Nga dita e djeshme, Pogradeci do të ketë tragetin e linjës ujore me Ohrin. Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, dhe homologu i tij maqedonas, Mile Janakieski, morën pjesë në ceremoninë e përurimit të tij, bashkë me ministren Gjermeni dhe kryetarët e bashkive të dy qyteteve.
Kjo linjë ujore është synim i zgjerimit të bashkëpunimit ndërkufitar ndërmjet Maqedonisë dhe Shqipërisë dhe në masë të madhe të kontribuojë në rritjen e ofertës turistike gjatë sezonit veror në të dy anët e brigjeve të liqenit të Ohrit. Në grupin e parë të udhëtarëve të kësaj linje do të jenë kryesisht zyrtarë nga Komuna e Ohrit me në krye kryetarin Nikolla Bakraçevskin, përfaqësuesit e ndërmarrjeve publike nga Komuna e Ohrit, biznesmenë dhe grupi i gazetarëve që do të shoqërojë ekspeditën e parë të rrugëtimit-lundrimit të anijes në hapje të kësaj linje ujore.
Kapiteni i Kapitanerisë në Ohër, Goran Ustijanoski, deklaroi se tani për tani kjo linjë është gati për një fillim të mbarë të funksionimit. “Pastaj pronarët e anijeve do të organizojnë udhëtime sipas orareve të caktuara, ku paraprakisht do të evidentohen udhëtarët, duke pas parasysh se aty akoma nuk është ndërtuar-vendosur pika e kalimit kufitar dhe shërbimeve të tjera si ato doganore etj., që janë pjesë e pikave të kalimit kufitar ndërmjet dy vendeve”, – theksoi Ustijanoski. Sipas tij, Struga nuk është përfshirë në këtë linjë lundrimi, përkundër faktit se paraprakisht ishte paraparë linja Ohër-Strugë-Pogradec dhe anasjelltas.




