Atentati/ Sulejman Allushi mohon konfliktet: I kam mbyllur, s’kam probleme

 Anxhela Tato

makina sulejman allushi shperthimiDyshime se lënda plasëse u montua kur automjeti ndodhej në parkim, Allushi takoi vëllain përpara se të ikte në shtëpi

 Itinerari i udhëtimit, Sulejman Allushi përcolli familjen në Durrës, u kthye në Tiranë dhe ndaloi tek puna e vëllait

Eksplozivi në automjetin e kreut të Këshillit të Komunës Dajt mund të jetë montuar në momentin kur Allushi ndodhej në kafe me vëllain e tij. Sipas forcave të policisë, para kthimit për në banesë, Sulejman Allushi kishte ndaluar tek burgu 313 për të takuar vëllain e tij. Me të mbaruar kafen me vëllain, Sulejmani ka marrë makinën nga parkimi dhe është nisur për në drejtim të banesës. Gjatë rrugës në afërsi të zonës “Rruga-Ura” është dëgjuar një shpërthim i fortë dhe fatmirësisht Allushin e kanë nxjerrë nga automjeti. Nga ngjarja kanë mbetur të plagosur edhe dy kalimtarë të rastit, të cilët fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Nga hetimet e bluve është zbuluar se sasia prej 70 gramësh C4 ishte montuar në pjesën e brendshme të gomës së majtë në anën e shoferit. Nga shpërthimi Sulejman Allushi ka pësuar vetëm disa dëmtime dhe ndodhej në gjendje të qëndrueshme shëndetësore. Siç bëhet me dije nga burime, ditën e ngjarjes Allushi ka udhëtuar nga Tirana në drejtim të Durrësit, ku kanë lënë bashkëshorten me fëmijët, për t’u kthyer sërish në kryeqytet. Fakti që Sulejman Allushi ka mundur të udhëtojë pa probleme, duke bërë dy herë rrugën pa ndalesë dhe defekte, nxit blutë të dyshojnë që lënda plasëse mund të jetë vënë kur ka takuar vëllain. Paralelisht, ky dyshim lidhet edhe me faktin që Allushi nuk ka bërë ndalesa gjatë rrugës dhe nëse eksplozivi do të kishte qenë gjatë gjithë kohës nën automjet, atëherë C4-a mund të aktivizohej edhe në autostradë. Por ende nuk ka të dhëna të sakta për vendin dhe kohën kur mund të jetë montuar eksplozivi. Ndërsa ende s’ka asnjë provë rreth identitetit të autorëve apo porositësve të këtij atentati. Ndonëse i cilësuar më parë si person i skeduar, gjatë marrjes në pyetje nga ana e oficerëve të policisë, Allushaj nuk ka ngritur asnjë dyshim. Ai është shprehur se konfliktet dhe problemet i ka të mbyllura, duke mos dhënë pista hetimore, aludime apo persona, që të lidhen me atentatin.

 

Ngjarja

Rreth orës 20:00 të 15 korrikut, në zonën e “Rruga-Urës” është dëgjuar një shpërthim i fuqishëm, i cili është raportuar menjëherë nga kalimtarë, të cilët të tmerruar kanë dashur që të ndihmojnë personin e plagosur në automjet. Sipas bluve, eksplozivi ishte i vendosur poshtë shasisë së gomës së majtë nga krahu i shoferit. Bëhet fjalë për një sasi të vogël lënde plasëse të tipit tritol. Ka dyshime se shpërthimi ka qenë një shenjë paralajmërimi ndaj Sulejman Allushit, i cili ndodhet në gjendje kritike në spital. Dyshimet e bluve janë se eksplozivi ka qenë i telekomanduar dhe duhet të jetë montuar kur automjeti ka qenë në parkim, ndërsa pritet ekspertiza e pjesë së mbetur së lëndës plasëse me shpresën e gjetjes së ndonjë karte celulari që mund të çojë në identifikimin e autorëve. Për blutë, Allushi duhet të ketë qenë gjatë gjithë kohës në vëzhgim, ku është kontrolluar çdo lëvizje e tij. Autorët kanë gjetur momentin e përshtatshëm për të shpërthyer lëndën plasëse. Këto lloj krimesh janë të vështira për t’u zbardhur, për shkak të shkatërrimit të gjurmëve të gishtave, si dhe faktit që në pjesën më të madhe të rasteve karta SIM u përket personave të vdekur ose individëve që e kanë shitur. Pritet sekuestrimi i kamerave të sigurisë së bizneseve në afërsi të vendit të krimit si dhe zbardhja e tabulateve telefonike të Allushit, ndërsa do të shoqërohen për t’u marrë në pyetje dëshmitarë okularë si dhe të afërm të Allushit, përfshirë vëllezërit Zallini.

 

Dosja e Gjykatës

“I pandehuri Sulejman Allushi është më banim në qytetin e Tiranës. Me datë 16.4.2011, shtetasi Artur Zallini së bashku me vëllain e tij, shtetasin Bardhyl Zallini, dhe kushëririn e tyre, shtetasin Elvis Zallini, ndodheshin në fshatin Ferraj, tek sipërfaqja e tokës në pronësi të tyre. Ndërkohë, në atë moment ka kaluar i pandehuri Sulejman Allushi. Ndërmjet të pandehurit Sulejman Allushi dhe shtetasve Artur Zallini, Bardhyl Zallini dhe Elvis Zallini ka lindur një debat me fjalë. Në këtë debat janë përfshirë dhe shtetasit Pajtim Allushi dhe Erjon Alushi. Më pas debati ka vazhduar ku palët janë konfliktuar duke qëlluar njëri-tjetrin me mjete rrethanore. Në një moment, i pandehuri Sulejman Allushi pretendohet se me anë të një arme luftarake ka qëlluar ndaj shtetasit Artur Zallini duke e plagosur atë. Pas ngjarjes, shtetasit Sulejman Allushi, Pajtim Allushi dhe Erjon Alushi janë larguar nga vendngjarja, ndërsa shtetasi Artur Zallini është dërguar për ndihmë mjekësore. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes është gjendur e sekuestruar dhe një gëzhojë luftarake. Në bazë të akt ekspertimit balistik nr. 3814, datë 9.5.2011, ka rezultuar se gëzhoja objekt ekspertimi është e rregullt teknike. I pyetur me cilësinë e personit nën hetim dhe si i pandehur, si në hetimet paraprake ashtu edhe para Gjykatës i pandehuri Sulejman Allushi ka pranuar akuzën dhe shprehet i penduar. Deklarimin fajtor të të pandehurit Sulejman Allushi, për kryerjen e veprës penale të “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake“, parashikuar nga neni 278/2 i K. Penal dhe në bazë të këtij neni, dënimin e tij me 300 000 lekë gjobë. Me gjykim të shkurtuar i ulet 200 mijë lekë”.

 

Share it :