Detajet nga shkrimi i New York Post/ Duçka, kinezët, Hunter fijet që lidhin

Nga Miranda Devine, New York POST

Problemet e reputacionit të FBI-së janë shtuar me arrestimin e Charles McGonigal, ish-shefi i kundërzbulimit në zyrën e FBI-së në New York, një nga gjahtarët kryesorë të spiunëve në vend, i akuzuar për korrupsion, i cili del se është i lidhur edhe me Hunter Biden, djali i Presidentit Joe Biden.

Në aktpadinë e dyfishtë të ngritur ndaj tij muajin e kaluar, McGonigal akuzohet se ka marrë pagesa sekrete nga një ish-oficer i zbulimit shqiptar, ka mbajtur të fshehta takimet me kryeministrin shqiptar Edi Rama, dhe ka tentuar të heqë oligarkun rus Oleg Deripaska nga lista e sanksioneve të SHBA.

Shqiptarët e përmendur nga prokurorët e lidhin këtë skandal me Hunter Biden dhe kompaninë energjetike kineze CEFC që i pagoi xhaxhait të tij Jim miliona dollarë në një marrëveshje për të cilën Joe Biden u kritikua se u bë pjesë e saj pas përfundimit të mandatit si zëvendëspresident.

Sipas prokurorëve, McGonigal mori 225 mijë dollarë në vjeshtën e 2017 ndërsa ishte ende shef i zyrës së kundërzbulimit në New York nga shqiptari i identifikuar nga media shqiptare dhe evropiane si Agron Neza.

Neza e prezantoi McGonigal me një tjetër shqiptar me lidhje të forta, Dorian Duçka, i cili ishte këshilltar i Ramës dhe punonte edhe për CEFC.

Një fotografi e publikuar muajin e kaluar në median shqiptare, me burim nga China Daily në maj 2017, tregon Duçkën bashkë me kryetarin e CEFC, Ye Jianming, i cili i dha Hunterit një diamant 3.16 karat, me vlerë 80 mijë dollarë, në shkurt 2017.

Ye i caktoi Hunterit edhe një kuotë ligjore 1 milion dollarë në mes të 2017, e cila u pagua për të ndihmuar kolegun e tij në CEFC, Patrick Ho, pas arrestimit.

Dikush me emrin e pazakontë si të Duçkës shfaqet në laptopin e braktisur të Hunterit, në një bisedë me email për CEFC midis Hunterit dhe partnerëve James Gilliar e Rob Walker.

“Dorian na ka ndihmuar shumë në fillim kështu që duhet të shohim se si mund ta përfshijmë edhe atë”, shkruante Gilliar në një email më 13 maj 2017.

“S’ka se si të mos e përfshijmë, dhe nëse shumica thotë jo, do ta paguaj nga paga ime”, përgjigjej Hunter.

Kjo ishte një bujari e pazakontë nga Hunter, i cili në atë kohë u qahej partnerëve në biznes se s’kishte pará dhe kërkonte një pjesë më të madhe nga fitime.

“Hunter nuk të jepte asnjë qindarkë”, thotë një burim që beson se Doriani i përmendur është Duçka, pasi Gilliar kishte bërë biznes për CEFC në Shqipëri. “Kështu që fjalët e Hunterit se do ta paguante (Dorianin) janë tregues i lidhjeve të forta”.

Pse e paguanin shqiptarët McGonigalin?

Sipas Belind Këlliçit, kandidati i Partisë Demokratike opozitare në Tiranë në zgjedhjet për kryetarin e Bashkisë, McGonigal hapi hetime të FBI-së për kundërshtarë politikë të kryeministrit socialist Rama, hetime të përdorura për t’i deklaruar persona non grata, që nuk mund të bënin biznes apo të hapnin llogari bankare në SHBA.

Lista e zezë e McGonigal

Rreth një duzinë politikanësh të opozitës apo njerëz nga biznesi që përkrahnin partitë opozitare u futën në “listën e zezë” të McGonigal.

Ajo përfshinte liderin e opozitës Sali Berisha, i cili u godit me statusin persona non grata dhe u ndalua të hynte në SHBA me vendim të Sekretarit të Shtetit Antony Blinken.

Fundjavën e kaluar, skandali McGonigal luajti rol kryesor në një protestë antiqeveritare në Shqipëri para kryeministrisë, me thirrje për dorëheqjen e kryeministrit me akuzën për korrupsion për shkak të takimeve të tij me McGonigal.

Pllakatat me emrin e ish-agjentit të FBI-së ishin kudo.

Lidhjet e Hunterit me FBI kanë qenë temë diskutimesh midis partnerëve të tij në biznes. Një burim kujton se i është treguar për një bisedë të zhvilluar midis korrikut e shtatorit 2017, në cilën Hunter u pyet nga Ye i CEFC nëse mund të zbulonte përmes kontakteve të tij në FBI apo Departamentin e Drejtësisë nëse Ye apo Ho ishin objektiva të ndonjë hetimi nga ana e FBI-së.

Hunter iu përgjigj më vonë se të dy ishin në rregull dhe nuk po hetoheshin.

Menjëherë më pas, në nëntor, Ho u kthye në SHBA dhe u arrestua nga agjentët të FBI-së në aeroportin JFK.

“Kryetari Ye u tërbua” që informacioni nga Hunter ishte i gabuar, kujton burimi.

“Ai i kërkoi specifikisht të shihte nëse Patrick Ho apo ai vetë ishin në shënjestër. Hunter iu përgjigj që jo. Pastaj Ho shkon në SHBA dhe ndalohet në JFK. Ata u tërbuan fare. Personi me të cilin Hunter foli në FBI e gënjeu duke i thanë që Ye dhe Ho nuk ishin të dyshuar”.

E dimë që Hunter kishte të paktën një informator në FBI sepse avokati njujorkez Edward Kim, të cilit Hunter i pasoi detyrën ligjore për të ndihmuar Ho pas arrestimit, e pyeti Hunterin në një email nëse mund të mbështetej te kontaktet e tij në FBI.

“Nëse je në gjendje të gjesh emrat e agjentëve të FBI-së me të cilët fole, do të ishte ndihmë e madhe”, i shkruante Kim më 18 nëntor 2017, në përgjigje të kërkesës së Hunterit që firma e tij të përfaqësonte Ho.

Në atë kohë McGonigal ishte në krye të Divizionit të Kundërzbulimit në zyrën e FBI-së në New York, e cila kreu arrestimin.

Një fije e hollë lidh Hunter e McGonigal në jetën e tyre personale, teksa emrat e tyre shfaqen së bashku si marrës të 29 emaileve për ndeshje lakrosi të vajzave të tyre, në atë kohë adoleshente, nga një shkollë e shtresës së lartë në Washington ku shkonin fëmijët e Hunterit, në kohën kur McGonigal punonte në zyrën e FBI-së në Washington. Nuk ka ndonjë provë që të jenë takuar gjatë asaj kohe.

McGonigal u largua nga FBI në shtator 2018 pasi ish- e dashura i tregoi shefit të tij për qese me pará në apartamentin e tij në Brooklyn.

Por, ironikisht, ai ishte një nga ekspertët me lidhje të forta i shfrytëzuar nga Këshilli i Atlantikut para zgjedhjeve 2020 për të paralajmëruar për ndërhyrje ruse në emër të Trump.

Në atë kohë ai dyshohet se merrte pará nga Deripaska.

McGonigal, një nga të preferuarit e ish-shefit të FBI-së James Comey, ishte i përfshirë edhe në hetimin fals të FBI-së për bashkëpunimin Trump-Rusi, si shef i Seksionit të Koordinimit të Kundërzbulimit Kibernetik në zyrën e FBI-së në Washington. Ai thuhet se ishte instrumental në hapjen e hetimit fillestar Crossfire Hurricane (emri i koduar i hetimit për lidhjet e fushatës së Trumpit me Rusinë – Syri).

Pasi u vendos në New York, një muaj para zgjedhjeve 2016, McGonigal thuhet se u përfshi në mandate monitorimi të paligjshëm kundër ndihmësit të fushatës së Trumpit, Carter Page.

Teksa kongresmenët Reublikanë e Demokratë po përpiqen ta shfrytëzojë skandalin McGonigal për përfitime politike, nuk ka asgjë që Drejtori i FBI-së Chris Wray mund të bëjë për të rikthyer besimin e publikut te agjencia e tij e katandisur si mos më keq.

Share it :
Koncesioni i check-up/ Milva Ekonomi i dha mln € Vilma Nushit, paratë u investuan te kulla e Pak ditë më parë, emisioni “Plug” në Syri TV bëri një përmbledhje me fakte dhe dokumente konkrete të abuzimeve që janë bërë nga shteti shqiptar me koncesionet e shëndetësisë, një prej tyre edhe koncesioni i check-up, një skemë e madhe abuzimi me taksat e qytetarëve shqiptarë. Për këtë koncesion u hap një garë ku morën pjesë disa kompani me eksperiencë në fushën e kryerjes së analizave mjekësore, por fituese u shpall 3P Life Logistic e Vilma Nushit. Do të hyjmë në detaje dhe do të kuptojmë se jemi përpara një gare fiktive me fitues të paracaktuar. Së pari, kjo kompani u themelua më 9 dhjetor 2014, ndërsa kontrata koncesionare u firmos dy ditë pa u mbushur muaji, më 7 janar 2015. Ndërkohë, gara për koncesionin e check-up u shpall që në shkurt 2014. Thënë ndryshe, 11 muaj përpara se të lidhej kontrata me kompaninë që Vilma Nushi themeloi një muaj përpara se të firmoste marrjen e koncesionit prej 138 milionë eurosh. Dhe çudia më e madhe qëndron te fakti se shpallja e fituesit zyrtarisht u bë më 6 tetor 2014, dy muaj përpara se të themelohej kompania që do të fitonte kontratën koncesionare. Pas firmosjes së kontratës koncesionare në fillim të muajit janar 2015 nga Ministria e Shëndetësisë dhe kompania 3P Life Logistic, Agjencia e Prokurimit Publik refuzoi publikimin e kësaj kontrate pasi konstatoi shkelje të rënda ligjore. E para, kontrata u dërgua në APP pa numër protokolli dhe pa u firmosur nga titullari i institucionit. E dyta ishte shuma totale që shteti shqiptar do të paguante në fund të 10 viteve koncesion, si dhe mënyra e pagesës, që sipas APP-së, në formularin e dërguar nga MSH deklarohej se pagesa për check-up do të kryhej në bazë të numrit të analizave që do të kryheshin. Dhe këtu ka një mospërputhje në lidhje me vlerën totale të kontratës së nënshkruar. Konkretisht, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/23 Prot., datë 20.01.2015, në pikën 5 jepet vlera totale e kontratës 13.833.000.000 lekë. Ndërkohë, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/27 Prot., datë 10.02.2015, në paragrafin IV.4 shkruhet shprehimisht se: “Vlera reale do të jetë në varësi të numrit të kontrolleve”. Gjashtë ditë më pas, Ministria e Shëndetësisë firmos edhe njëherë formularin e njoftimit të kontratës së nënshkruar dhe më datë 19.02.2015 ministri i atëhershëm, Ilir Beqaj, i delegon kompetencën vartëses së tij, Milva Ekonomi, që të firmosë formularin e fituesit të kontratës koncesionare. Në këtë shkresë, përveç firmës dhe vulës së Ministrisë së Shëndetësisë, deleguar te Milva Ekonomi, saktësohet në pikën IV.3 se: “Vlera totale e kontratës do të jetë 13.833.000.000 lekë”, apo rreth 138 milionë euro për dhjetë vjet. Ndërsa në pikën IV.4 saktësohet: “Vlera e sipërcituar është vlera e dhjetë viteve të marra së bashku për numrin maksimal të kontrolleve për grupmoshën 40-65 vjeç. Vlera reale e kontratës do të jetë më e ulët pasi ajo do të llogaritet në varësi të numrit të kontrolleve që do të kryhen çdo vit”. Do të mjaftonte vetë ky dokument, që minimalisht sot SPAK ta kishte marrë të pandehur zv.ministren e asaj kohe, Milva Ekonomi, e cila me dashje i ka shkaktuar disa milionë euro dëm buxhetit të shtetit, pasi me firmën e saj ka kryer pagesa në kundërshtim me kushtet e parashikuara në kontratë. Por skandalet nuk mbarojnë këtu. Në pikën 3 të kontratës përcaktohet se: Kjo ndodhi për një arsye. Vilma Nushi, sipas kontratës, 20 laboratorët do të duhej t’i ndërtonte në qendrat shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe, në përfundim të koncesionit, ky investim do t’i mbetej si aset shtetit shqiptar. Gjë që nuk ndodhi asnjëherë. Sipas kontratës që shihni në ekran, nënshkruar mes kompanisë së Vilma Nushit dhe kompanisë Intermedica të deputetit të PS-së, Vasil Llajo, çmimi për një check-up te Intermedica për Vilma Nushin do të kushtonte 740 lekë me TVSH. Pra, ndërkohë që shteti do t’i paguante Vilma Nushit 1844 lekë me TVSH për kryerjen e një pakete check-up, ajo e delegoi këtë shërbim te nënkontraktori për një çmim prej 740 lekësh me TVSH. Me vetëm këtë skemë, Vilma Nushi ka përfituar për çdo analizë rreth 11 euro. Gjithçka me firmën e hedhur nga ish-zv.ministrja Milva Ekonomi. Në një përballje me gazetarin Freard Rista, zonja Ekonomi mohoi të kishte lidhje me këtë formular kontrate, pavarësisht se emri dhe firma e saj janë të zeza mbi të bardhë. Kompania e Vilma Nushit, Marketing & Distribution, e cila ka në pronësi koncesionin e check-up nëpërmjet kompanisë 3P Life Logistic, rezulton gjithashtu se ka financuar edhe kompaninë “Victoria Construction”, e cila po ndërton kullën “Ekspozita Building”. Deri këtu do të ishte diçka normale, nëse pas kësaj kulle nuk do të qëndronte një emër si ai i Ervin Matës, i arrestuar së fundmi në Brazil me kërkesë të SPAK-ut për trafik droge. Konkretisht, në vitin 2018, kompania Marketing & Distribution kalon për llogari të shoqërisë “Victoria Construction” një shumë prej 1.1 milionë eurosh. Nga të dhënat e bilanceve të kompanisë “Victoria Construction”, nuk specifikohet arsyeja pse Vilma Nushi i ka dhënë një shumë të tillë monetare kompanisë. Derdhja e parave u bë vetëm një vit përpara se të firmosej leja e ndërtimit për kullën “Ekspozita Building”. Pra, në vitin 2018 Vilma Nushi paguan këstin e parë të parave për llogari të kompanisë së Luan Matës, ndërsa në vitin 2019, me firmë të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, u miratua edhe leja e zhvillimit. Kujtojmë se pikërisht në vitin 2018, kur Vilma Nushi ka deklaruar se ka futur për investim 1.1 miliardë lekë në kullën e Ervin Matës, ka marrë edhe dividendin e parë nga kompania e check-up, në vlerën e rreth 1.2 miliardë lekëve, përafërsisht sa shuma që futi te kulla e Ervin Matës. Edhe për këtë gjë, zonja Ekonomi u pyet nëse ndjen ndopak përgjegjësi morale që me firmat e saj pasuron privatin, i cili më pas këto lekë të fituara nga taksapaguesit shqiptarë i investon tek personazhe me rekorde kriminale, por nuk ktheu përgjigje, duke kyçur gojën dhe nxituar këmbët për të votuar. /Piranjat news