Albanologu Robert Elsie ka zbuluar pamje të rralla të Shqipërisë së hershme. Pasurisë së koleksioneve të fotove tani u janë shtuar edhe shtatëqind fotografi të reja të Shqipërisë nga vitit 1873-1952, të cilat tani ndodhen edhe në internet. Elsie bën me dije se këto fotografi burojnë nga 13 koleksione të ndryshme
Albanologu Robert Elsie ka zbuluar pamje të rralla të Shqipërisë së hershme. Pasurisë së koleksioneve të fotove tani u janë shtuar edhe shtatëqind fotografi të reja të Shqipërisë nga vitit 1873-1952, të cilat tani ndodhen edhe në internet. Elsie bën me dije se këto fotografi burojnë nga 13 koleksione të ndryshme.
(1) veshje popullore të Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor të paraqitura në ekspozitën botërore të Vjenës në vitin 1873;
(2) fotot nga koleksioni privat i Sulltan Abdyl Hamitit të dytë (Shkup, Kosovë, Shkodër, dhe Ulqin në vitet 1876-1900);
(3) koleksioni fotografik i konsullit francez në Shkodër, Baron Aleksandër Dëgran (vitet 1890);
(4) fotot e Shqipërisë, të Malit të Zi dhe të Maqedonisë në vitet 1902-1912 nga shkrimtari gjerman Hugo Grote;
(5) fotot e një udhëtimi të rrallë në Kosovë dhe në veriun e Shqipërisë (Lumë, Mirditë, Shkodër) të ndërmarrë nga shkrimtari francez, Gabriel Lui-Zhare, në vitin 1909,
(6) fotot e gazetarit dhe publicistit gjerman Ernst Jek, i cili shoqëroi gjeneralin turk famëkeq, Shefqet Turgut Pashë, në Kosovë dhe nëpërmjet Mirditës dhe Gostivarit në vitin 1910;
(7) fotot e Shqipërisë, të Malit të Zi dhe të Sanxhakut nga nënkoloneli austro-hungarez, Oto fon Gerstner (viti 1912); (8) koleksioni fotografik i ministrit italian të Punëve të Jashtme, Markeze di San Xhuliano, i cili e dokumenton kohën e Princ Vidit pas pavarësisë së Shqipërisë (Durrës dhe Shkodër në vitin 1914);
(9) koleksioni i fotografit shqiptar, Thimi Raci, nga Dardha e Korçës (1918-1952);
(10) koleksioni fotografik i etnologut dhe udhëpërshkruesit austriak, Hugo Adolf Bernacik (Shqipëria në vitin 1929);
(11) koleksioni fotografik i shkrimtarit austriak, Fridrih Valish (Shqipëria në vitin 1931); (12) pjesa e koleksionit fotografik të publicistes gjermane, Kontesha Marion Dënhof (Shqipëria në vitin 1936);
(13) koleksioni fotografik të ambasadorit gjerman (nazist) në Tiranë, Erih fon Lukvald (Shqipëria në vitet 1936-1941).
Kjo hulumtuese dhe mbledhëse e koleksioneve mbi shqiptarët mund të konsiderohet një nga ngjarjet historike në pasurimin e arkivave, por dhe mundësi reale për studime historike.
Gjithnjë nëse ka njerëz skrupulozë që do të ndiqnin modelin e Elsie në kontributin e pemës së historisë shqiptare!
Koleksioni fotografik i Sulltan Abdyl Hamitit II
Ballkani Perëndimor gjatë periudhës 1876-1900
Sulltani osman Abdyl Hamiti i Dytë (periudha e sundimit 1876-1909) mbretëroi mbi një perandori (përfshirë Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë), e cila po shkonte drejt shpërbërjes. Në fund të sundimit të tij, sulltani u bë paranojak. Nuk udhëtoi më dhe rrallë shfaqej në publik. Për t’u informuar për gjendjen e perandorisë, kishte një rrjet spiunësh, por edhe fotografë të cilët bënin foto të shtetit të tij shumëkombësh. Kur në vitin 1909 u detyrua të jepte dorëheqjen, koleksioni i tij fotografik ngeli në Jildiz-Saraj deri sa u transferua në Bibliotekën e Universitetit të Stambollit. Aty mbeti për vite i paprekur. I jemi mirënjohës Bibliotekës për mundësinë e paraqitjes këtu të një pjese të fotografive nga Shqipëria dhe Ballkani perëndimor (fotot e Shkupit, Kaçanikut, Ferizajt, Prishtinës, Shkodrës, Podgoricës dhe Ulqinit). Falënderojmë gjithashtu zotin András Riedlmayer nga Biblioteka e Arteve të Bukura e Universitetit të Harvardit për ndihmë në përkthimin e titujve nga osmanishtja. Shumica e fotografive janë pa datë, por duket se vijnë nga periudha 1876-1900.
Veshje popullore të Turqisë në vitin 1873
Nga maji deri në nëntor të vitit 1873, në parkun Prater të Vjenës (Austro-Hungari) u organizua një ekspozitë botërore e cila tejkaloi në madhësi dhe në shkëlqim të tëra ekspozitat e mëparshme (Londër 1851, 1862 dhe Paris 1855, 1867). Ekspozitën e vizituan mbi shtatë milionë njerëz. Në kuadër të prezantimit të Perandorisë Osmane, pjesë e së cilës ishte edhe Shqipëria, në Vjenë u paraqit një koleksion fotografish të veshjeve popullore të Perandorisë shumëkombëshe. Fotografia ishte ende një dukuri e re, dhe publiku u mahnit. Ky koleksion u botua gjithashtu si libër frëngjisht: “Les Costumes populaires de la Turquie en 1873” (Veshje popullore të Turqisë në vitin 1873), Stamboll 1873, vëllim ky i rrallë, i cili u dixhitalizua kohët e fundit nga Biblioteka e Universitetit të Harvardit. Lidhur me këtë dëshirojmë të falënderojmë Bibliotekën dhe në veçanti András Riedlmayer-in e Bibliotekës së Arteve të Bukura, që mundësuan prezantimin e fotografive të Ballkanit perëndimor nga viti 1873.




