Aleksis Cipras, “Maratonomaku” i shekullit të kibernetikës/ Llafazanis: Ktheu pas sa je në kohë

Lagarde- TsakalotosPas garës maratonë të kryeministrit grek në Bruksel për të mundësuar lëvrimin e fondit të shpëtimit prej 86 miliard eurosh, Aleksis Cipras-it i duhet të kryejë një garë shpejtësie, brenda ditës së nesërme, për të marrë mbështetjen e Parlamentit, duke miratuar kushtet e rënda të fondit të shpëtimit, shkruan “Kathimerini”.

Kryeministri grek është përballur dy ditët e fundit me një valë të fortë rebelimi brenda Partisë së tij. Llafazanis ishte ndër të fundit rebelë që ka dalë hapur kundra marrëveshjes. Ministri i Energjitikës, Panajotis Llafazanis, ka shfrytëzuar faqen elektronike të ministrisë së tij për të deklaruar sot se “marrëveshja është e papranueshme dhe e pavlefshme”; e thënë me dy llafe, Cipras duhet të heqë dorë.

“Qeveria dhe vetë kryeministri, edhe këtyre orëve të fundit, gëzojnë të drejtën dhe mundësinë të ripozicionohen, si dhe të heqin dorë nga drafti përpara se ai të shqyrtohet në Parlament”, deklaron Llafazanis.

Ndërkohë, lajmi më lehtësues për kryeministrin në këto çastë të vështira pë të është deklarata e lëshuar sot në mesditë nga kreu i “To Potami”-t, parti e qendrës.

“Ne do të votojmë në mbështetje të aleatëve tanë”, thuhet në deklaratën e partisë, ku i bëhet thirrje parlamentarëve grekë të sillen “me përgjegjshmëri” dhe të mos vënë interesat partiake mbi ato të vendit.

Gjithashtu, To Potami deklaroi se nuk do të marrin pjesë në asnjë lloj qeverie të unitetit kombëtar, duke thënë se mandati i kryeministrit është aq i i fortë, sa i jep siguri “të ecë përpara”.

Ndërkohë, një raport sekret i FMN-së tregon se Greqisë i duhen shumë më tepër fonde sesa janë akorduar nga kreditorët e eurozonës për lehtësimin e borxhit, për shkak të rrënimit të ekonomisë dhe sistemit bankar, raporton Reuters.

Share it :