Çmimi i energjisë / PD, thirrje për protesta: Askush s’do të luajë me jetën e shqiptarëve, t’i ndalim

grida

Duma: Rritja është vdekjeprurëse. Me heqjen e fashës mbrojtëse, fatura mujore për 2 milionë shqiptarë do të jetë deri në 70 për qind më e shtrenjtë

Partia Demokratike paralajmëron protesta në javët në vijim për të kundërshtuar, sipas tyre, vendimin e Kryeministrit Edi Rama për të rritur çmimin e energjisë elektrike. Sipas PD-së, do të jenë mbi 2 milionë shqiptarë të varfër që do të vuajnë më shumë nga vendimi i qeverisë për të rritur çmimin e energjisë.

 

Thirrja

Nëpërmjet koordinatores Grida Duma, Partia Demokratike u bën thirrje të gjithë shqiptarëve nga të katër anët të ngrihen dhe të bashkohen në protesta kundër varfërisë që shkakton qeveria.

“Partia Demokratike u bën thirrje qytetarëve të ngrihen dhe të bashkohen në protestë, nga Jugu në Veri, nga Lindja në Perëndim. Askush nuk mund të luajë me jetën dhe të ardhmen e shqiptarëve. Ka ardhur koha që të gjithë së bashku t’i themi ndal të keqes që ka mbërthyer vendin”, – bëri thirrje Duma.

Sipas PD-së, vendimi i qeverisë për të hequr fashën mbrojtëse prej 300 KW dhe për të rritur çmimin e energjisë elektrike do të prekë më shumë shtresën e varfër. “Dy milionë e 100 mijë shqiptarë të varfër, të zhytur në borxhe, pa punë, në ankth për bukën e gojës dhe pa shpresë për të ardhmen do të vuajnë edhe më shumë nga vendimi që ka marrë Edi Rama për të rritur çmimin e energjisë elektrike”, – thuhet në deklaratën e demokratëve.

“Janë dy milionë e 100 mijë shqiptarë që konsumojnë më pak ose deri në 300 KW në muaj, të mbrojtur deri tani me anë të çmimit 77 lekë për kilovat. Edi Rama e hoqi fashën mbrojtëse për këtë kategori, që është rreth 77 për qind e konsumatorëve”, – vijoi Duma.

 

Çmimi

Sipas përllogaritjeve të bëra nga Partia Demokratike, çmimi i ri që do të paguajnë shqiptarët për energjinë elektrike do të jetë shumë më i lartë se çmimi aktual.

“Çmimi i energjisë elektrike është edhe sot shumë i lartë, krahasuar me të ardhurat e qytetarëve dhe duke ditur se kostoja e prodhimit tek ne është më e ulëta në Evropë. Por rritja dramatike që ka vendosur të bëjë Edi Rama, është vdekjeprurëse. Me heqjen e fashës mbrojtëse, fatura mujore për 2 milionë e 100 mijë shqiptarë do të jetë deri në 70 për qind më e shtrenjtë”, – thuhet në deklaratën e selisë blu.

Partia opozitare e cilëson Kryeministrin “pushtues” që po rrënjos në jetën e shqiptarëve papunësi, varfëri dhe pasiguri. “Vetëm një pushtues do të sillej kështu me popullin e tij. Është Edi Rama që premtoi rilindje, legalizim e shëndetësi falas, 300 mijë vende pune. Po shihni ku e katandisi vendin. Papunësi, varfëri, pasiguri. Rritje të çmimeve, rritje të çmimit të energjisë, rritje të çmimit të naftës”, – tha Duma.

Me këto arsyetime, partia më e madhe e opozitës bën thirrje që të gjithë të dalin dhe të protestojnë. “Deri ku do të shkojë e keqja që s’ka fund me këtë Kryeministër, me këtë qeveri? Shqiptarët nuk ia kanë për borxh oligarkut Rama dhe skotës së tij. E keqja nuk do të ndalet derisa ne të gjithë së bashku ta ndalim”, – u shpreh koordinatorja e PD-së, Duma.

 

 

Ndërtesat pa leje

Prishje selektive, Strazimiri: INUK patrullon si bandë zuzarësh ndaj të pamundurve

E djathta akuzon Kryeministrin se po u shkakton qytetarëve një “padrejtësi revoltuese” me prishjet selektive të ndërtimeve pa leje. Sipas PD-së, INUK po patrullon si bandë “zuzarësh” që po prish ndërtimet e qytetarëve, ndërsa të afërmit e Kryeministrit Rama janë të mbrojtur. “INUK patrullon si bandë zuzarësh dhe ka krijuar një gjendje lufte kundër të pamundurve, atyre që nuk kanë lidhje me Edi Ramën, duke hedhur në tokë mundin dhe djersën, të vetmen mundësi që kanë për t’u ushqyer. Por asnjë gërvishtje nuk pësojnë ndërtesat e lokalet Koço Kokëdhimës, të Vangjush Dakos, kryetarit të PS-së në njësinë 10, kryetarëve socialistë të minibashkive, zyrtarëve të lartë të Policisë së Shtetit apo të vetë funksionarëve të lartë të INUK-ut”, – tha deputeti demokrat, Gent Strazimiri. “Shtesat, godinat, baret apo lokalet e pushtetarëve e njerëzve të afërt me Edi Ramën gjenden kudo, kanë zënë hapësirën publike, kanë ngushtuar trotuaret, por ato nuk preken”, – vijoi Strazimiri. Partia Demokratike akuzon qeverinë se në mënyrë arrogante sa herë mblidhet “vendos se si të varfërojë popullin e saj, deri në bukën e gojës, madje me cinizëm, në këmbim “t’i dhurojë” “hapësira me bar” dhe “zona pedonale”. Partia opozitare bëri një pasqyrim, sipas selisë blu, të realitetit që ekziston në jetën e shqiptarëve sot. Strazimiri deklaroi se të gjitha çmimet në përgjithësi janë rritur, në një kohë kur rroga mujore është ajo që ka qenë. “A të tha që do të rriste 2 herë brenda vitit çmimin e karburanteve, d.m.th, të bukës, vezës, makaronave, orizit? A të tha që nuk do të të rritet asnjë cent rroga, por vetëm taksat disafish? I nderuar biznesmen, që sot ke frikë të dukesh që ke para: 1 vit e gjysmë më parë kur erdhi të të kërkonte votën, a të tha që do të të rriste çdo taksë e tatim, që do të kishe mbi shpinë çdo ditë që ka fal zoti gjobëvënësit e tij, madje që do të rriste taksën mbi depozitat për të të vjedhur çdo cent të ndershëm që ke në bankë?” Ndaj, edhe deputeti demokrat u shpreh se ka ardhur koha që shqiptarët të reagojnë. “Ka ardhur koha të reagojmë sot, ndryshe rrezikojmë të shndërrohemi në një shoqëri mazokiste, që e shijon dhe meriton ndëshkimin dhe arrogancën e një sadisti…!”, – e mbylli deklaratën Strazimiri.

 

 

Doda: Deputetët e opozitës të kthehen në Parlament, të marrin vendim për aksion politik

Deputetja demokrate Mesila Doda e ka ndarë edhe një herë qëndrimin e saj se deputetët e së djathtës duhet të kthehen në Parlament. Sipas saj, në ditët e ardhshme, të gjithë demokratët e PD-së duhet të mblidhen dhe të diskutojnë për aksionin politik që duhet të ndjekë opozita. “Ditët e ardhshme do duhet të kemi një diskutim shumë më të gjerë e të vërtetë dhe veçanërisht me deputetet e opozitës, sepse janë ata që duhet të marrin vendime për aksionet e tyre politike, jo analistët apo klientelizmi politik”, – shkruan Doda në “Facebook”. Ajo arsyeton se nuk është koha për të qëndruar jashtë Parlamentit, por opozita duhet të jetë inspirim për qytetarët. “E keni vënë re që në pjesën dërmuese të rasteve këta që janë partizanët e bojkotit, janë vetë jashtë Parlamentit? Mund të ketë shumë argumente pro e kundër, por unë besoj fort që me këtë gjendje ekonomike, politike dhe sociale që po kalon sot Shqipëria, është komoditet për çdo qeveri të mos e ketë opozitën në Parlament e për pasojë të mos ketë asnjë përballje e pengesë përpara vetes”. Sipas Mesila Dodës, demokracia është sistemi politik ku vendimet merren nga shumë individë. “Jo nga një grusht njerëzish, shumica e të cilëve as nuk duan t’ia dinë se çfarë do bëhet me këtë vend dhe deri ku duan ta zhbëjnë rolin e vërtetë te opozitës. Kam dëgjuar shpesh të thuhet se opozita është frymë, është inspirim, është moral. Të zhbëhet roli i një grupi të madh parlamentar nuk sjell as frymë dhe as inspirim”, – deklaron deputetja demokrate.

Share it :