Dinamizmi i ri i politikës së jashtme gjermane në Ballkan

 

Nga Florion Metohu

 Kancelarja Angela MerkelQë prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Gjermania ka ndjekur një politikë të jashtme pasive. Edhe pse, në pak kohë, ajo u shndërrua në ekonominë e parë evropiane, preferoi të bënte rolin e ndjekësit sesa të udhëheqësit në çështjet evropiane. Për të mos rrezikuar ringjalljen e kujtimeve të Gjermanisë agresore dhe hegjemone të periudhës naziste tek shtetet e tjera evropiane, politikanët gjermanë sakrifikonin, ndonjëherë, edhe interesat e tyre kombëtare.

Kur Kancelarja Angela Merkel erdhi në pushtet në 2005, Gjermania ishte në paqe dhe e bashkuar, pjesëtare e një Bashkimi Evropian “të bashkuar”, ku mund të rriste prosperitetin e vet dhe të ishte e lirë nga synimet gjeopolitike që e kishin futur në vende të errëta në të shkuarën. Bashkimi Sovjetik nuk ekziston më dhe Rusia ishte akoma në proces ringritjeje nga pasojat e atij kolapsi. Problemi kryesor i BE-së në atë kohë ishin reformat që duhet të përmbushnin vendet që kërkonin anëtarësimin. Kështu, Gjermania ishte në një pozitë të rrallë, duke parë historinë e saj. Ishte në pozitë komforti, e sigurtë dhe me një gjendje prosperiteti të lakmueshme.

Bota me të cilën Merkeli përballet tani është shumë larg asaj të 2005-ës. Dy janë problemet kryesore që politika e jashtme gjermane po përballet: 1) Kriza ekonomike e Bashkimit Evropian, e cila vazhdon që prej 2008-ës dhe që rrezikon ekzistencën e monedhës së përbashkët dhe vetë BE-në ashtu siç është e konceptuar tani; 2) Rishfaqja e një Rusie me tendenca imperialiste duke vënë në pikëpyetje paqen dhe sigurinë e të gjithë Evropës, që ekzistonte qe prej shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.

Të dyja këto kriza kanë bërë që Gjermania të marrë një rol parësor në përballjen e tyre, edhe për faktin se Shtetet e Bashkuara kanë njëfarë tërheqjeje relative nga teatri gjeopolitik evropian dhe fokusimin e vëmendjes në zonën e Paqësorit Perëndimor. Për sa i përket krizës ekonomike të BE-së, Gjermania ka luajtur rolin kryesor, si ekonomia më e madhe e Evropës, në krijimin e paketave financuese për vendet anëtare me probleme në pagesën e borxheve të tyre sovrane, në këmbim të reformave strukturale të ekonomive te tyre. Megjithatë, refuzimi i popullit grek të reformave dhe masave shtrënguese në këmbim të fondeve shtesë, të ofruara nga BE-ja, FMN-ja dhe BQE-ja, me anë të një referendumi, vë në rrezik qëndrimin e Greqisë në zonën euro, por, mbi të gjitha, vë në rrezik të gjithë projektin e monedhës së përbashkët. Shpëtimi i monedhës së përbashkët që, sipas shumë ekonomistëve, është edhe një nga faktorët kryesore të suksesit ekonomik gjerman, është sfida kryesore e Merkelit për sa i përket projektin evropian.

Në lidhje me problemin e dytë, atë të Rusisë, e cila aneksoi Krimenë në vitin 2014, pjesë e territorit ukrainas dhe mbështet separatistët në lindje të këtij vendi, është ringjallur frika në Evropë e një Rusie me prirje imperialiste, e gatshme për të përdorur edhe forcën ushtarake për të rikrijuar sferën e saj të influencës. Edhe në këtë rast, Gjermania ka luajtur një rol udhëheqës në krijimin e vullnetit të përbashkët të gjithë anëtarëve te BE-së që, në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara dhe partner të tjerë, të vendosin sanksione shkatërruese për ekonominë ruse, duke frenuar orekset e Kremlinit. Është po Gjermania që po udhëheq edhe negociatat për armëpushim ndërmjet Ukrainës dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia.

 

Lind pyetja: Si është e mundur që në kulmin e këtyre dy krizave të mëdha, diplomacia gjermane është kaq shumë aktive në Ballkan?

Disa analistë dhe gazetarë shqiptarë e shpjegojnë me faktin e problemit të rrezikut të vatrave të islamit radikal, të tjerë me fluksin gjithnjë e në rritje të azilantëve nga ky rajon drejt Gjermanisë, ka edhe nga ata që fantazojnë se takimet e shpeshta të funksionarëve të lartë gjerman me liderët e Ballkanit janë një lloj “konkursi bukurie” se kush do të fitojë kurorën e liderit ballkanik. Por mendoj se arsyeja kryesore e këtij angazhimi kaq të madh të diplomacisë gjermane është shndërrimi i rajonit të Ballkanit në një nyje të rëndësishme të korridoreve energjetike për BE-në, duke pasur në sfond edhe marrëdhënien antagoniste ndërmjet Perëndimit dhe Rusisë.

Rusia është furnizuesi kryesor me gaz i Bashkimit Evropian me rreth 30% të nevojave të saj. Por disa prej anëtarëve të BE-së janë 100% të varura nga importi i gazit rus duke mos pasur alternative tjetër, gjë që i bënë këto shtete shumë vulnerabël ndaj presionit të Kremlinit i cili nuk heziton ta përdori pozicionin e tij monopolist për arritjen e objektivave gjeopolitike. Pikërisht shtimi i aktivitetit diplomatik gjerman në Ballkan përkon me rritjen e tensioneve me Rusinë ne vitin 2013 për çështjen ukrainase. Qershori i po atij viti përkon edhe me përzgjedhjen e projektit të gazsjellësit TAP si fitues nga konsorciumi i Shah Deniz II, për transportin e gazit nga Azerbajxhani drejt Italisë duke kaluar nëpërmjet Greqisë dhe Shqipërisë, pjesë të të ashtu quajturit Korridori Jugor i Gazit.

Gjithashtu, negociatat intensive ndërmjet fuqive të mëdha dhe Iranit, të filluara në 2013, për programin e tij bërthamor, janë në fazat finale dhe nëse arrihet një marrëveshje, sanksionet ndaj tij mund të hiqen shumë shpejtë. Irani është vendi i dytë në botë për rezerva të provuara të gazit natyral dhe mund të shndërrohet shumë shpejtë në një furnizues të rëndësishëm të Evropës nëpërmjet korridorit të jugut.

Ndërtimi i projektit TAP, i mbështetur nga institucionet evropiane dhe mundësia e transportit të gazit iranian, e shndërron Ballkanin në një faktor të rëndësishëm për sigurinë energjetike të Evropës dhe në diversifikimin e burimeve të furnizimit me gaz. Ky diversifikim i bënë vendet e ndryshme të BE-s më pak të shantazhueshme nga Kremlini zyrtar dhe politika e tij agresive për rikrijimin e sferës së vetë të influencës.

Që projekti i Korridorit te Jugut të realizohet duhet një Ballkan ku situata politike të jetë e qetë dhe bashkëpunimi rajonal të jetë i qëndrueshëm. Historikisht, Ballkani ka qenë një zonë e nxehtë tensionesh etnike prandaj edhe politika e BE-s dhe në veçanti e Gjermanisë, po investohen shumë në zbutjen e këtyre tensione, duke ju premtuar këtyre vendeve një të ardhme në familjen e madhe evropiane. Vizita e fundit e Kancelares Merkel, në kulmin e krizës greke, në Shqipëri, Serbi dhe Bosnje-Hercegovinë është një tregues i qartë i angazhimit dhe rëndësisë që ka ky rajon për Bashkimin Evropian dhe për Gjermaninë si liderja de facto i saj.

Share it :