Lorik Cana u prezantua zyrtarisht me skuadrën e tij të re, Nanta. Kapiteni i Shqipërisë, që firmosi vetëm në ditën e fundit të merkatos me klubin nga “La Beaujoire” një kontratë dyvjeçare, pas ndeshjes me Portugalinë iu bashkua skuadrës së tij të re në qendrën stërvitore të “La Joneliere”, ku u prit nga drejtues të ekipit francez. Cana u njoh gjithashtu dhe me ambientet e klubit dhe dhomat e zhveshjes, ku pozoi dhe me fanellën numër 5. Ndërkohë që në seancën e tij të parë stërvitore me skuadrën e re, pas transferimit nga Lacio, Cana u shoqërua gjatë gjithë kohës nga futbollisti tjetër i kombëtares, Ermir Lenjani, që nuk e la për asnjë moment vetëm kapitenin. Cana cilësohet si një blerje shumë e rëndësishme për skuadrën e Nantës dhe mendohet se mund të debutojë që këtë fundjavë me skuadrën e tij të re në ndeshjen ndaj Renës, që do të jetë e veçantë mbi të gjitha për Lenjanin, i cili do të luajë ndaj ish-ekipit të tij.





