BSH: Shqiptarët po mbajnë sërish paratë nëpër shtëpi…

bsh 2Kursimet e shqiptarëve duket se po rikthehen sërish “nën dyshek”, çka dëshmohet nga rritja e parasë jashtë bankave. Muaji maj ka sjellë një rritje të parasë që qarkullon jashtë sistemit bankar në muajin maj, një dukuri që po konstatohet për herë të parë gjatë këtij viti. Sipas buletinit statistikor mujor të Bankës së Shqipërisë, paraja jashtë bankave në maj 2014 arriti në 194.5 miliardë lekë, duke u rritur me 0.5% në raport me muajin e mëparshëm.

Që prej dhjetorin 2013, paraja që qarkullon jashtë kanaleve bankare ishte ulur vazhdimisht. Në 2013, u konstatua një zgjerim i pazakontë i parasë jashtë bankave, sidomos në periudhën para zgjedhore, por situata iu kthye trendit normal në gjashtëmujorin e dytë. Nga ana tjetër, muajt e parë të këtij viti po shoqërohen me një dukuri tjetër, atë të uljes së depozitave me afat në lekë, të cilat janë tkurrur vazhdimisht që nga dhjetori 2013. Në maj 2014 ato arritën në 386.7 miliardë lekë, duke rënë me 2.7%, në raport me dhjetorin 2013.

Rënia e interesave të depozitave në lekë, reflektim i politikës monetare lehtësuese të Bankës së Shqipërisë, që ka reduktuar normën bazë për dy vjet rresht në 2.5% aktualisht, ka bërë që depozituesit, përgjithësisht individët, të mos kenë shuam interes t’i mbajnë kursimet në banka. Në maj, interesi i depozitave 12 mujore ishte rreth 2%. kursimet e individëve duket se po rikthehen sërish “nën jastëk”, çka po sjell dhe rritjen e parasë jashtë bankave.

 

Brukseli Serbisë: Bllokoni ndërtimin e gazsjellësit rus!

Komisioni Evropian i ka rekomanduar Serbisë të pezullojë ndërtimin e gazsjellësit “Rrjedha e Jugut”, në përputhje të plotë me ligjet evropiane, shkruan e përditshmja serbe, “Politika”. “Në parim, Komisioni Evropian nuk është kundër projektit ‘Rrjedha e Jugut’, pasi është shumë i rëndësishëm për të diversifikuar furnizimin me gaz natyror në Ballkanin Perëndimor. Komisioni është kundër mënyrës se si po ndërtohet projekti”, shkruan gazeta. Referuar Komisionit Evropian, gazsjellësi “Rrjedha e Jugut”, ashtu si çdo projekt tjetër i madh infrastrukturor në Evropë, duhet të ketë një kuadër ligjor të rreptë dhe të qartë, që në këtë rast mungon.

Komisioni i rekomandon Beogradit zyrtar se, qëndrimi është i njëjtë si ndaj vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, ashtu edhe ndaj vendeve që aspirojnë të bëhen pjesë e unionit, siç është Serbia. “Si një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Serbia duhet të veprojë në përputhje me ligjet e Bashkimit Evropian, për sa i përket gazsjellësit”, – thuhet më tej në rekomandim. Ky gazsjellës, do të transportojë gaz nga Rusia drejt Evropës, por anashkalon Ukrainën.

Ndërkohë, në muajin Qershor kryeministri i Bullgarisë urdhëroi ndërprerjen e punimeve për ndërtimin e “Rrjedhës së Jugut”, pas takimit të zhvilluar me senatorët amerikanë, John McCain, Christopher Murphy dhe Ron Johnson. Ai njoftoi se vendimi u mor në konsultim me Brukselin dhe vjen si reagim të tensionimit të situatës mes Rusisë dhe Perëndimit. Ndërsa Austria i dha miratimin përfundimtar, projektit të diskutueshëm të gazit, duke sfiduar zyrtarët e Bashkimit Evropian. Për nënshkrimin e marrëveshjes, Presidenti i Austrisë, Heinz Fischer, priti në një takim homologun e tij rus, Vladimir Putin.

 

 

Share it :