Ballkanasit të udhëhequr nga Dzeko kanë arritur të fitojnë më rezultatin 3-1, mirëpo kjo nuk ka mjaftuar për kualifikim
Bosnja ka triumfuar në sfidën ndaj Iranit, duke marrë një trepikësh historik në kompeticionin botëror. Ballkanasit kanë arritur të tregojnë forcën e tyre duke mundur iranianët që nuk kishin forcën për të reaguar. Bosnjë-Hercegovina e tregoi që ishte favoritja e takimit që në minutën e katërt me një goditje të rrezikshme të Dzekos, ndërsa sulmuesi shtatlartë ishte një hap larg golit në minutën e dhjetë pas një goditjeje me kokë të devijuar nga Hagigi. Sërish sulmuesi i Mançester Sitit në minutën e 23-të me një të majtë diagonale, që ledhatoi pjesën e brendshme të shtyllës së djathtë pingule të Iranit, duke kaluar në epërsi skuadrën ballkanase. Pak sekonda më vonë, Shojaei kishte në këmbët e tij topin e golit të barazimit, por goditja e tij preku shtyllën. Loja u ndez me reagimin e Iranit që shtoi presionin duke krijuar edhe hapësira të mëdha në mbrojtje. Skuadra e Kejrozit e kuptoi se nuk kishte asgjë për të humbur dhe mbrojtja nuk është rruga më e mirë nëse kërkonin kualifikimin, por sulmet e iranianëve u thyen nga muri boshnjak. Nga ana tjetër, Vërsajeviçi u shfaq i vetëm në zonën kundërshtare por nuk shërbeu për Ibisheviçin, duke ngrënë një gol pothuajse të sigurt. Me nisjen e pjesës së dytë sinjalin e parë e dha Pjaniçi në minutën e 48-të, ndërsa 10 minuta më pas mesfushori i Romës përfitoi nga asisti i Susiçit duke shënuar golin e dytë. Ndeshja mori një rrjedhë të pakthyeshme, sepse Irani u zgjua nga ëndrra. Djemtë e Kejrozit nuk reshtën së besuari, pasi në minutën e 82-të, Reza shënoi golin e parë iranian të këtij Botërori, por ëndrra u shua përfundimisht vetëm pak sekonda më vonë me golin e Spahiçit që vulosi fatin e takimit. Një ndeshje që dhuroi shumë emocione, por asnjë surprizë. Bosnjë-Hercegovina shijoi suksesin e parë botëror, duke fituar përvojë në aventurën e parë në një eveniment të kësaj madhësie. Ndërsa nga krahu tjetër Irani nuk ka arritur akoma këtë rezultat pavarësisht se kanë 11 pjesëmarrje në këtë kompeticion.
Maradona: Mesi duhet të kopjojë Nejmarin
Maradona është shprehur se Lionel Mesi duhet të veprojë te Argjentina ngjashëm siç vepron Nejmari te Brazili. Sulmuesi brazilian ka shënuar katër gola në ndeshjet e fazës grupore dhe ka qenë njeriu më i rëndësishëm në kualifikimin e kombëtares së tij. Argjentinasi ka shënuar dy gola në dy ndeshje, megjithatë edhe golat e tij ishin vendimtarë në kualifikimin e albiçelestëve. Maradona thotë se Nejmari nuk është treguar te Barcelona, mirëpo kur e vesh fanellën e kombëtares ai bën atë që presin tifozët. “Tifozët argjentinas do të presin nga Mesi atë që bën Nejmari për Brazilin”, – ka thënë legjenda argjentinase, duke shtuar se 27-vjeçari duhet të jetë i gatshëm ta durojë presionin e pritshmërisë dhe të rezultojë i suksesshëm.
Raul: Kësaj Spanje i ka ikur koha
Ish-legjenda spanjolle, Raul, deklaroi se u ka kaluar koha lojtarëve aktualë të Spanjës dhe se kombëtarja duhet të shikojë nga brezi i ri për zëvendësimin e disa prej tyre, duke filluar nga kapiteni Iker Kasijas. “La Roja” i ka fituar tre turnetë e mëdha paraprake, mirëpo në Brazil 2014 u eliminua që në fazën e grupeve. Pas eliminimit, Ksavi Alonso deklaroi se u kishte munguar uria për fitore lojtarëve spanjollë dhe me këtë pohim pajtohet edhe legjenda madrilene.“Të pajtohemi se brezi që ia solli Spanjës lavdinë, tashmë është harxhuar. Kasijas, Ksavi, Iniesta, Ksavi Alonso kanë fituar krejt çfarë kanë mundur të fitonin… Prandaj nevojiten zëvendësime. Do të preferoja që shumica e tyre të ishin nga gjenerata e re dhe t’i shfrytëzojmë ata në fazën kualifikuese të Euro 2016”, – ka thënë ish-sulmuesi i Realit të Madridit.
FIFA heton Suarezin
FIFA ka filluar procedurat disiplinore ndaj Luis Suarezit, pas kafshimit që i bëri Xhorxho Kielinit. Sulmuesi i Liverpulit, i cili edhe në të kaluarën ka bërë veprime të këtilla, kafshoi shpatullën e mbrojtësit italian në ndeshjen ndërmjet azzurrëve dhe Uruguait. Futbollisti i Juventusit ia tregoi shenjat arbitrit, mirëpo ai nuk mori ndonjë veprim për përjashtimin e 27-vjeçarit nga loja. FIFA ka lëshuar një komunikatë, përmes së cilës njofton se kanë filluar hetimet dhe njëherësh ka kërkuar dëshmitë e Suarez apo Federatës Uruguajane të Futbollit. Nëse shpallet fajtor, për Suarezin do të përfundojë Kampionati Botëror dhe ai mund të pezullohet deri në 24 ndeshje pezullim.
Çerçi afër Interit
Interi është shumë pranë transferimit të sulmuesit të Torinos, Alesio Çerçi. Sulmuesi shumë i talentuar vlerësohet deri në 20 milionë euro dhe zikaltrit janë të gatshëm të shpenzojnë për të. Sipas “Corriere dello Sport”, zikaltrit do të bisedojnë këto ditë me drejtues të Torinos për mundësinë e kalimit të Çerçit në “Giuseppe Meazza”. 26-vjeçari është pjesë e strategjisë së Erik Tohirit për të pasur lojtarë të rinj në moshë.
Siti në luftë për Mangalanë
Mançester Siti pritet të hyjë në merkato në luftë me Çelsin për mbrojtësin e Portos, Eliakim Mangala. Qytetarët nga Mançesteri e kanë mposhtur Junajtidin dhe Çelsin në luftën për mbrojtësin fantastik dhe kanë aktivizuar klauzolën e tij. Shuma që do të paguajë Siti për lojtarin është 45 milionë euro dhe marrëveshja pritet të arrihet shumë shpejt, sipas “Daily Star”. Siti po shikon kështu që të përforcojë edhe më shumë repartin mbrojtës para sezonit të ri.




