Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta mori pjesë në pritjen e organizuar nga OSBE me rastin e “Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut”
Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta mori pjesë në pritjen e organizuar nga OSBE me rastin e “Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut”. Në këtë aktivitet merrnin pjesë edhe personalitete të njohura të jetës publike, përfaqësues të komuniteteve fetare, mediave dhe shoqërisë civile.
Në fjalën përshëndetëse të mbajtur në këtë pritje, z. Ilir Meta u shpreh se parimet e lirisë, drejtësisë dhe sundimit të ligjit janë shtyllat kryesore, mbi të cilat funksionojnë shoqëritë demokratike.
“Në këtë drejtim edhe vendi ynë ka shënuar progres substancial, duke pasur parasysh të kaluarën e shkeljeve dhe dhunimin flagrant të të drejtave të njeriut nga e cila vinim. Qytetarët tanë janë përpjekur, janë organizuar dhe kanë protestuar për të ndryshuar jo vetëm ligjet, por dhe mentalitetin e zakonet e kaluara të shoqërisë”, – tha Kryetari i Kuvendit, ndërsa shtoi se falë këtyre përpjekjeve, por edhe falë mbështetjes së partnerëve ndërkombëtarë, sot shqiptarët janë në gjendje të gëzojnë liritë dhe të drejtat politike, ekonomike dhe shoqërore.
“Ne kemi punuar shumë së bashku për të bërë ligje rregullatore, të drejta dhe gjithëpërfshirëse. Kemi punuar shumë që të afrojmë publikun te Parlamenti, t’i sigurojmë akses publikut në të gjitha dokumentet parlamentare, pasi mendojmë se një qasje e fortë dhe e shëndetshme kundrejt transparencës dhe përfshirjes së publikut në veprimtarinë e Kuvendit i mundëson shoqërisë civile, mediave dhe organizatave jofitimprurëse për të debatuar, hetuar, por edhe sfiduar mënyrën e vjetër të ushtrimit të pushtetit”, – theksoi z. Meta.
Duke folur për Progres-Raportin e fundit të Komisionit Evropian, Kryetari i Kuvendit tha se funksionimi i mekanizmave mbrojtës të të drejtave të njeriut mbetet ende një sfidë për shoqërinë tonë.
“Duhet më tepër vëmendje për procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave, më tepër përkushtim ndaj kushteve të jetesës për grupimet vulnerabël siç janë komuniteti Rom dhe Egjiptian, apo edhe për të gjithë ata qytetarë që vuajnë përjashtimin social dhe diskriminimin. Duhen forcuar mekanizmat institucional për mbrojtjen e fëmijëve dhe viktimave të dhunës në familje. Këtu kam parasysh shumë gra dhe nëna, të cilat kanë nevojë për dorën mbrojtëse të shtetit, sidomos në zonat më të thella”, – vijoi z. Ilri Meta.
Gjithashtu, Kryetari i Kuvendit deklaroi se po bëhen përpjekje për të rritur rolin mbikëqyrës të Kuvendit dhe se në të gjitha përpjekjet për të përmirësuar standardet e aktivitetit parlamentar në mbrojtje të të drejtave të njeriut në vendin tonë, roli dhe përkushtimi i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri ka qenë i jashtëzakonshëm.
“Gjatë kësaj legjislature kemi miratuar ligje të rëndësishme për personat me aftësi të kufizuara që lidhen me sigurimet shoqërore, aksesueshmërinë, me shërbimet e kujdesit shoqëror dhe me punën vullnetare. Komisionet e përhershme kanë qenë gjithnjë të hapur për konsulta të vazhdueshme me organizatat e personave me aftësi të kufizuara. Përgjegjësia për të arritur përfshirjen dhe aksesueshmërinë nuk i përket vetëm komunitetit të personave me aftësi të kufizuar, por na përket të gjithëve, pasi ka ende shumë pengesa për njerëzit me aftësi të kufizuara që të ushtrojnë plotësisht të drejtat e tyre themelore”, – tha ndër të tjra kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta në fjalën e tij përshëndetëse.
Nga ana e tij Ambasadori i OSBE-së, z. Bernd Borchardt, vlerësoi bashkëpunimin me Kuvendin e Shqipërisë dhe theksoi se respektimi i të drejtave të njeriut, lirive themelore dhe zgjedhjeve, janë elementë thelbësor të demokracisë.
“Ato përbëjnë themelet e shoqërive gjithëpërfshirëse ku qytetarët janë të lirë të marrin pjesë në jetën e komunitetit. Vetëm në demokraci individi mund t’i ushtrojë plotësisht të drejtat e tij si njeri, prandaj jemi krenar që kemi një partneritet të ngushtë dhe të frytshëm me Parlamentin shqiptar”, – tha z. Borchardt.
Fjalë përshëndetëse e Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta
I nderuar Ambasadori Borchardt,
Të nderuar ambasadorë dhe të ftuar,
Zonja dhe Zotërinj!
Është kënaqësi e veçantë t’ju përshëndes sot në këtë mbrëmje të posaçme të organizuar nga prezenca e OSBE-së sot në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.
Parimet e lirisë, drejtësisë dhe sundimit të ligjit janë shtyllat kryesore, mbi të cilat funksionojnë shoqëritë demokratike dhe në këtë drejtim edhe vendi ynë ka shënuar progres substancial, duke pasur parasysh të kaluarën e shkeljeve dhe dhunimin flagrant të të drejtave të njeriut nga e cila vinim.
Qytetarët tanë janë përpjekur, janë organizuar dhe kanë protestuar për të ndryshuar jo vetëm ligjet, por dhe mentalitetin e zakonet e kaluara të shoqërisë.
Falë këtyre përpjekjeve, por edhe falë mbështetjes së partnerëve tanë ndërkombëtarë, ku OSBE ka luajtur dhe luan një rol thelbësor, sot qytetarët tanë janë në gjendje të gëzojnë liritë dhe të drejtat politike, ekonomike dhe shoqërore.
Ne kemi punuar shumë së bashku për të bërë ligje rregullatore, të drejta dhe gjithëpërfshirëse.
Kemi punuar shumë që të afrojmë publikun te Parlamenti, t’i sigurojmë akses publikut në të gjitha dokumentet parlamentare, pasi mendojmë se një qasje e fortë dhe e shëndetshme kundrejt transparencës dhe përfshirjes së publikut në veprimtarinë e Kuvendit i mundëson shoqërisë civile, mediave dhe organizatave jofitimprurëse për të debatuar, hetuar, por edhe sfiduar mënyrën e vjetër të ushtrimit të pushtetit.
Por siç është evidentuar edhe nga Progres Raporti i fundit i Komisionit Evropian, funksionimi i mekanizmave mbrojtës të të drejtave të njeriut mbetet ende një sfidë për shoqërinë tonë.
Duhet më tepër vëmendje për procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave, më tepër përkushtim ndaj kushteve të jetesës për grupimet vulnerabël siç janë komuniteti Rom dhe Egjiptian, apo edhe për të gjithë ata qytetarë që vuajnë përjashtimin social dhe diskriminimin.
Duhen forcuar mekanizmat institucional për mbrojtjen e fëmijëve dhe viktimave të dhunës në familje. Këtu kam parasysh shumë gra dhe nëna, të cilat kanë nevojë për dorën mbrojtëse të shtetit, sidomos në zonat më të thella.
Në këtë drejtim ne jemi përpjekur të rrisim rolin mbikëqyrës të Kuvendit dhe në të gjitha përpjekjet tona për të përmirësuar standardet e aktivitetit parlamentar në mbrojtje të të drejtave të njeriut në vendin tonë, kemi patur përkushtimin e jashtëzakonshëm të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, e cila punon aktivisht dhe është mjaft e përkushtuar ndaj mbrojtjes dhe respektimit të të drejtave të njeriut.
Ndaj në emër të Kuvendit ndjej obligimin të falënderoj Ambasadorin Borchardt dhe gjithë ekipin e mrekullueshëm të OSBE-së në Tiranë për bashkëpunimin dhe punën e tyre të palodhur.
Në mënyrë të veçantë përgëzoj që ju sot do të vlerësoni punën e organizatave për personat me aftësi të kufizuara.
Ata janë edhe miqtë më të nderuar të kësaj mbrëmjeje ndaj punës së të cilëve ne të gjithë përulemi me nderim.
Gjatë kësaj legjislature kemi miratuar ligje të rëndësishme për personat me aftësi të kufizuara që lidhen me sigurimet shoqërore, aksesueshmërinë, me shërbimet e kujdesit shoqëror dhe me punën vullnetare. Komisionet e përhershme kanë qenë gjithnjë të hapur për konsulta të vazhdueshme me organizatat e personave me aftësi të kufizuara.
Përgjegjësia për të arritur përfshirjen dhe aksesueshmërinë nuk i përket vetëm komunitetit të personave me aftësi të kufizuar, por na përket të gjithëve, pasi ka ende shumë pengesa për njerëzit me aftësi të kufizuara që të ushtrojnë plotësisht të drejtat e tyre themelore.
I nderuar zoti ambasador, të nderuar të ftuar, dua t’ju siguroj se Kuvendi do të mbetet i hapur dhe inkurajojmë pjesëmarrjen aktive të të gjithë grupeve të interesit, shoqërisë civile dhe sidomos të organizatave që kujdesen për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, me qëllim që së bashku të kontribuojmë për një ndryshim më cilësor.
Është detyrimi ynë që të garantojmë integritetin dhe dinjitetin më të lartë njerëzor të këtyre grupeve.
Ju falënderoj edhe njëherë për ftesën dhe këtë për këtë kujdes dhe angazhim plot përkushtim të OSBE-së për të drejtat e njeriut dhe për këto grupe kaq shumë në nevojë.





