it :