Dy policët zbuluan drogën në Mamurras dhe Rrëshen, shefat hakmerren ndaj tyre

Zbulimi i magazinës së drogës në mes të Rrëshenit shkaktoi një përplasje edhe brenda policisë. Ka qenë policia e Lezhës që organizoi aksionin, duke kapur në befasi edhe vet policinë e Rrëshenit. 4.2 ton kanabis të gjetura në fabrikën e përpunimit të hashashit është një sasi tepër e madhe droge me vlerë rreth 1 milionë Euro.

Ndërkohë, mësohet se dy agjentë policie që zbuluan këtë magazinë të lëndëve narkotike janë transferuar nga detyra. Burimet konfidenciale bëjnë me dije se Ilir Sula me detyrë shef i sektorit të krimit të organizuar në Policinë e Lezhës dhe Agron Cullhaj me detyrë shef i seksionit të drogës në Policinë e Lezhës, janë transferuar në një tjetër detyrë pas aksionit që organizuan në Rrëshen.

Ilir Sula është transferuar në Elbasan, ndërsa Agron Cullhaj transferohet si specialist në një tjetër sektor në Policinë e Lezhës. Të njëjtat burimet sqarojnë se në vend të Agron Cullhaj është emëruar Klodian Shahini, shef i seksionit të drogës në Policinë e Lezhës. Klodian Shahini mbante postin e shefit të krimeve në policinë e Kurbinit.

Dy agjentë që tashmë janë transferuar, në bazë të hetimeve të kryera mundën të zbulonin fabrikën e kanabisit dhe njoftuan FNSH-në e Tiranës për të ndërhyrë. Kujtojmë se edhe sasia e madhe e drogës e sekuestruar në Mamurras pak javë më parë u zbulua nga po këta dy agjentë.

Vet drejtuesit e argumentojnë këtë lëvizje të dy agjentëve si masë mbrojtje ndaj tyre pas operacionit për sekuestrimin e sasisë së madhe të hashashit. Natyrshëm lind pyetja nëse agjenti I.S mund të ketë më shumë siguri për jetën në Elbasan se sa në Lezhë, pse jo në Tiranë…/Syri.net

Share it :