Dr. Ndriçim Mehmeti
Dekriminalizimi ishte një nismë e Partisë Demokratike, e cila u përshëndet nga faktori ndërkombëtar dhe opinion vendas. Opozita, mbas shumë përpjekjesh, arriti që me ndihmën e faktorit ndërkombëtar të bindte pozitën për të arritur një marrëveshje politike, që do të përkthehej më pas në nisma ligjore, të cilat do të realizonin këtë proces.
Si lindi kauza e dekriminalizimit
Deputeti Strazimiri, ish-kryeministri Berisha e të tjerë kishin bërë deklarata të ashpra, duke akuzuar hapur mazhorancën se ajo kishte futur në Parlament njerëz me të shkuar kriminale apo me procese gjyqësore penale, të hapura brenda dhe jashtë vendit. Mazhoranca nuk ju dha kurrë përgjigje serioze, këtyre akuzave duke i konsideruar thjesht politike dhe pa asnjë lloj rëndësie. Edhe kur dy deputetë, të mazhorancës dhunuan deputetin Strazimiri, përsëri mazhoranca jo vetëm heshti, por përmes kreut të e quajti agresionin si “një ledhatim të pjesës lakuriqe të kokës”. Ky ishte qëndrimi që duhet të mbanin. Kreu i mazhorancës, Rama, e dinte mirë se kë kishte future në parlament. Madje ai nuk ngurronte që punën e parlamentarit këta individë e bënin më mirë, pasi “u nxirrnin patentat atyre që jua kërkonin”, “ndihmonin hallexhinjtë t’i çonin në spitale”, “u gjenin punë të varfërve etj.”. Pra këta ishin mirëbërësit e popullit dhe si të tillë e meritonin vendin në parlament. Pas dhunës së ushtruar ndaj Starzimirit, PD, deklaroi se ishte emergjencë, procesi i dekriminalizimit. Ndaj kësaj nisme të opozitës, pati një qasje pozitive të faktorit ndërkombëtar. Ambasadori Lu, Vllahutin dhe shumë të përfaqësues diplomatikë e vlerësuan këtë nismë. Po ashtu BE dhe organizmat e saj bënë të pamundur për të afruar qëndrimet e palëve, deri në arritjen e marrëveshjes në dhjetor. Më pas? Asgjë e re nga fronti i Shqipërisë. Komisioni zvarriti punën e tij, për mosmarrëveshje, që shkonin deri në tallje, e PD vazhdonte të bënte thirrje për fillimin e dekriminalizimit që në zgjedhjet lokale, duke treguar një gjest të vullnetit të mirë. Pozita iu përgjigj duke regjistruar kandidatë me të shkuar problematike, edhe pse sytë e ndërkombëtarëve, veshët dhe zëri i tyre ishin për një proces më transparent.
Për shkak të një presioni në rritje kryesisht të opozitës për kandidimin e njerëzve të konsideruar me të kaluar kriminale, ambasadorja Vllahutin bëri një deklaratë, që nuk linte shumë vend për interpretim. Ajo u pyet nga një e përditshme, në këtë mënyrë për kandidatët e dyshuar me të kaluar kriminale: “Komuniteti ndërkombëtar ka shprehur shqetësimin për disa kandidatë në zgjedhjet lokale të cilët mund të kenë të shkuar kriminale. Zëvendëskryeministri Peleshi deklaroi se “ne do të reflektojmë për këtë shqetësim”. Cili do të është pozicioni juaj për këtë çështje pasi Delegacioni i BE në Tiranë është një prej mbështetësve të dekriminalizimit? Vllahutin dha këtë përgjigje: “Pozicioni ynë është shumë i qartë. Ne jemi duke parë. Afati i fundit është 13 maj. Dhe pas kësaj date ne do të flasim për atë që mendojmë. Deri në 13 maj ka kohë për t’i ndryshuar gjërat. Pas kësaj date ne do të jemi shumë të qartë në mesazhin tonë”. 13 maji kaloi dhe ne nuk dëgjuam asgjë. Mazhoranca nga ana e saj e inkurajuar nga qëndrimi pasiv i opinionit vendas dhe organizmave të huaj, jo vetëm që nuk reagoi por simuloi me fjalime, gjeste dhe propagandë, pikërisht kandidatët e dyshuar. Kryeministri mori vetë përsipër t’i shfajësonte nga “ndonjë axhamillëk i bërë në kohën e adoleshencës”, që për Ramën kufizohet në moshën 15-45 vjeç. Opozita nga ana e vet tërhoqi kandidatin e saj në Këlcyrë, me pandehmën e dyshimit. Veç përshëndetjeve, për këtë veprim, asgjë nuk solli kjo lëvizje në anën tjetër të politikës. Ashtu sikundër shumë “opinionist”, media “të pavarura” edhe Rama me shokë mendojnë se “ambasadorët sa na dhanë një orientim, por jo se ishim të detyruar të bënim një proces transparent për të shkuarën e kandidatëve tanë”.
A ishte ky një kurth ndaj opozitës?
Për këtë besoj se nuk ka dyshim. Opozita në linjën e saj të faktimit të asaj që deklaron, që prej ardhjes në pushtet të mazhorancës e njohu publikun me emërime të njerëzve me të shkuar kriminale apo me probleme të rënda me drejtësinë. Pozita diku reflektoi sa për sy e faqe e më pas kur ju “bë faqja shollë” as që nuk e vuri ujin në zjarr ndaj denoncimeve të opozitës. Kryeministri-batutaxhi gjente gjithmonë një zgjidhje ndaj denoncimeve, duke bërë ndonjë status në FB ose një selfie në Twiter. Kur zullumi u trash aq shumë sa u këput vetë, atëherë ambasadorët më të rëndësishëm në vend, SHBA, Parlamenti Evropian dhe Bashkimi Evropian, menduan t’i jepnin një lloj serioziteti nismës së dekriminalizimit. Me besën e dhënë para këtyre organizmave, opozita mendoi se do të gjente mirëkuptimin e pozitës, që nuk erdhi kurrë për një proces në të mirë të vendit. Opozita u gjend e braktisur jo prej fatit, e mazhorancës, por edhe prej mblesëve të krushqisë së saj të dështuar me pozitën. Pas 13 majit e deri më sot Delegacioni i BE-së, jo vetëm që nuk dha ndonjë mesazh të qartë, siç u premtua, por nuk foli fare. Ambasadorja Vllahutin e spostoi vëmendjen tek shitblerja e votës, që padyshim ka rëndësinë e vet, por harroi se ky fenomen do të ndodhet përderisa njerëz me të kaluar kriminale kandidonin. Ajo duhet ta dijë fjalën e urtë të shqiptarëve se “demi kapet prej brirësh e jo për bishti”. Opozita u braktis në nismën e saj, duke e ndier veten në një kurth. Mbase do të ishte më mirë që në mënyrë të njëanshme, opozita të tërhiqte të gjithë kandidatët, atje ku ajo kishte dyshime të faktuara, për kandidatë të pozitës me të kaluar kriminale. Duke pasur shqetësimin se faktori ndërkombëtar, mund ta quante këtë si një lëvizje jo konstruktive opozita, nuk e ndërmori këtë hap, që sigurisht, ishte një lëvizje e detyruar politike prej sjelljes së mazhorancës. Tani opozita është në të drejtën e saj që të flas tërë ditën për deformimin e zgjedhjeve prej këtyre personave, porse legjitimiteti i tyre, varet nga vota e popullit. Sovrani foli, mirë apo keq. Delegacioni i BE-së heshti dhe mund të flasë “si kofini pas të vjelit”. Natyrisht që askush e aq më pak unë të pretendoj se ambasadorja duhet të flas. As që pretendoj se ajo, duhet të zëvendësoj, institucionet tona. Por ama si qytetar i këtij vendi, kam të drejtë të them: “Përse premtoi një diçka, që nuk e sqaroi dot, së paku deri tani dhe që tejkalonte kompetencat e saj”. Dihet fare mirë, se shqiptarët, shpresë humbur në politikë, i mban gjallë shpresa se “Evropa e Amerika, nuk do t’i lërë të livadhisin si të duan politikanët tanë”. Po ashtu nuk mohohet se opozita i kishte varur shumë shpresat në një trysni më të madhe të faktorit ndërkombëtar, për dekriminalizimin. Opozita në këtë rast ka pretenduar më shumë se ç’duhet dhe “fjeti mbi dafina”, ndërsa pozita as që e mori mundimin, jo t’i rishikojë lista, por as që t’i nxjerri nga sirtarët e saj. Dekriminalizimi në nivel lokal, mbeti një deklaratë në letër, që nuk dihet sesa vite do ta vijojë të mbetet e tillë. Opozita mbeti e zënë në çark, prej premtimit se pozitës do t’i bëhej e qartë, që të tërhiqte kandidatë e saj të dyshuar, gjë nuk ndodhi. Tani s’ka mbetur shumë për të folur edhe sikur të dëshirosh. Një dritë e zbehtë në fund të tunelit, ishte letra e falënderimit të ambasadorit Lu për dr. Kosovën. A është kjo e mjaftueshme, që të shpresohet se në shtator, dekriminalizimi do të fillojë të jetë një proces normal?
Sigurisht që jo. Opozita e ndien veten të lënduar dhe shumë më të prekur nga një proces pa një perspektivë të qartë. Pozita e ndien veten më superiore, pasi e “hodhi lumin pa lagur”. Në mbështetje të pozitës, kundër opozitës dhe në qejfbërje të ndërkombëtarëve, mediat pëshpëritin dhe bëjnë edhe sondazhe, me nëntekstin: “Duhet të jemi vetë të zotë, se nuk na e ka fajin Evropa e Amerika për dekriminalizimin”. E në këtë rast pyetja për ta është: Na tregoni rrugën që nuk e dimë akoma se si bëhet procesi i dekriminalizimit, tani që mandati i mbron këta njerëz? Na thoni pse deklarata e Vllahutinit u konsiderua se ishte një sajesë mediatike? Na tregoni se përse mediat më parë nuk e ngritën këtë problem për të bërë ato presion mbi politikën shqiptare?
Është e qartë si drita e diellit se ndërkombëtarët që e morën përsipër presionin për dekriminalizimin në zgjedhjet vendore, nuk folën fare, pale qartë dhe opozita, u gjend në kurth, në një proces, që ajo vetë shpresonte se do të gjente mbështetjen prej atyre që u quajtën besëlidhurit evropianë.




