Basha: Pse i humbëm zgjedhjet! Mos fërkoni duart, do ringrihemi!

BashaKryetari i PD-së, Lulzim Basha, ka folur para grupit parlamentar të PD-së për zgjedhjet vendore dhe humbjen e tyre nga opozita. Sipas tij, “zgjedhjet vendore të 21 qershorit priteshin të shënonin një përparim dhe një frymëzim të ri për demokracinë në vendin tonë, sidomos në kushtet kur kemi marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian dhe synojmë hapjen e bisedimeve për anëtarësim të plotë në familjen evropiane”. Por realiteti për shefin e opozitës është zhgënjyes: “Për fatin e keq të shqiptarëve dhe për turpin e qeverisë Rama-Meta, këto zgjedhje po vulosen dita-ditës, sa më qartë del në pah e vërteta e tyre tronditëse, si zgjedhje jashtë çdo standardi bashkohor europian, si zgjedhje jo të lira dhe të ndershme.

Zgjedhje të dhunuara

“Në këto zgjedhje u dëshmua shfaqja më brutale e krimit të veshur me pushtet dhe pushtetit të veshur me krim në qeverisjen e Republikës së Shqipërisë”, tha ai.
Basha solli edhe argumentet e parregullsive që shënuan mungesën e standardeve, e për pasoje edhe humbjen e tyre nga opozita. Sipas tij, “në historikun e demokracisë shqiptare dhe në kancelaritë e botës perëndimore këto zgjedhje janë shënuar për:

1. Aktin e paprecedentë të kandididimit të përfaqësuesve të krimit, trafikantë, tutore, pengamarrës dhe kriminelë të njohur e të skeduar që dyshja Rama-Meta i kandidoi pasi refuzoi thirrjet opozitare, mbarëqytetare, kombëtare dhe të komunitetit ndërkombëtar për t’u tërhequr nga ky akt poshtërues për Shqipërinë dhe shqiptarët.
2. Aktivizimin masiv dhe të dhunshëm të bandave të armatosura kriminale që vepruan nën mbrojtjen e policisë para dhe gjatë ditës së zgjedhjeve, duke kërcënuar kandidatët e opozitës, mbështetësit e saj dhe zgjedhësit.
3. Angazhimin si kurrë më parë në zgjedhje të të gjithë strukturave të shtetit, tatimorëve, inspektoriateve, drejtorive arsimore dhe të shëndetit, burgjeve, OSHE e në veçanti të policisë, e që ushtruan një fushatë sulmesh, dhune, terrori, shoqërimesh, arrestimesh, kërcënimesh dhe keqtrajtimesh ndaj aktivistëve, kandidatëve dhe mbështetësve të opozitës nga Malësia e Madhe në Sarandë, Nga Durrësi në Korcë, nga Bulqiza në Gjirokastër, nga Mallakastra në Cërrik, nga Mati në Vorë, nga Puka në Rroskovec e kudo.
4. Kërcënimin e administratës publike për votën dhe përdorimin e aseteve publike në funksion të fushatës të kandidatëve të qeverisë, urdhërin kriminal ndaj drejtorëve të administratës nga kryeministri i vendit për të marrë në dorë rezultatin e kutive të votimit.
5. Derdhjen marramendëse të fondeve publike dhe parave të krimit dhe të korrupsionit qeveritar për të blerë masivisht votat me lekë, me ushqime e me veshmbathje.
6. Sekuestrimin e mijëra kartave të identitetit, kundrejt shpërblimive monetare apo ushqimore, por dhe si kurrë më parë, nëpërmjet kanosjes dhe persekutimit të votuesve të djathtë, duke synuar paralelisht dhe manipulimin dhe falsifikimin e mijëra të tjerave dhe përdorimin e një numri të madh për votime false në emër të personave që rezultojnë jashtë vendit dhe në emigracion për muaj e për vite të tëra. Manipulimin e listave zgjedhore dhe mbushjen e kutive të votimit veçanërisht gjatë pasdites së 21 Qershorit në një numër të madh qendrash votimi pas nxjerrjes jashtë me forcë të komisionerëve të opozitës.
7. Presioni dhe kercenimet ndaj gazetarëve, medias dhe kufizimet e lirisë së shprehjes.
8. Presioni ndaj institucioneve administruese të zgjedhjeve, si KQZ, vendimet antiligjore dhe standartet e dyfishta të së cilës merituan një vend të veçantë në raportin e ndërmjetëm të ODIHR.

Prova dhe fakte

“Unë dua të sjell sot para jush vetëm disa prej rasteve flagrante të dhunimit të standardeve të zgjedhjeve, dhe deformimit të vullnetit të zgjedhësve”. Basha theksoi faktin që PD u përball me rivalë të kriminalizuar dhe dhunë nç zgjedhje, gjëra sipas tij të denoncuara nga PD dhe faktori ndërkombëtar. “Ndonëse Partia Demokratike dhe aleatët tanë ndërkombëtarë SHBA, BE, PE u angazhuan fuqimisht në procesin e dekriminalizimit, dyshja Rama Meta në shpërfillje të hapur të angazhimeve të tyre formale kandiduan në zgjedhjet vendore përfaqësues të botës së errët të krimit si Artur Bushi në Krujë, Artur Bardhi në Kurbin, Elvis Rroshi në Kavajë, Ndoni në Këlcyrë, Peci në Tepelenë, Qaja në Devoll, Kokoneshi në Divjakë, Hasalla në Peqin, individë që ushtruan presion të hapur ndaj zgjedhësve, punonjësve të administratës si dhe përdorën paratë e krimit të organizuar për të blerë vota.
Në zgjedhje u përfshinë banda të lidhura me pushtetin, të cilat vepruan me si njësi paramilitare për të kërcënuar, trembur dhe dhunuar kandidatët, akitivistët dhe zgjedhësit tanë para syve të policisë që nuk ndërmori asnjë masë edhe përkundrejt denoncimeve të opozitës. si ajo Shullazit dhe Xhabaftëve në Tiranë dhe Vorë, “Hakmarrja për Drejtësi” në Lushnje dhe në Vlorë, bandat e Ben Qimes në Fier, banda e Kazazëve në Kavajë, bandat e Taullaut, Dokles, Lul Berishës, dhe Hoxhes në Durrës, banda e Spahinjve në Bulqizë banda e Suel Celës në Elbasan etj.
I dënuari me burgim të përjetshëm përr për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt, Arben Frroku u përfshi në një fushatë të ethshme në Pukë. Ai jo rastësisht u lirua pak para zgjedhjeve por si garanci për të punuar në krah të Edi Ramës në Pukë me të cilët është parë dhe në ambiente publike. Si shpërblim Aben Frroku mori të drejtën për t’u larguar jashtë vendit vetëm pak ditë para se ai të dënohej me burgim të përjetshëm nga gjykata e Apelit.”
Basha tha: “Kemi bërë publike prova dhe fakte që votues të opozitës u ndaluan për të votuar, u terrorizuan dhe rrahën në ditën e zgjedhjeve nga bandat dhe individë me precedentë kriminalë. Mosndëshkimi i fenomenit të faktuar të blerjes së votave në tetor 2013, në Korçë dha një garanci të mosndëshkimit për krime të tilla elektorale duke sjellë një blerje masive të votave në zgjedhjet lokale të 2015-ës.

Mbështetja ndërkombëtare

Basha tha se edhe ndërkombëtarët ndanin të njëjtin mendim me PD-në për dhunimin e zgjedhjeve. Shtetet e Bashkuara të Amerikës deklaruan: “U bëjmë jehonë gjetjeve paraparake të OSBE-ODHIR për zgjedhjet vendore dhe ndajmë shqetësimet e tyre për blerjen e votave, pretendimet për presione mbi votuesit, institucionet e politizuara dhe parregullsi të tjera”.
Këshilli i Europës deklaroi: “Ne jemi të shqetësuar për raportet që kemi dëgjuar për frikësimin, presionin që u është bërë atyre që punojnë në administratën publike që të votojnë në një mënyrë të caktuar apo për kërcënimet se do të hiqen nga puna.
Kryetari i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian u tha mediave se sikur gjysma e kësaj liste parregullsish të jetë e vërtetë, zgjedhjet janë të falsifikuara.
Brukseli dhe Uashingtoni po përballen papritur me një farsë zgjedhore të re, të padëgjuar në tokën e Europës, e cila ka treguar deri tani vetëm majën e ajzbergut dhe kjo u pa edhe dje në debatin që u zhvillua në Parlamentin Europian për zgjedhjet në Shqipëri, ku parregullsitë e listuara në raportin e parë të OSBE/ ODHIR përcaktuan tonin e debatit kritik për këto zgjedhje.

Reagimi i PD-së

Basha foli edhe për reagimin e PD-së pas kësaj humbjeje të imponuar. Ai premtoi një analizë të thellë të shkaqeve dhe përgjegjësive të humbjes, “zonë më zone e kuti më kuti”. “Kemi kaluar dy vite të vështira ku mbi të gjitha na është dashur të mbijetojmë dhe të rezistojmë përballë dhunës, agresionit, sulmeve dhe presioneve që synonin deri eliminimin e opozitës politike.
Por për të arritur fitoren që të gjithë duam duhet te ringrihemi mbi këtë besim dhe ketë force. Bashkim, ribashkim, hapje, për të ftuar e bashkëpunuar me këdo dhe me të të gjithë ata që pranojnë të ndajnë opozitën me ne dhe jo interesin.
Ai iu kthye precedentëve optimiste, ku theksoi : “Në historinë e saj PD ka pasur momente të vështira dhe shumë të vështira. Këta që fërkojnë duart sot i kane fërkuar dhe atëherë, duke menduar se e zhduken, e blenë dhe kësisoj do mund të mbretëronin të qetë. PD as nuk zhduket, as nuk blihet. Ajo ka ditur të ringrihet dhe të fitojë në momente të tilla sfidash për të mirën e Shqipërisë. Unë ju premtoj se do të punoj me mish e me shpirt për të arritur këtë dhe nuk do ta tradhtoj besimin tuaj.

Share it :